Ndërmjet legjendës dhe të vërtetës

Gani Karamanaga

Pjesa e parë
Para shumë viteve…
Në pjesën e sipërme të Kalasë, në anën e saj të majtë, në rrugicën kryesore ishin dy shtëpi të larta. Ato i takonin një familjeje të madhe. Në shtëpinë e parë jetonin prindërit dhe djali i porsamartuar Serveti me nusen e tij Serveten nga Shkodra.
Ndërmjet dy shtëpive ishte një kapixhik (kalim-hyrje ndërmjet shtëpive).
Çifti i porsamartuar kishte dashuri të madhe. Ishin njoftuar gjatë qëndrimit të Servetit në Shkodër.
Nusja e priste gjithmonë burrin e saj në derë të oborrit.
Ai e çonte para duarve deri në katin e dytë.
Por ai ishte detar, duhej edhe të ndahej ndonjëherë.
Në shtëpinë tjetër ishte djali i madh me familje, kanë pasur edhe tre fëmijë.
Kunata filloi të sillej ndryshe me nusen e re…
Në një sefer, Serveti me pesë shokë të tjerë ishin në lundrim deri në Shqipëri.
Pas një furtune, Serveti filloi të ndryshonte, nusja e tij në Ulqin iu ftoh, nuk e donte më.
Kur mbërritën në Durrës, ai çoi lajm që nusen e tij ta kthejnë në shtëpinë e prindërve të saj në Shkodër.
Prindërit e Servetit ishin shumë të habitur, nuk besonin dhe fillimisht nuk e zbatuan urdhrin e djalit.
Por, ky kur erdhi në Ulqin e largoi nusen nga shtëpia.
Të gjithë ishin të mërzitur, ishte një gjë e papritur dhe e çuditshme.
Servetja ishte edhe shtatzënë.
Serveti shkoi prapë në det.
Babai dhe nëna e tij menduan dhe vendosën. Iu drejtuan kapidan Mustafë Dermanit. Ai lundronte deri në Skenderie.
Atje ai gjeti myderriz ef. Ismailin dhe iu drejtua atij për t’u ndihmuar komshinjve të tij në Kalanë e Ulqinit.
Myderriz ef. Ismaili mendoi dhe tha:

  • Atje larg, në vendin tuaj janë dy shtëpi, kanë një kapixhik ndërmjet shtëpive. Këtë duhet mbyllur. Në një pus afër detit janë të lidhura disa sende, ato duhet gjetur dhe tretur diku larg shtëpisë, në pyll.
    Nuses së re dikush nga shtëpia tjetër i ka bërë mëni.

Pas një muaji kapidan Mustafë Dermani u kthye në Ulqin.
E vizitoi shtëpinë e komshinjve.

Pjesa e dytë
Ishte furtunë e madhe, deti i trazuar, tallaset e mbulonin barkën.
Direku nganjëherë e prekte detin, njëri prej dy direkëve u thye, velat u grisën. Të gjithë detarët menduan se erdhi dita e fundit…
Kapidani dhe shokët e tij e shihnin vdekjen para syve.
Në një moment kapidani i dha urdhër Servetit që ta thërriste sallën për së gjalli.
Ata premtuan se në rast se e mbijetojnë këtë furtunë, kur të mbërrijnë në Ulqin do t’i falin Nutit Cakos tre napolona ar.
Por, Zoti i Madh veproi ndryshe, era dhe stuhia u ngadalësuan, barka ra në qetësi.
Në një moment, Serveti u zgjua i frikësuar duke menduar:

  • Çka ndodhi me mua, çka kam bërë unë, ku është tash e dashura ime?!
    Duke lundruar ngadalë u afrua një barkë greke.
    Këtij i ndihmuan për të mbërritur deri në Vlorë.
    Qëndruan disa ditë për t’i meremetuar rrënimet në barkë.
    Në Molin e Vlorës, Serveti e takoi kapidan Mustafë Dermanin dhe i dha dy porosi: te babai dhe nëna e tij, por edhe te Servetja në Shkodër: …Servetja ta priste në shtëpinë e tij në Kala.

Pjesa e tretë
Në Molin e Ulqinit, detarët të cilët përjetuan momente të vështira gjatë lundrimit i pritën familjarët e tyre dhe shumë të tjerë.
Nuti i Cakos ishte te Moli e Vogël, rrinte duke e pritur premtimin e detarëve.
Ata në fillim ia dhanë nga një napolon ari, por Nuti u tha:

  • E keni ba niet tre napolona!

Servetja e priti Servetin te dera e shtëpisë së tyre në Kalanë sipër.
Përpara nuk ka qenë adet të përqafohen publikisht, por ata iu hedhën njëri-tjetrit në grykë.
Filloi vaji i gëzimit.
Pas disa ditëve, mamia e Kalasë, Neçe Zyberi i ndihmoi në lindje.
Fituan djalë.

Vëllai me grua dhe familje, pas një kohe u shpërngulën dhe dolën në Shkodër.
Shumë kohë ka mbetur kapixhiku i mbyllur me gurë.

Pas tërmetit u rrënuan të dy shtëpitë e vjetra, por mbeti tregimi për dashurinë, si edhe vuajtjet e Servetit dhe Servetes në Kalanë e Ulqinit.
(Për këtë histori, inspirimin e mora nga tregimi i bashkëshortes time, Fitnete, e cila e kishte dëgjuar nga nënëmadhja e saj, June Resulbegu – Kapllanbegu).

(Nga libri “Në derë të oborrit”, 2017)

Të fundit

më të lexuarat