Ndihmesë për ngritjen e nivelit të përdorimit të gjuhës shqipe

Në punëtori kanë marrë pjesë nëpunës të administratës publike, drejtues e mësimdhënës të shkollave, gazetarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetarë të interesuar për përdorimin e platformës softuerike “Kulla e shqipes”, të blerë së fundmi nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave

Ulqin – Ministria e të Drejtave të Njeriut në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe kompaninë “Albasoft” nga Prishtina kanë organizuar të shtunën (4 nëntor 2023) në Ulqin punëtorinë për përdorimin e paketës softuerike “Kulla e shqipes”, në kuadër të realizimit të projektit “Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Malin e Zi”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive Nacionale të Pakicave të Tjera në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Arben Xhurreta, ka thënë se si ministri kanë qenë çdoherë afër qytetarëve dhe brenda mundësive të tyre kanë bërë të mundur që këtë platformë moderne t’ia ofrojnë çdo qytetari të Malit të Zi në kompjuterë, laptopë dhe telefona.
“Shumë suksese në ngritjen e nivelit të gjuhës shqipe në çdo hap tuajin dhe tonin”, është shprehur ai duke iu drejtuar pjesëmarrësve.
Për rëndësinë e gjuhësisë kompjuterike dhe çështjet që zgjidh nga aspekti gjuhësor paketa softuerike “Kulla e shqipes”, e cila përfshin disa softuerë, ka folur gjuhëtari Rinor Matoshi, kurse për regjistrimin në këtë platformë dhe mënyrën e përdorimit në praktikë të softuerëve në pajisje të ndryshme ka folur Ernest Culaj, drejtor i kompanisë “AlbaSoft”, përgjegjëse për zbatimin e projektit të digjitalizimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi.
Në punëtori kanë marrë pjesë nëpunës të administratës publike, drejtues e mësimdhënës të shkollave, gazetarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetarë të interesuar për përdorimin e platformës softuerike “Kulla e shqipes”, të blerë së fundmi nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi nënkupton që këtë paketë softuerike mund ta përdorë falas, brenda dhe jashtë vendit, secili banor i Malit të Zi. Gjithashtu mund ta përdorin të gjitha institucionet e Malit të Zi, qeveritare dhe joqeveritare, punonjësit e ndërmarrjeve private dhe publike të Malit të Zi si dhe punonjësit e medieve të regjistruara në Mal të Zi, nëse e kanë shtetësinë e Malit të Zi.
Në prezantimin e softuerit “Kulla e shqipes” thuhet se ai i vjen në ndihmë secilit që shkruan dhe flet shqip, pra çdo shqiptari, e sidomos nxënësve dhe studentëve, të huajve që dëshirojnë ta mësojnë shqipen, si dhe gazetarëve, shkrimtarëve, studiuesve që e kanë domosdo njohjen e mirë të gjuhës shqipe. Ky softuer u shërben mësuesve gjatë procesit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, për konkretizim në mënyrë digjitale të temave mësimore, punëtorëve të administratës shtetërore për korrigjimin e dokumenteve etj. Kjo teknikë e re e punës, e mësimdhënies edhe mësimnxënies, e mbështetur nga Kulla e shqipes, e bën mësimin e shqipes edhe më cilësor, edhe më argëtues, ndërsa zbatimin e rregullave drejtshkrimore më të lehtë. Kulla e shqipes është një vegël e rëndësisë së veçantë, e domosdoshme për gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat