Tuz – Promovimi i të drejtave dhe rritja e ndërgjegjësimit për personat me Sindromën Down është qëllimi kryesor i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, e cila shënohet në botë çdo vit më 21 mars.
Kjo datë është zgjedhur pikërisht më 21 të muajit mars, për shkak se ajo simbolizon praninë e një kromozomi të shtuar në vargun e 21-të të kromozomeve, që konsiderohet si shkaku gjenetik i Sindromës Down.
Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down e shënoi në Tuz Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza”, ku stafi i edukatorëve, logopedëve e psikologëve përgatiti një punëtori për të përkrahur fëmijët me Sindromën Down.
Në lidhje me shënimin e kësaj dite dhe rëndësinë e saj, psikologia Tereza Sinishtaj thotë se motoja “Ec me këpucët e mia” përcjell mesazhin që “ne duhet të bëhemi më të ndjeshëm ndaj të gjitha ndryshimeve apo çrregullimeve të cilat i ndjekin fëmijët gjatë zhvillimit të tyre”.
“Gjithashtu çojmë porosi te të tjerët se ne mbështesim fëmijët e të gjitha kategorive, pavarësisht ndryshimeve që mund të kenë ata”, shprehet Sinishtaj.
Ajo më tej theksoi se në edukimin e hershëm të fëmijëve, kopshti luan një rol kyç dhe shumë të rëndësishëm.
“Qëndrimet dhe perceptimet tona formohen që në fëmijërinë e hershme. Prandaj, edhe kopshti është një pikënisje ku ne mund të bëjmë ndryshimin. Më pas, edhe institucionet e tjera edukative dhe sociale me radhë duhet të japin përkrahjen maksimale ndaj fëmijëve me probleme të zhvillimit të tyre”, u shpreh psikologia Tereza Sinishtaj.
Për të treguar rëndësinë e diversitetit në shoqëri dhe për të promovuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down organizata të ndryshme çdo vit anembanë globit organizojnë aktivitete dhe fushata sensibilizuese.
Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down për herë të parë është shënuar zyrtarisht më 21 mars 2012, pas miratimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, një vit më herët.
t. u.