Plavë – Kohë më parë është bërë studimi i mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës, për çka janë ndarë rreth 250 mijë euro, kurse vlera parallogaritëse e punimeve të parapara kapë shumën prej afro 16 milionë euro, për çka Komuna e Plavës nuk ka mjete, andaj i nevojitet ndihma adekuate e institucioneve shtetërore, bëjnë me dije kompetentët e administratës lokale.
Opinioni i ekspertëve relevantë tani ca vite me radhë konfirmon se për shkak të një serë ndikimesh negative dhe dëmshme është sjellë në pyetje ekzistimi i mëtejmë i Liqenit të Plavës – njërit ndër liqenet më të mëdhenj në Mal të Zi, të cilin gjatë vitit e vizitojnë me mijëra turistë të jashtëm dhe të vendit.
Mbi këtë çështje vërtetë të rëndësishme dhe mbresëlënëse është folur e debatuar në mënyrë koncize e konstruktive edhe në Konferencën shkencore ndërkombëtare të mbajtur kohë më parë në Plavë me emërtimin “Mbrojtja e natyrës dhe mjedisit jetësor, gjendja, rëndësia dhe perspektivat”. Në takimin në fjalë është konstatuar se nuk është mirë që po vonohet me intervenimin e mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës, andaj kjo çështje në periudhën e ardhshme kohore duhet trajtuar e shtjelluar më me seriozitet e vendosmëri.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, me apel u është drejtuar institucioneve relevante shtetërore që i kushtojnë më shumë kujdes mbrojtjes së resurseve natyrore të Plavës me rrethinë, ndër të cilët prioritet ka Liqeni i Plavës.
“Duhet të propozohen zgjidhje profesionale dhe t’u dërgohet apel publik institucioneve përkatëse për zgjidhje të gjendjes vërtetë të rëndë të Liqenit të Plavës, i cili paraqet perlë (xhevahir) të natyrës. Thjeshtë, Liqeni duhet ruajtur e mbrojtur nga zhdukja që po i kërcënohet. Duhet ditur se gjendja e mjerueshme e Liqenit të Plavës është problem, jo vetëm i Komunës së Plavës, por i tërë Malit të Zi”, ka theksuar kryetari Canoviq dhe në vazhdim ka shtuar “Ne në Komunën e Plavës duhet të jemi të sinqertë dhe të themi që s’kemi as kapacitet financiar, as profesional, e as çfarëdo tjetër, që të zgjidhim këtë problem. Për këtë presim nga të gjitha organet relevante shtetërore dhe institucionet që përfundimisht t’i qasen zgjidhjes së këtij problemi sa më parë”.
Në mbrojtjen e Liqenit të Plavës po vonohet, edhe përkundër njohjes se ai duke përfshirë sipërfaqen prej rreth dy kilometrash katrorë dhe duke u shtrirë në lartësi mbidetare prej rreth 900 metrash, numërohet në njërin prej liqeneve më të bukur në Ballkan.
Në administratën lokale përkujtojnë se është bërë studimi në bazë të të cilit do të duhet të fillojë procesi i ruajtjes së të gjitha vlerave të cilat Liqeni i Plavës i bart në vete.
Është bërë studimi i mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës, për çka janë ndarë rreth 250 mijë euro. Studimi në fjalë ka dhënë direktivat kryesore se cilat janë ato probleme për shkak të së cilave vihet deri te zvogëlimi i sipërfaqes dhe i thellësisë së Liqenit të Plavës, në çfarë mënyrë sa më të mirë duhet zgjidhur atë problem dhe sa do të kushtojnë shpenzimet e punëve të parapara, kanë theksuar kompetentët e administratës lokale, duke përkujtuar se vlera parallogaritëse e punëve në mbrojtjen dhe rivitalizimin e Liqenit të Plavës kapë shumën prej rreth 16 milionë euro.
Ekspertët relevantë tregojnë se Liqeni i Plavës po zvogëlohet nga shumë shkaqe, së pari për shkak të pendës (digës) që vjen nga lumenjtë Luça dhe Grnçari, pastaj për shkak të çështjes së pa rregulluar të kanalizimit në vendbanimet për rreth Liqenit të Plavës, por edhe për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të njerëzve të cilët me veprimet e veta ndikojnë që liqeni të zvogëlohet. Në administratën lokale theksojnë se ekziston zgjidhja që ndikimet e përmendura negative të eliminohen.
“Punët e parapara me studim mbi mbrojtje dhe rivitalizim nënkuptojnë që të vendosen pengesa në lumenj të cilat do të ndalonin që lymi nga ata të vjen në Liqenin e Plavës. Punët po ashtu do të nënkuptonin edhe zhvendosjen e lymit ekzistues i cili në sasi të jashtëzakonshme është i fundërruar në liqe. Lymi në fjalë do të mund të shfrytëzohet për kryerjen e punëve ndërtimore, por edhe për formimin e tokave bujqësore, për çka ekspertiza e profesionistëve duhet të jep fjalën e fundit. Gjithashtu me rastin e rregullimit të Liqenit të Plavës, duhet të zgjidhet edhe çështja e ‘shavarit’, i cili aty gjendet, por edhe të gjitha çështjet tjera të cilat kanë ndikime negative”, thuhet në informatën për media të kompetentëve të administratës lokale.
Shaban Hasangjekaj