Podgoricë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, qëndroi për vizitë zyrtare treditore në Mal të Zi më 9-11 shkurt 2025, ku zhvilloi një sërë takimesh të planifikuara sipas programit të protokollit.
Presidenti Begaj, të hënën, më 10 shkurt 2025, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj u prit në Vila Gorica nga homologu i tij malazez, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq dhe Zonja e Parë, Millena Millatoviq me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.
Dy presidentët, pas ceremonisë së pritjes zyrtare dhe prezantimit të delegacioneve të dy shteteve, zhvilluan takim kokë më kokë në sallën presidenciale.
Në konferencën e përbashkët për media presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq tha se mirëpritja me kënaqësi të madhe e presidentit Begaj në Mal të Zi është edhe një herë konfirmim i marrëdhënieve vërtet të afërta dhe miqësore mes dy shteteve.
“Marrëdhëniet tona gjithëpërfshirëse ndërshtetërore janë në nivel të lartë dhe janë të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë, miqësisë dhe bashkëpunimit. Jemi të përkushtuar ndaj qëllimeve që i bashkëndajmë, zhvillimit dhe avancimit të të gjithë rajonit dhe perspektivës tonë evropiane dhe aleancës kredibile në kuadër të Aleancës së NATO-s. Para Malit të Zi dhe Shqipërisë është një rrugë sfiduese sa i përket integrimeve evropiane dhe kjo është një ndër qëllimet e përbashkëta më të rëndësishme”, u shpreh Millatoviq.
Ai tha se me Presidentin Begaj biseduan për tematika të shumta në domenin e marrëdhënieve të tyre bilaterale.
“E rëndësishme është të theksohet se marrëdhëniet në kuptimin politik janë vlerësuar si të shkëlqyeshme dhe mendoj se në periudhën në vazhdim, duhet të fokusohemi tek zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike dhe këtu para së gjithash mendoj në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, me rëndësi për Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke përfshirë edhe autostradën Adriatiko-Joniane”, u shpreh Millatoviq.
Presidenti konsideroi se mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e treta me radhë, do të ishte një lajm shumë i mirë për Malin e Zi dhe Shqipërinë duke theksuar se në mbledhjet e kaluara të qeverisë kanë nënshkruar edhe projektin për ndërtimin e urës në Lumin Buna.
“Dhe në fund, ndërtimi i kësaj ure do të jetë simbol i miqësisë së popujve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjithashtu konsideroj se është e rëndësishme të nënshkruhet edhe marrëveshja mbi kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe kam shprehur besimin se pala shqiptare në periudhën e ardhshme do të punojë më intensivisht në parandalimin e lëshimit të herëpashershëm të ujërave të zeza në Lumin Buna, për ç’gjë është pajtuar natyrisht edhe presidenti i Shqipërisë”, tha Millatoviq.
Ai më tej theksoi edhe rëndësinë e komuniteteve të pakicave, si të shqiptarëve në Mal të Zi, ashtu edhe të malazezeve në Shqipëri, duke i konsideruar ato si një urë natyrore të lidhjes ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Millatoviq tha se në periudhën në vazhdim, dy vendet duhet të fuqizojnë partneritetin, të fuqizojnë më tej bashkëpunimin ekonomik, të rrisin shkëmbimet tregtare që aktualisht janë në nivelin afërisht të 120 milionë eurove dhe të rrisin shkëmbimin turistik i cili viteve të kaluara ka një trend rritjeje.
“Dhe jam i sigurt se në periudhën e ardhshme, edhe Shqipëria edhe Mali i Zi me këto përpjekje dhe masa të përbashkëta, mund të punojnë dukshëm më shumë në benefite të ekonomive të të dyja vendeve dhe natyrisht e gjithë kjo, edhe në kontekst të anëtarësimit tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”, u shpreh Millatoviq.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj e falënderoi nga zemra presidentin Millatoviq për ftesën dhe mikpritjen duke thënë se zhvilluan një takim të suksesshëm me diskutime të frytshme, jo vetëm për frymën e bashkëpunimit dhe pajtimin për çështje të bashkëpunimit dypalësh, por edhe në kuadër të nismave integruese rajonale dhe ato evropiane.
“Sot së bashku me presidentin diskutuam për dialogun dypalësh, se të dyja vendet dhe popujt tanë kanë shumë të përbashkëta. Ne ndajmë jo vetëm të kaluarën e të tashmen e fqinjësisë ballkanike, por edhe të ardhmen tonë evropiane dhe vlerat euro-atlantike. Shqipëria vlerëson maksimalisht marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore me Malin e Zi në dimensionin dypalësh dhe atë rajonal”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai tha se dy vendet ndodhen në një fazë të re të marrëdhënieve të forcuara midis tyre, jo vetëm si vende fqinje e mike me lidhje shqiptarët e Malit të Zi dhe komunitetin malazez në Shqipëri, por edhe si vende anëtare në NATO dhe dy vende që negociojnë intensivisht për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Ne sot dakordësuam t’i inkurajojmë qeveritë e vendeve tona për më shumë projekte të përbashkëta e veçanërisht në zona ndërkufitare. Është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira politike, por akoma më e rëndësishme është të kemi bashkëpunim ekonomik. Turizmi përbën një fushë të rëndësishme bashkëpunimi midis dy vendeve. Rritja e kontakteve midis dy qeverive tona, bashkëpunimi i mirëkoordinuar dypalësh në nivel lokal si dhe bashkëpunimi i operatorëve turistikë do të shërbejnë për t’i dhënë më shumë shtysë zhvillimit turistik dhe ekonomisë së zonave ndërkufitare”, tha Begaj.
Ai tha se në këtë drejtim kanë tashmë shembuj pozitivë bashkëpunimi dhe bashkërendimi, siç tha ai, inkurajues ndërmjet zonës së Plavë- Gucisë dhe Vermoshit.
Për Presidentin Begaj ka ende potencial të pashfrytëzuar që duhet të përfshijnë edhe zona të tjera ndërkufitare në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Kosovë, gjithashtu.
Ai tha se ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën më Ulqinin është projekt i madh në ndërlidhjen kufitare dhe në zhvillimin e turizmit që sipas tij do të mundësojë krijimin e një boshti ekonomik, turistik dhe social që lidh Shkodën, Lezhën dhe Ulqinin.
Begaj tha se me Presidentin Millatoviq biseduan edhe për sigurinë si vende anëtare të NATO-s, duke thënë se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve përbëjnë një shembull për rajonin tonë.
“Unë mendoj se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë ende për të ofruar për paqen dhe stabilitetin rajonal. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte një arritje e merituar, por edhe një kontribut për sigurinë evropiane”, tha Begaj.
Ai në takim me Presidentin Millatoviq e ka përgëzuar atë për arritjet e Malit të Zi në proceset e integrimit në BE duke thënë se edhe Shqipëria mbetet e përkushtuar në procesin e anëtarësimit.
“Shpresojmë që Shqipëria brenda harkut kohor të kësaj dekade të verifikojë anëtarësimin në BE. Perspektiva euro-atlantike e rajonit është e vetmja rrugë që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, u shpreh Begaj.
Ai ka përmendur edhe faktorin shqiptar në Malin e Zi, i cili, siç tha, ka luajtur dhe luan një rol balancues dhe përcaktues për perspektivën euro-atlantike të Malit të Zi.
“Mali i Zi për Shqipërinë është një vend mik. Sot në NATO e nesër në Bashkimin Evropian. Por kjo sjell detyrimin për të bashkëpunuar së bashku për të mirën e vendeve tona dhe për prosperitetin e popujve tanë. Shpresoj shumë që kjo vizitë e imja sot të kontribuojë në përforcimin e këtij bashkëpunimi. Shumë faleminderit”, përfundoi fjalimin e tij Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, ditën e parë të vizitës së tij zyrtare (9 shkurt 2025) e ka zhvilluar në Tuz, ku është ndaluar për të vizituar shtatoren e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ku më pas është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Të njëjtën ditë, Presidenti Begaj ka udhëtuar me delegacionin e tij drejt Plavës dhe Gucisë, ku është takuar me përfaqësuesit e partive politike shqiptare atje.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Mal të Zi (10 shkurt 2025), pas përfundimit të takimit me Presidentin Millatoviq, vijoi takimet me përfaqësues të partive parlamentare shqiptare, ndërkohë që po të njëjtën ditë është pritur në takim nga nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Në ditën e tretë të vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi (11 shkurt 2025), Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka vizituar qytetin e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj Komune, Genci Nimanbegun. Gjatë vizitës së tij në Ulqin, Presidenti Begaj ka vizituar edhe Librarinë “Ulqini” dhe Qendrën për Shkencë dhe Inovacion.
t. u.