
Javë më parë, Asllan Bisha më tregoi që do ta organizojë përurimin e librit të ri “ Ndodhitë e Ditit” më 19 maj, në Galerinë e Gazmend Çitakut.
Mendova se çka do të flas.
Menjëherë më pushtoi një befasi e këndshme, sepse u ndjeva i privilegjuar për një ftesë të tillë. Kjo është krejt e natyrshme, meqë dihet se autori është personalitet poliedrik me veprimtari të shumta dhe të larmishme, si në lëmin e prozës moderne shqiptare, ashtu edhe në ato shoqërore.
Kjo vepër të cilën e kemi në dorë, tregon se Asllani si erudit i madh që është, me pendën e tij vazhdon rrugëtimin nëpër letërsi shqiptare bashkohore.
Këto dukuri i vëzhgoi nga afër pothuaj një gjysmë shekulli pa ndërprerë.
Asllan Bisha edhe pse pinjoll i një familjeje nga afërsia e Liqenit të Shasit dhe Lumit Buna, u kyç të lundrojë në detin e pakufishëm, vjeli lëvdata të shumta për romanin “Nusja e Detarit”.
Njëherë kam thënë:
Ndodhjet te ky roman unë i vendosa në Kala, te Fusha e Qehajës, ku ishte Kishllahi i dikurshëm.
Ku nusja e detarit nëpër dritare të mëdha në buzë të bedenit qëndronte ditë e natë duke pritur burrin e saj…
Këto odise i reflekton autori nëpër veprat e shumta gjatë krijimtarisë.
Çdo herë kur shkruan për ngjarjet e dikurshme, ato janë të pajisura me imagjinatën e shkrimtarit, për ta bërë të paharrueshme jetën në tërë territorin e Komunës së Ulqinit, ku edhe shtrihet vendngjarja e tregimeve të autorit.
Asllan Bisha flet me pietet të lartë, me respekt të madh e mirënjohje duke mos kursyer në asnjë rast fjalët e bukura dhe lavdëruese.
Asllan Bisha flet edhe për ngjarje e data të cilat i ka përjetuar vetë dhe kanë lënë mbresa të thella në kujtimet e tij e në mbarë shoqërinë.
Demonstratat e vitit 1968 në Beograd dhe qytete tjera të Evropës, të cilat në vjeshtën e atij viti u reflektuan edhe në Kosovë.
Demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1981 patën jehonë dhe impakt të madh në ngjizjen dhe çuarjen përpara të çështjes nacionale të shqiptarëve në Jugosllavi, çka do të përshkruhet në rreshtat e romanit “Dashuria te palma”.
Ishte “në sy” të pushtetit të atëhershëm. Por, nuk e përuli kokën dhe doli fitues prej këtyre ngjarjeve duke ruajtur identitetin dhe të drejtat e kombit shqiptar.
Asllan Bisha punoi tërë jetën në shkollën fillore nën Kala. Shumë vite ka dhënë gjuhë dhe letërsi shqipe.
Në vitet para pensionit ishte i angazhuar në bibliotekën e shkollës.
Shoqërimi me Asllan Bishën filloi para dhjetë viteve.
Duke diskutuar për librin tim të radhës me Hajro Ulqinakun, na u bashkëngjit edhe Asllani.
Dhe kështu vazhdoi shoqërimi, diskutimet për librat tonë, konsultimet.
Gjthashtu isha edhe ndihmës për problemet shëndetësore të tij.
Asllan Bisha përveç që është bashkëbisedues i mirë, ai ka ditur të ruajnë shoqërinë.
Ka ditur ta çmojë edhe situatën aktuale në Ulqin, si edhe ruajtjen e bashkjetesës.
Leximi i veprave të Asllan Bishës të bë të lundrosh në kohë dekada pas dhe t’i shohësh të gjitha momentet dhe kohrat e kaluara dhe porositë që sjellin ato.
Në fund:
I uroj shëndet dhe libra të rinj!