Liqeni i Plavës është i rrezikuar, para për mbrojtjen e tij nuk ka

Plavë – Për sanimin dhe mbrojtjen e Liqenit të Plavës – liqenit më të madh glacial (të akullnajave) dhe ndër më të bukurit në Ballkan, nga ndikimet negative të cilat e rrezikojnë ekzistencën e tij janë të nevojshme 16 milionë euro, por para të tilla nuk ka.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq ka bërë me dije se prej hartimit të studimit në këtë drejtim nuk është vajtur larg.
“Studimi është konceptuar, por prej atëherë nuk ka ndodhur asgjë esenciale”, ka thënë shkurt kryetari Canoviq.
Përveç paralajmërimit individual të banorëve të Plavës se liqeni është i rrezikuar dhe se i kanoset zhdukja, për herë të parë para ca vitesh janë deklaruar përfaqësuesit e OJQ “Ta ruajmë Liqenin e Visitorrit dhe Liqenin e Plavës”.
Ata mbi faktin se liqenet në fjalë po shuhen dhe se duhet shpëtuar, i kanë dërguar apel Qeverisë së atëhershme të Malit të Zi, por edhe ambasadave të huaja në Mal të Zi.
Sot ekspertët e shumtë eminentë tregojnë se për shkak të një sërë ndikimesh negative dhe të dëmshme është në pyetje ekzistenca e mëtejme e Liqenit të Plavës. Sipërfaqja dhe thellësia e liqenit po zvogëlohen prej vitit në vit dhe vlerësohet se vetëm për disa dekada ai plotësisht mund të zhduket, gjegjësisht të shndërrohet në moçal nëse nuk fillohet veprimi i procesit të mbrojtjes së tij. Të gjitha ato ndodhin edhe pse Liqeni i Plavës duke iu falënderuar sipërfaqes prej rreth dy kilometrash katror dhe duke u shtrirë në lartësinë mbidetare prej rreth 900 metrash, radhitet në një prej liqeneve më bukur në Ballkan.
Pas paralajmërimeve të sipërcekura, administrata lokale dhe shteti kanë porositur hartimin e studimit për sanimin dhe mbrojtjen e tij, të cilin e kanë koncipuar ekspertët më të njohur nga Beogradi. Studimi ka dhënë direktivat kryesore se cilët janë problemet prej të cilëve vjen deri te zvogëlimi i sipërfaqes dhe thellësisë së Liqenit të Plavës, në çfarë mënyre të zgjidhet ai problem, dhe kanë paraparë se është nevoja të sigurohen 16 milionë euro.
Liqeni i Plavës si liqeni më i madh glacial (i akullnajave) në Ballkan, gjendet në verilindje të Malit të Zi. Ai është vendbanimi i llojeve të rralla të bimëve dhe shtazëve. Në formën (pamjen) e sotme ai paraqet rudiment gjeolimnologjik të liqenit të thellë dhe të madh glacial i cili dikur është shtrirë në drejtimin jugperëndim-verilindje. Liqeni është krijuar me shkrirjen e akullnajës në koritën e Plavë-Gucisë në fillim të periudhës e cila përcaktohet me emërtimin “Halocen”.
Gjatë etapës së glacialitetit Wurnial, mbulesa e akullt në Bjeshkët e Nemuna ka përfshirë hapësirën prej rreth 250 kilometrash katror.
Shkenca ka vërtetuar se akullnajat më të mëdha prej të ashtuquajturave cirqe në anën veriore dhe veriperëndimore të bjeshkës, janë lëshuar në luginën e lumenjve: Vermosh, Gërnçar dhe Vrujë. Në zgjerimin në afërsi të Gucisë, akullnajat janë bashkuar, kurse më tutje masa e akullit e trashësisë edhe deri 200 metra, ka lëvizë luginës së Lumit Luça. Kjo akullnajë e gjatë 35 kilometra, ka përfunduar në vendin ku sot është Liqeni i Plavës.
“Natyra dhe njerëzit e bëjnë të vetën. Sipas Jovan Cvijiqit, në fillim të shekullit të kaluar, përkatësisht në vitin 1913, Liqeni i Plavës ka pasur sipërfaqen prej gati 5.5 kilometrash katror, që është gati tri herë më shumë se sot. Sasitë më të mëdha të aluvioneve (dheut dhe rërës) dhe të ashtuquajturave nutrijenate në liqe arrijnë nëpër Lumin Luça, ndërsa sasira të caktuara shtyten nga pellgu (derdhja) e drejtpërdrejtë, ka sqaruar më parë kryetari i Shoqatës “Ta ruajmë Liqenin e Visitorrit dhe atë të Plavës”, Jugosllav Shekullarac.
Sipas matjeve të cilat në vitin 2009 i ka bërë Enti Hidrometrologjik i Malit të Zi, sipërfaqja e Liqenit të Plavës atëherë ka qenë 179.5 hektarë, kurse në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar ka qenë 199 hektarë.
“E dhëna dëshmon se në dyzet vitet e fundit sipërfaqja e të ashtuquajturës pasqyrëz ujore e Liqenit të Plavës është zvogëluar për afro 10%. Në atë periudhë të shkurtër, për 70% është zvogëluar edhe vëllimi i liqenit dhe tani në vend të 7.7 milionë metra kub ujë, ka 6.3 milionë metra kub ujë”, kanë bërë me dije nga shoqata e lartpërmendur.
Pa marrë parasysh këto procese, në Liqenin e Plavës edhe më tutje është i pranishëm numër i madh i bimëve endemike endemoreklinike, si dhe i atyre relikte (të rralla), mjekuese dhe të tjera. “Prej 42 llojeve të amfibëve, nëntë janë endemike”, kanë vërtetuar ekspertët eminentë.
Në ca dokumente më herët është shënuar se përveç pjesës së Bjeshkëve të Nemuna, e cila ka fituar mbrojtjen formale me shpallje Park Nacional në territorin e Komunës së Plavës, janë të njohura edhe lokalitetet për mbrojtjen e biodiversitetit. Aty bëjnë pjesë Lugina e Limit dhe Bjeshka Visitorri, të cilat janë të shënuara si të ashtuquajtura vendbanime “Emerald”, sipas kritereve të Konventës së Bernit, e me këtë prezantohen edhe lokalitetet Nature 2000, rrjetat ekologjike me rëndësi për ruajtjen e biodiversitetit në nivel të Bashkimit Evropian.
Masivi Bjeshkët e Nemuna dhe Liqeni i Plavës, po ashtu janë të njohura edhe si vendbanime të rëndësishme për shpendë përkatës – IBA zona. Pjesa bjeshkore si fole (strofulla) për më se 43 % të ornitofaunës së tërësishme në Mal të Zi, që e bën vendbanimin më të rëndësishëm të shpendëve (zogjve) në pjesën kontinentale të Malit të Zi. Vetëm Liqeni i Plavës si fole vendstrehues i shpendit moçalik të llojit të rrezikuar “pordhaç” (Crex crex).
Të gjithë pajtohen se është i nevojshëm revitalizimi i shpejtë dhe mbrojtja e Liqenit të Plavës nga zhdukja. Me miliona euro të domosdoshme për këtë destinim, shpresojnë nga fondet investuese në kuadër të Malit të Zi të kapitullit mjaft kompleks, që i përket mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat