
Pistulla është një fshat jo larg Ulqinit i njohur edhe për numrin e konsiderueshëm të krojeve publike. Gjatë vizitës sonë në këtë fshat evidentuam pesë kroje publike që dallohen si për nga vjetërsia, ashtu edhe nga vlerat arkitektonike:
- Kroi Gazivoda Nalt;
- Kroi Gazivoda Poshtë;
- Kroi i Sulës;
- Kroi i Shimit; dhe
- Kroi i Keqlës.
Duke u bazuar në këtë numër krojesh publike mund të konstatojmë se Pistulla është venbanim i pasur me burime të shumta natyrore të ujit që rrjedhin nga mali i Mozhurit. Këto kroje publike për vite me radhë i shërbenin popullatës vendase si burime të pashtershme uji. Ato janë edhe dëshmi e lashtësisë së këtij lokaliteti, sepse, siç e dimë, aty ku ka pasur ujë ka pasur edhe jetë. Nga keqësimi dhe moskujdesi i vazhdueshëm ndër vite nuk arritëm të shohim të dhëna apo mbishkrime të shkruara për kohën e ndërtimit dhe ndërtuesit e tyre. Por ajo çka është e qartë është fakti se krojet e Pistullës disponojnë elemente të hershme për përcaktimin kohor të të cilëve duhen studime nga ekspertë përkatës. Sipas kallëzimeve të banorëve më të moshuar të këtij vendbanimi të hershëm, lashtësia e këtyre krojeve daton në fillimet e shekullit XX. Ata thonë se janë ndërtuar nga gurë të gdhendur nga mjeshtër të njohur të kohës siç ishin dibranët, të cilët kanë ndërtuar disa objekte të rëndësishme të traditës dhe trashëgimisë kulturore-historike në vendbanimet shqiptare në Mal të Zi.
Të gjitha këto kroje,që njihen si simbole të Pistullës, deri kah gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kanë qenë shumë të frekuentuara, pasi ato i kanë shfrytëzuar jo vetëm pistullasit, por edhe banorët e fshatrave të tjera përreth. Uji i këtyre krojeve është përdorur për pije, për bagëti dhe për ujitjen (vaditjen) e tokave pjellore. Ato përveç se kanë qenë burim jete, kanë qenë edhe vendtakim për banorë dhe për shumë njerëz kalimtarë, veçanërisht për çiftet e reja. Fshatarët, gratë e vajzat dhe të tjerët buzëmbrëmjeve pranë këtyre krojeve tuboheshin, bisedonin, argëtoheshin e freskoheshin me ujin e freskët dhe të kthjellët të tyre si loti. Nga këto shoqërime e takime kanë lindur edhe shumë dashuri, të cilat më vonë kanë përfunduar me kurorëzime. Kur afrohej të perëndonte dielli, gratë dhe vajzat ktheheshin në shtëpitë e veta me me buljera në shpinë dhe kofa në dorë, kurse burrat dhe djemtë shpërndaheshin të kënaqur prej nga kishin ardhur. Prandaj siç thonë gjeneratat e vjetra “nostalgjia mbetet dhe krojet meritojnë përkujdesjen tonë”. Mirëpo , për fat të keq deri më sot askush nuk është shqetësuar për to. As banorët, as institucionet përkatëse komunale, as ato shtetërore nuk ka marrë ndonjë nismë apo aksion për restaurimin apo konservimin e këtyre krojeve të vjetra.
Që nga ndërtimi i ujësjellësit vendor rreth viteve 1967, e sidomos nga tërmeti i fuqishëm i vitit 1979 i cili e goditi rëndë Komunën e Ulqinit, këto kroje, shprehen me keqardhje pistullasit, nuk janë në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve. Gjendja e tyre është e mjerueshme. I ka mbuluar lëmashku (një cip e hollë myshku me ngjyrë të gjelbër) dhe shkurret. Edhe rrugicat që shpiejnë deri tek ato janë vështirë të kalueshme.
Edhe pse fatkeqësitë e kohës kanë bërë të vetën, krojet e atjeshme publike ende sot të fjetura në një oazë unike, përfaqësojnë një burim jete dhe një frymëzim shpirtëror, me të cilët njerëzit e kësaj zonë janë të lidhur thellësisht. Banorët e Pistullës u bëjnë thirrje të gjithë bashkëvendësve të tyre në diasporë dhe institucioneve kompetente që të angazhohen për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e kësaj pjese të trashëgimisë së Ulqinit.