Komuna e Tuzit organizoi panairin humanitar “Ne nëpunëset”

“Qëllimi i këtij organizimi është që qytetaret tona të ndërgjegjësohen, të kuptojnë se ne kemi kohë për gjithçka në jetë. Sikur ne shkojmë në parukeri, në kafe apo diku tjetër, të gjitha këto kanë vlerë, por ato kanë vlerë kur ne jemi të shëndetshme. Pra, nëse deri më sot ato nuk kanë shkuar në vizita, ta gjejnë kohën ta vizitojnë mjekun. Frika më e madhe është në qoftë se ne rrimë dhe mendojmë se çfarë mund të ndodhë. Besoj se është më mirë të shkojmë dhe ta verifikojmë se jemi të shëndetshme, e në qoftë se jo, të luftojmë në mënyrë që të mos preken të tjerat pas nesh, pra t’i bindim shoqet, nënat e koleget tona se duhet të shkojmë tek mjeku”, u shpreh Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale pranë Komunës së Tuzit

Tuz – Muaji tetor në mbarë globin i kushtohet ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit, një sëmundje e cila fatkeqësisht merr me qindra dhe mijëra jetë njerëzish çdo vit.
Këtij sensibilizimi global i është bashkëngjitur edhe Komuna e Tuzit, e cila tash tre vjet radhazi organizon aktivitete të ndryshme humanitare dhe ndërgjegjësuese për të luftuar këtë sëmundje famëkeqe.
Këtë vit, Komuna e Tuzit organizoi panairin humanitar të quajtur “Ne nëpunëset”, ku punonjëset e sekretariateve të administratës lokale, dhe të institucioneve publike, themelues i të cilave është Komuna e Tuzit, ekspozuan gatimet e përgatitura nga duart e tyre, si ëmbëlsira dhe ushqime të shumëllojshme për t’i shitur, në mënyrë që me të hollat e siguruara nga shitjet, të mundësojnë që gratë me asistencë sociale të kryejnë falas ultrazërin e gjirit në Poliklinikën private “Diagnostica” në Tuz.
Sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale znj. Marina Ujkaj tha se ideja ka qenë që të gjitha gratë e punësuara në Komunën e Tuzit të japin kontributin e tyre, dhe që të gjitha i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për organizimin e këtij panairi. “Qëllimi i këtij organizimi është që qytetaret tona të ndërgjegjësohen, të kuptojnë se ne kemi kohë për gjithçka në jetë. Sikur ne shkojmë në parukeri, në kafe apo diku tjetër, të gjitha këto kanë vlerë, por ato kanë vlerë kur ne jemi të shëndetshme. Pra, nëse deri më sot ato nuk kanë shkuar në vizita, ta gjejnë kohën ta vizitojnë mjekun. Frika më e madhe është në qoftë se ne rrimë dhe mendojmë se çfarë mund të ndodhë. Besoj së është më mirë të shkojmë dhe ta verifikojmë se jemi të shëndetshme, e në qoftë se jo, të luftojmë në mënyrë që të mos preken të tjerat pas nesh, pra t’i bindim shoqet, nënat e koleget tona se duhet të shkojmë tek mjeku”, u shpreh Ujkaj.
Ajo më tej shtoi se secila grua që të shkojë tek mjeku, duhet të marrë edhe ndonjë shoqe me vete në mënyrë që të ndërgjegjësojë edhe më shumë popullatën e Komunës së Tuzit, e cila siç tha ajo, viteve të fundit ka shënuar progres të dukshëm në këtë aspekt.
“Sepse ne kemi organizuar edhe ligjërata me mjekë të spikatuar, ku përmes tyre informuam zonjat dhe besoj se të gjitha këto do të ndihmojnë në arritjen e qëllimit, për të pasur një shoqëri të shëndetshme”, u shpreh Ujkaj.
Ndërkaq, këshilltarja e Zyrës për Barazi Gjinore në Komunën e Tuzit znj. Nexhmije Paleviq, në prononcimin për gazetën “Koha Javore” tha se këtë vit u dakorduan që të organizojnë një aktivitet simbolik, por ndryshe nga dy vitet e mëparshme.
“Organizuam një panair humanitar, ku ne si zyrtare nga të gjitha sekretariatet dhe organet e komunës, përgatitëm specialitetet tona të kulinarisë ndërsa paratë e fituara nga shitjet do t’i japim për blerjen e kuponave për ultrazë të gjirit, ku në bashkëpunim me Poliklinikën “Dijagnostica” jemi dakorduar që krahas çdo ultrazëri, ata do kryejnë falas edhe një tumor marker, në mënyrë që ekzaminimi të bëhet i kompletuar”, theksoi Paleviq.
Ky panair qëndroi i hapur më 14 tetor nga ora 10 deri në orën 14, ndërsa Komuna e Tuzit ka përgatitur edhe një video sensibilizues për të gjitha femrat që janë të prekura nga kanceri i gjirit për t’i ndihmuar dhe fuqizuar ato në luftimin e kësaj sëmundjeje.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat