Lojërat autentike të aftësive fizike të Trieshit të moçme sa vetë jeta

Gjekë Gjonaj

Përmes lojërave të shkathtësive fizike, psikike dhe zhdërvjelltësisë individuale dhe grupore trieshianët përveç zbavitjes dhe argëtimit, stërviteshin (kaliteshin) për të mbrojtur shtëpinë, truallin, gjuhën, kulturën, flamurin dhe nderin e kombit. Kujtojmë se këto lojëra të Trieshit janë të moçme sa vetë jeta.

Rrëzimi i duarve
Kjo disiplinë zhvillohej në një tryezë të posaçme. Dy pjesëmarrës luajnë kundër njëri-tjetrit, prandaj gara zhvillohet në bazë të eliminimeve. Kjo lloj loje, siç mësojmë nga dokumentet e kohës, u luajt nga Skënderbeu kur u kthye në Krujë. Për këtë shkak në Rumani kjo disiplinë quhet “Loja Skënderbe”.

Ngjitja në lis-qarr
Qarri apo lisi preferohet të jetë i gjatë 8 metra i cili vendoset vertikalisht. Qëllimi është të preket maja e lisit për kohën më të shkurtër të mundshme, pa përdorë asnjë mjet ndihmës.

Tërheqja e litarit
Kjo lojë është mes ekipeve që përbëhen nga pesë e më shumë anëtarë. Litari është i trashë dhe rreth 12 metra i gjatë. Në mes gjendet flamuri. Ekipi që e tërheq litarin deri sa flamuri të jetë në anën e tyre shpallet fitues. Zakonisht, kjo garë zhvillohet mes dy fiseve, dy fshatrave apo dy familjeve.

Hedhja e gurit – peshës
Hedhja e gurit (me qitë peshë) është një lojë e cila po ashtu ka qenë shumë e popullarizuar në kohërat më të hershme. Për ta luajtur këtë lojë pak a shumë është dashur edhe fuqi ngase hedhja e gurit i cili nuk ka qenë edhe i vogël nuk është e lehtë, nga ana tjetër nëse ke ngelur mbrapa prapë nuk ka qenë gjë e mirë sepse aty e kanë kuptuar forcën e personit, kështu që të moshuarit thonë se jo gjithkush ka pasur kurajë të marrë pjesë në këtë lojë e cila më shumë është luajtur duke ruajtur bagëtitë, por edhe nëpër ahengje kur janë mbledhur farefisi. Sipas të moshuarve kjo lojë përveç fuqisë thuhet të ketë pasur edhe teknikat e veta.

Loja midis dy zjarreve
Kjo është një lojë që kërkon një top dhe luhet nga dy lojtarë që gjuajnë në të tjerët që janë midis tyre. Kur dikush goditet dhe topi bie në tokë, ai është jashtë loje, dhe nëse lojtari e kap topin, ai ndërron vendin me atë që gjuante dhe kështu me radhë përderisa është dikush “midis dy zjarreve”.

Kërcim për së gjati
Kërcimi për së gjati ishte një lloj gare për fëmijë dhe të rritur. Zhvillohej në ambiente të hapura, të rrafshët , në raste festash e garash popullore e shkollore. Caktohej një vijë (vendosja e fillestare e këmbëve). Kërcimi bëhej në dy mënyra, nga vendi dhe në hap. Kërcyesi që arrinte gjatësinë më të madhe shpallej fitues. Ishte mjaft i popullarizuar, kurse tani ka kaluar në histori.

Loja e bejlegut
Kjo ishte lojë force dhe ishte një lloj mundjeje popullore me rregulla fikse. Të rinjtë, kryesisht djem, kapeshin bel më bel me njëri-tjetrin dhe provonin ta hidhnin në tokë kundërshtarin..
Forma e mundjes ishte e dyllojshme. Duke u kapur krahëqafë me njëri-tjetrin ose duke u kapur për beli të njëri-tjetrit. Nuk ishte e lejuar stërkëmbësi dhe quhej hile apo faul. Kur kapeshin krahëqafë, duart shtrëngoheshin e mbërtheheshin fort dhe atëherë fillonte mundja. Edhe kur zgjidhej forma e kapjes bel më bel secili mundës duhej të kishte në bel një rrip apo një brez solid ku duhej ta kapte kundërshtari. Pra ishte një lloj xhudoje e kohës së sotme, por edhe këtu nuk lejohej stërkëmbësi siç lejohet në xhudo. Nëse të dy lojtarët rrëzohen në tokë duke mos arritur ta hedhin me shpatulla përtokë kundërshtarin, apo për të arritur ta mbanin poshtë tyre për një kohë të konsiderueshme, të paktën disa sekonda, quhej “gjelash” që do të thotë barazim, domethënë “kanë rënë gjelash”. Fitonte ai që kishte më shumë forcë e shkathtësi duke e rrëzuar me shpatulla përtokë kundërshtarin

Gjuajtje me llastiqe
Një llastik i lidhur në dy degët e një druri në formën e shkronjës Y shërbente si hark për të gjuajtur shigjetat, të cilat ishin zakonisht gurë të vegjël, që godisnin sende nga më të ndryshmet.

Loja me litar
Dy persona qëndronin në dy anët e një litari të cilin e tundnin me të njëjtin ritëm, ndërsa në mes, një ose më shumë persona kërcenin mbi litar, në varësi të gjatësisë së litarit.

Marrja e unazës nga stoli
Edhe për këtë lojë kërkohen aftësi dhe shkathtësi fizike. Lojtari më[ guximtar hip mbi stol, në të cilin qëndron me dy shuplakat e duarve, pastaj i mbështet këmbët për bërrylave , e lakon trupin përpara dhe ulet derisa të marrë unazën në tavan me gojë, kthehet dhe ngritët mbrapa në duar, pa e prekur stolin në këmbë. Lojtarët që e bëjnë këtë veprim ( provë) sipas rregulla që përmendëm janë fitues.

Prerja e arushës (harushës)
Mjaft interesante është edhe loja e prerjes së arushës, e cila po ashtu kërkon guxim , forcë fizike dhe kujdes të madh . Lojtarët më të zhdërvjelltë me radhë provojnë të hipin në një konop të lidhur në dy tra (kshanza) shtëpie. Secili prej lojtarëve qëndron mbi konop ndenjur këmbëkryq. Në atë pozicion mbështetet me një shkop në tokë dhe mbanë ekuilibrin (drejtpeshimin). Me njërën dorë mbahet për shkopit, kurse me dorën tjetër ngrehet për konopit dhe rrëshqet ngadalë përpara derisa afrohet të prekë në fasulet të vendosur diametralisht në anën tjetër të konopit në qosh ( skaj) të kundërt të shtëpisë. Ai i cili e kalon këtë provë me sukses e ka prerë arushën. Këtë lojë e kanë luajtur vetëm djemtë më sokola.
Këtu më sipër paraqita disa nga lojërat popullore që janë luajtur në Triesh ashtu siç unë i kam ditur, kujtuar dhe m’i kanë treguar të moshuarit. Në një pjesë të madhe prej tyre unë kam marrë pjesë dhe kam luajtur edhe vetë. Ka edhe mjaft lojëra të tjera tradicionale që unë nuk i kam paraqitur këtu, që nuk më janë kujtuar, ose nuk kam arritur t’i shënoj.
Gjithsesi mendoj se ia vlen një paraqitje sado e shkurtër të kësaj tradite, pasi ato mbushnin jetën shoqërore të Trieshit. Sigurisht, me kalimin e kohës ato e humbën vlerën e tyre dhe nuk u interesuan aq shumë për to njerëzit, pasi boshllëkun e kohës nuk kishin më nevojë ta mbushnin më pasi në vend të tyre u fut televizori, u futën lojëra të tjera të kohës së
Në një kohë të teknologjisë si kjo e ditëve të sodit, nuk po ndodhë shpesh të luhen lojëra popullore, e që në të kaluarën ato janë krijuar në mënyrë argëtimi. Tashmë të gjithë i ka përfshirë teknologjia, madje fëmijët harrojnë të dalin në lagje e të luajnë me shokë e shoqe. Pra, me kalimin e kohës, lojërat popullore argëtuese, në një mënyrë kanë ngelur vetëm në kujtimet e gjeneratave të vjetra.
Pavarësisht periudhës në të cilën jetojmë tash, traditat do të barten ndër gjenerata, kujtimet gjithashtu do të kalojnë nga njëra në gjeneratën tjetër, dhe ne e kemi për obligim që të ia përcjellim edhe pasardhësve tanë me qëllim që ata traditat t’i bartin ndër shekuj.

Të fundit

më të lexuarat