Liqeni i Zogajve – Gjoli

Hajro Ulqinaku

Mikrotoponim interesant është Porto ‘Milena’, siç e pati ripagëzuar knjazi i Malit të Zi, Nikolla.

Historiku
Liqeni quhej: Liqeni i Zogajve, pastaj Liqeni i Baltës, Gjoli.
Liqeni është thirrur shqip Gjoli. (Hajro Nimanbegu).

Ta kemi shpjegimin e plotë, t’i referohemi historianit kroat, kapiten i kapitanerisë së portit të Ulqinit, Dinko Franetoviqit – Bure.

Tharja e Liqenit të Zogajve dhe formimi i Portit të Gjeranave – “Milenës”

Inxh. Josip Slade, në shtator të vitit 1881, e ka bërë projektin për tharjen e Liqenit të Zogajve. Këshilli shtetëror në Cetinë, në vitin 1882 ka vendosur që, me shpenzime prej 10.000 forintash, të nisin punët për tharjen e Liqenit. Por punët nuk kanë nisur asnjëherë. Në vitin 1885, knjaz Nikolla, për të njëjtën punë, e ka pasë thirrur inxhinierin rus Vladimir Ivanoviq Varmanin. Varmani e ka punuar projektin dhe, prej Liqenit deri në det, te Punta e Gjeranave, në një vijë të thyer zigzage, e ka hapur një kanal të gjatë 4,5 km, me anën e të cilit uji ka dalë (ka rrjedhur në det). Pas kryerjes së punimeve, niveli i sipërfaqes së ujit ka rënë, dhe ashtu është tharë një kompleks i madh i një toke pune në Fushën e Ulqinit. Varmani, me të përfunduar të punimeve, ka këshilluar që kanalin nuk është mirë të thellohet edhe më shumë, shkaku i rrezikut të depërtimit të ujit të njelmët të detit. Shkaku i mbushjes me lym të kanalit, është dashur të pastrohet çdo tre ose katër vjet. Pastrimi i parë është bërë në vitin 1888, nën drejtimin e vojvoda S. Popoviqit, sunduesit të Bregdetit. Në verë të vitit 1896 është bërë pastrimi i kanalit nën udhëheqjen e inxhinierit Marko Gjukanoviq. Mirëpo, Gjukanoviqi e ka bërë gabimin të cilin Varmani e ka parashikuar dhe ka dashur ta parapengojë: e ka pastruar kanalin, e ka drejtuar në një drejtim dhe e ka thelluar dhe më. Pas një kohe të shkurtër uji ka depërtuar nga deti në Fushën e Ulqinit dhe i ka shkaktuar dëmin e paparaparë tokës punuese, që më pastaj kurrë më nuk ka mund të kthehet bujqësisë.
Në fillim të nëntorit të vitit 1896, në zonën e derdhjes së lumit të Drinit dhe të Liqenit të Shkodrës, kanë rënë shira të mëdha. Shkaku i fryrjes së befasishme të lumit të Drinit, niveli i ujit në lumin e Bunës dhe të Liqenit të Shkodrës është ngritur shumë, prandaj uji është derdhur jashtë brigjeve të Bunës te katundi Shëngjergj dhe Rrcok (Paratuk, Mëhalla). Uji, me shpejtësi të madhe, ka rrjedhur nëpër Liqenin e Zogajve, dhe nëpër kanalin e hapur ka rrjedhur drejt detit, duke e zgjeruar në atë mënyrë vijën dhe duke qitur në detin Adriatik shumë tokë e lym. Shkaku i këtij erozioni të madh, është formuar porti Gjerana më pastaj i mbiquajtur “Knjeginja Milena”, më shkurt “Milena”.
Pas përmbytjes së vitit 1896, porti “Milena” me gjithë kanal ka qenë i gjatë 2,5 km, i gjerë 150-200 m, i thellë në hyrje 3–5, në mes 6-7, ndërsa kah brendia edhe deri 10 m.
Pak kohë pas vërshimit, kapiteni Sulejman Bullari prej Ulqinit, nga lundrimi prej Herceg-Novit deri në Durrës, me trabakullën e vet “Huda Verdi” është gastuar në Puntën e Gjeranave, që të shihte sa është thellësia në grykën e kanalit për në Liqe të Zogajve. Ka hyrë me kaik në kanal dhe, duke e matur thellësinë me anën e rremit, ka konstatuar se vërshimi e ka thelluar vijën. Pastaj ka hyrë në kanal me trabakullë dhe është ndalur në spiranca. Pas tij ka hyrë edhe kapiteni Jusuf Hoti me trabakullën e tij. Bullari, e ka lajmëruar Kapitanerinë e limanit në Ulqin për thellësinë e konstatuar në hyrje të kanalit. Sipas kallëzimeve, që edhe sot mund të dëgjohen, ky, knjazit Nikolla në Cetinë, i ka dërguar telegram me përmbajtje si në vijim: “In porto di Gospodari arrivato primo capitano Bulari”. Kapiteni Bullari, pra, ka qenë i pari që e ka zbuluar portin e ri. Për detarët ulqinakë kjo ka qenë një ngjarje me shumë rëndësi, meqë me këtë është dyfishuar siguria e barkave të tyre, sidomos për faktin se me atë liman të ri varej edhe ekzistenca e tyre si detarë. Kapitaneria e limanit në Ranë, në fillim të vitit 1897 e ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme në Cetinë për portin e ri të krijuar dhe për përparësitë e tij për barkat me vela ulqinake. Në raport shkruan se si vitin e kaluar uji e ka zgjeruar kanalin, ashtu që barkat me vela të Ulqinit, pas Kepit të Gjeranave, tash kanë një vendstrehim të sigurt. Në atë kohë, në hyrje, gjerësia ka qenë 40, ndërsa thellësia 3 deri 5 m. Tutje, në raportin e Kapitanerisë përmendet se në verë do të jetë e mundshme të konstatohet se a do të qëndrojë thellësia e përmendur dhe, nëse do të jetë ashtu, atëherë duhet ndërmarrë diçka që të sigurohet gryka të mos mbyllet me rërë. Ky port, për Ulqin ka domethënie të madhe, meqë detarët ulqinakë kanë qenë të detyruar të kërkojnë strehim në Bunë. Nën atë shkresë është shtuar: “Ministria do të dërgojë inxhinierin që të vërtetojë se çka mund të bëhet”. Kjo informatë, e vërteta, është lajmi i parë për formimin e portit të Gjeranave, njoftim të cilin kemi mundur ta gjejmë. Kapitaneria e limaneve në Ranë ishte e mendimit që, për rregullimin e portit pas Kepit të Gjeranave, më parë do të duhej të formohej një komision prej detarëve, dhe për këtë dërgon një raport më 14.III.1897 Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky është raporti i parë për rregullimin e hyrjes në portin e Gjeranave. Në vitin 1897, marina luftarake austro-hungareze, me kanonierin e vet Kerka, ka bërë matje bregut të detit malazez dhe me atë rast e ka bërë planin e parë për portin e Gjeranave. Nga një kopje i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Cetinë dhe vojvodës Simo Popoviqi, administratorit të Bregdetit dhe Ulqinit. Kah fundi i vitit 1897, Kapitaneria e limaneve në Ranë ka pas caktuar një nëpunës të moshuar, si ushtrues të detyrës për shërbime limanore në portin e ri të Gjeranave, i cili njëkohësisht ka qenë i aftë për pilotim të barkave. Duke pasur parasysh se gryka në port ende nuk ishte i shënuar, anijet kanë qenë të detyruara që të pilotohen. Pak kohë më përpara, në grykë ka qenë thyer një trabakull turke e ngarkuar me drithë.
Kah fundi i vitit 1897 dhe në fillim të vitit 1898, porti i ri është përuruar solemnisht. Detarët e pranishëm, njëzëri kanë propozuar që ai të quhet porti i princeshës Milena, gjë që edhe është aprovuar. Sipas kallëzimeve në Ulqin, me atë rast knjaz Nikolla e ka dekoruar kapitenin Bullari, meqë i pari e ka zbuluar limanin e ri. Kapitaneria e limaneve në Ranë, nga Drejtoria e detarisë në Cetinë ka kërkuar për këtë port të ri një kaik 6 m të gjatë. “Glas crnogorca” i datës 3.IV.1899, se që nga koha e atij vërshimit të madh në vitin 1896, Liqenin e Zogajve e lidh një vijë e gjerë me një gji të vogël në anën kah deti, i cili, duke pasur parasysh një të ardhme më të mirë të këtij limani, u quajt “Knjeginja Milena”.
(Dinko Franetoviq – Bure: Historija pomorstva i ribarstva Crne Gore (1880-1918), Titograd, 1960).

Vitet pas LDB
Përpara kanë thanë:

  • Me marrë peshk.
  • Me shku me marrë peshk, pra: jo me gjue (peshkue).
  • Pa shkojmë n’ Port t’ Gjeranave (Partamilenë) me marrë peshk.
    (Kështu më ka shpjeguar i ndjeri Xhemajl Fici, kur ishte 80-vjeçar, para një çerek shekulli).
    Lemo Fici – Himçja (1938), më ka pasë treguar: – Kemi pasur tratka qefulli, kemi gjuajtur vjeshtës, në Zall. Kemi pasur tratkë Portomilene, është dashtë të jetë me ërrmuq – thes të madh, të gjatë, 100 metrash. Ka ndodhur që peshkatarët, me tratkë Zalli, të zënë vetëm 10 kg peshk, ndërsa ne – në Potomilenë, 150 kg peshk. Kemi pasë tratkë për hame. Rrjeta i ka pasur sytë më të mëdhenj. Tratkat, rrjetat i kemi blerë nëpër Dalmacie, por i kanë qepë edhe vet axha e baba. Kanë qenë mjeshtër për thurje dhe arnim të rrjetave. Flluga e parë e ka pasë emrin “Lastavica”, sepse ka qenë e lehtë, e bukur dhe e shpejtë. Pastaj e ka marrë numrin Ul. 9. Unë, thotë Lemi, kam punuar më vonë me te, me turistë. Shton me keqardhje: Në vitin 1979, një ditë ka bërë një shirok i madh dhe, në Portomilenë – është thyer. Atëherë unë kam shkuar në Amerikë…
    Kur është mbushur flluga me peshk – tratka është netue në kiç (ku rri gjithmonë) dhe janë kthyer mbrapa, (e kanë kryer peshkimin). Kanë dalë te Gurët e Partamilenës, aty është qitur tratka, për të mbrëmën herë, pa u shkelur plumbi – për m’u la tratka nga balta e Partamilenës. (Ruzhdi Alibegu).
    Në fund:
    Liqeni quhej: Liqeni i Zogajve, pastaj Liqeni i Baltës, Gjoli.
    Kur u hap gryka, që e lidhi liqenin me det, u quajt Kanali.
    Ngase hynë mjetet e lundrimit, strehoheshin aty, shërbeu si port, u quajt Port, Porti i Gjeranave.
    Atëherë u ripagëzua: ‘Knjeginja Milena’ ose shkurt ‘Milena’.
    ‘Porto Milena’, i ka mbetur zyrtarisht.

Të fundit

më të lexuarat