Pjesa dërrmuese e popullatës në trevën e Malësisë si degë kryesore për të jetuar e kanë degën e bujqësisë. Ndër vite kjo trevë ka dhënë fermerë të mëdhenj dhe të suksesshëm, prodhimet e të cilëve vazhdojnë të cilësohen si shumë të njohura dhe me kualitet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Nga viti në vit kjo veprimtari është zhvilluar dhe avancuar dukshëm në të gjitha aspektet.
Sot në këtë sferë punohet me shumë përkushtim dhe mbi të gjitha me kushte (teknologji) bashkëkohore. Por, pavarësisht të gjitha këtyre, bujqësia mbetet një sferë jo shumë shpresëdhënëse.
Për fermerët e trevës së Malësisë në përgjithësi, ajo çfarë ka qenë një pengesë e madhe, është mungesa e tregut, pamundësia për t’i realizuar pritshmëritë e tyre në masën e duhur, që ta shesin prodhimin në treg. Një problem ky që për fat të keq trashëgohet nga viti në vit.
Sikurse çdo vit më parë, edhe ky vit për fermerët konsiderohet si vit delikat dhe i vështirë, dhe kjo, edhe për shkak të ndryshimeve klimatike globale.
Njëri ndër fermerët e mëdhenj dhe të suksesshëm në Malësi, Zef Dedvukaj në prononcimin për gazetën “Koha javore” shprehet se muaji mars dhe prill kanë qenë shumë të nxehtë, gjë që ka ndikuar negativisht në prodhimtarinë e tyre bujqësore.
“Megjithëse, i kemi përballuar të gjitha ato pengesa, prodhuesit janë përballuar tani me një problem tjetër, atë të shitjes. Ata po heqin shumë për t’i shitur prodhimet e tyre, edhe pse çmimet janë jashtëzakonisht të ulëta dhe si pasojë e kësaj, besoj se 50-60 për qind e bujqve, nuk do të ketë mundësi që të mbulojnë shpenzimet që kanë investuar në perimet e tyre gjatë pranverës”, shprehet Dedvukaj.
Ai tregon se, pavarësisht se një pjesë e madhe e të rinjve në Malësi që janë orientuar në prodhimtarinë bujqësore, një pjesë e konsiderueshme e tyre, shton ai, kanë marrë të holla hua për të investuar.
“E sot, me çfarë t’i kthejnë ato të holla?! Në këtë drejtim, e shoh shumë të vështirë situatën këtu në territorin e Malësisë dhe kam një frikë të brendshme se kjo rini, kur ta humbasë vullnetin e punës dhe të jetës këtu, ata do ta braktisin vendin. Atehërë, çfarë duam ne të moshuarit? Mbetet vendi sikurse ka mbetur në viset veriore të Malit të Zi. Me këtë situatë, është duke u zbrazur vendi dhe për këtë jam shumë i shqetësuar”, thekson fermeri, Zef Dedvukaj.
Ai shton se ndër shumë faktorë të cilët kanë çuar në këtë situatë të pavolitshme në sferën e bujqësisë, është edhe fakti se Mali i Zi, shprehet ai, po i lë prodhimet e tyre pas dore “për shkak se ata kanë më llogari që t’i marrin prodhimet nga vendet e ndryshme sesa nga ne”.
“Sepse Mali i Zi ka sjellë ligjin që të mos kenë përfitime prej nesh por të jenë çmimet e ulëta, kështu që kjo gjë ne na ka gjunjëzuar dhe na ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë”, tha Dedvukaj.
Ndërkohë, të ndodhur në një situatë të tillë, fermeri Dedvukaj shprehu besimin për ndonjë ndihmë eventuale nga Komuna e Tuzit dhe nga Ministria e Bujqësisë, të paktë n aq sa për të nxjerrë shpenzimet e investuara në prodhimtarinë e tyre.
“Kjo do të ishte në të mirë të mbarë vendin në përgjithësi, sepse në rast se vendi mbetet pa bujq e pa prodhim, atëherë është dëm i madh për vendin tonë”, tha Dedvukaj.
Në pyetjen tonë nëse ka pasur komunikim me Ministrinë e Bujqësisë për këtë çështje, ai shprehet se nga kontakti që kishte me ministrin e këtij dikasteri, ka pasur disa premtime për ndihmë, por deri më tani, asgjë konkrete.
t. u.