Ardhja e stinës së pranverës, përkatësisht rritja e temperaturave, sjell me vete edhe disa alegji pranverore të pakëndshme. Këto alergji kanë të bëjnë me sistemin imunitar dhe si të tilla janë një rrezik eventual për secilin.
Për të folur më gjerësisht për alegjitë e stinës së pranverës bashkëbiseduam me z. Argëzon Sulejmani, specializant i pediatrisë me neonatologji në QKUK – Kosovë dhe në Spitalin e Tivarit – Mali i Zi, i cili tregon se kush preket nga këto alegji, shkaqet dhe simpomat, ndërsa jep edhe rekomandime se si t’u “shpëtojmë” këtyre alergjive.
“Në masë të madhe prekja nga alergjitë varet nga prirja gjenetike, kurse më pas edhe nga kushtet klimatike dhe gjendja specifike e organizmit. Janë të prekshme të gjitha moshat, por më së tepërmi evidentohen te moshat aktive (fëmijët, të rinjtë, moshat e mesme), sepse reaksionit imunologjik, fillimisht i paraprinë kontakti fizik. Rrezik më të shtuar, veç kësaj, paraqesin personat me sëmundje të caktuara kronike ose sëmundje imunoatakuese, sepse te këta pacientë sistemi imunitar është i cënuar dhe në këtë mënyrë i çrregulluar”, shprehet Sulejmani.
Ndërkaq, duke folur për shkaqet e prekjes nga alergjitë dhe nëse të gjithë të prekurit kanë simptomatologji të njëjtë, Sulejmani shpjegon se reaksioni alergjik është një dyluftim mes organizmit dhe një materjeje të jashtme.
“Materjet e jashtme në planin imunologjik atakojnë përmes njësive që ne i emërtojmë si antigjene. Organizmi ynë në të njëjtën kohë reagon për vetëmbrojtje përmes disa njësive proteinike që njihen si antitrupa. Reaksioni i tejshtuar antitrup – antigjen shfaq reaksione organike që në masë njihen si reaksione alergjike apo thjesht alergji. Nga mekanizmi i shënuar shihet qartë se deri te një reaksion i tillë do të vijë nëse sasia e alergjenëve është tejet e madhe ose në rastin kur sulmi i antitrupave është pakontrollueshëm i madh”, thotë Sulejmani.
Kur bëhet fjalë për procesin se si ndodhin alergjitë stinore, Sulejmani thotë se kemi të bëjmë me organizma që kanë prirje dhe dispozita të mbireagojnë ndaj alergjenëve që vinë në kontakt me organizmin nga bota e jashtme.
“Në rastet më të lehta atakohen vetëm organet primare kryesisht të traktit të sipërm respirator (hunda, fyti), kurse me avancimet e mundshme edhe pjesa e poshtme respiratore (trakea, bronket, bronkiolet) dhe që në këto raste, varësisht prej simptomave, mund të paraqiten edhe gjendje komplikimesh me bronkite apo ataqe astmatike”, thekson ai.
Te alergjitë e pranverës, thotë ai, mikrogrimcat që njihen si polene hapërdahen për shkak të kohës dhe klimës gjetiu nëpër natyrën stinore. Këto mikrogrimca në aspektin alergo-imunologjik krijojnë formacione alergjene që prezantohen përmes njësive të njohura si antigjene. Kontakti i tejshtuar i organizmit tonë përmes antitrupave do të shkaktonte reaksione alergjike, përkatësisht simptoma alergjike.
Sipas Sulejmanit, njësi alergjene kanë mikrogrimcat e barishteve dhe luleve të shumëta që çelin në pranverë dhe kjo shumësi e tyre e shton ose e shpërfaqë edhe më shumë problemin e alergjive te njerëzit me prirje të tilla.
“Simptomat e alergjive pranverore dominohen nga reaksionet e portave hyrëse të alergjenëve, respektivisht syve, hundës, fytit. Dominojnë kruarja, skuqja dhe sekrecionet e syve; kruarja, skuqja dhe sekrecionet hundës; tështima, pengesat faringeale etj. Evitimi i zonave dhe ambienteve që përmbajnë sasi të madhe të këtyre mikroorganizmave është një mënyrë e parë mbrojtëse. Pastaj evitimi i kohës kur këto alergjenë gufojnë, e që është mëngjesi, koha me thatësi të shtuar ose erëra, është një mënyrë tjetër konvencionale”, thotë doktor Argëzon Sulejmani.
Përkujdesja ndaj portave hyrëse në kuptimin e higjienës, hidratimit dhe përforcimit mukozal, thotë ai, është një tjetër masë që duhet marrë.
Ndërsa, siç shpjegon, në aspektin imunofarmaceutik përdorim të madh gjejnë barnat simptomatik antihistaminik (histamina është mediator që lirohet pas kontaktit antigjen – antitrup dhe nxitë reaksionet që sjellin deri te simptomat që më pas bëhen evidente). Barnat e tjera steroide, imunomodulatore si dhe profilaksa me vaksinë janë mënyra që gjejnë përdorim më të rrallë dhe ordinohen në raste të caktuara nga specialisti imunolog.
I pyetur se çfarë rekomandimi jep për të gjithë ata që vuajnë nga alergjitë e stinës së pranverës, çfarë duhet të bëjnë dhe si t’i shmangen kontaktit me alergjitë, Sulejami radhit një sërë këshillash: “Në radhë të parë është i rëndësishëm evidentimi i alergjisë si reaksion dhe përcaktimi sa më i saktë i alergjenëve që e nxisin atë. Pas kësaj i rëndësisë së madhe është evitimi i kontaktit me këta alergjenë gjatë kohës kur, për shkak të klimës ose stinës, këta alergjenë gufojnë. Përtej këtyre masave, është e rëndësishme përkujdesja me masa mbrojtëse e portave hyrëse të alergjenëve: maskat për hundë dhe gojë, syzet, mbrojtëset e tjera që do të mund të shmangnin ose zvogëlonin stacionimin e mikrobotës alergjike në afërsi të personit me alergji pranverore, shprehet ai.
Për të, higjiena dhe hidratimi i shpeshtë i këtyre portave hyrëse do të mund të ishte masa e tretë shtëpiake që do duhej të merrej parasysh. “Bëhet fjalë për solucione për sy, hundë dhe fyt që ndihmojnë procesimin normal të ataqeve të mundshme. Meqenëse bëhet fjalë për sistemin imunitar, s’do mend që përkujdesja gjenerale ndaj shëndetit, nisur nga ushqimi i shëndetshëm, hidratimi, bioritmi i rregullt dhe stili i jetesës luan një rol determinues edhe në këto raste”, thotë Sulejmani.
Dhe në fund, duke qenë se shpeshherë ne dimë të “fajësojmë” natyrën dhe stinët për atakimin e organizmave njerëzor, Sulejmani shpjegon se “ajo ajo që duhet ta cekim gjithnjë, si edhe në këtë rast, është që nuk kanë ndryshuar stinët aq sa ka ndryshuar dhe po ndryshon përditë njeriu i stinëve”.
t. u.