Kohë të vështira

Gani Karamanaga

Demonstratat në Prishtinë
Të pakënaqur me gjendjen e popullit të tyre, studentët shqiptarë organizuan demonstrata me parullën “Kosova Republikë!”. Ka pasur trazira të mëdha në Universitetin e Prishtinës. Këto filluan më 11 mars 1981. Në kantinën e konviktit të studentëve, si shkak ka qenë ushqimi i dobët. Më vonë lajmërohen parullat, ku kërkohet pozita më e mirë e Kosovës në shtetin e Jugosllavisë (“Trepça punon, Beogradi ndërtohet!”). Pushteti aktual i Krahinës së Kosovës reagoi ashtu që e aktivizoi “milicinë” – policinë kundër studentëve që demonstronin. Shumë studentë u burgosën. Udhëheqësia mendoi që kriza përfundoi.
Eskalimi i demonstratave ndodhi më 26 mars 1981, kur në Kosovë mbërriti Stafeta e Rinisë. Ky manifestim, i cili deri atëherë ka qenë rutinë me fjalime dhe fotografi të Titos, u zhvillua në demonstrata, ku morën pjesë masat e popullit, përveç studentëve e rinisë. Parullat kanë qenë: “Kosova Republikë!”, “Rroftë Adem Demaqi!” (atëherë në burg), si edhe “Liri, demokraci!” ,”Duam bashkimin e të gjitha tokave shqiptare!”. Protestat janë përhapur në të gjitha qytetet e Kosovës, dhe sipas disa parashikimeve kanë marrë pjesë deri në një milion njerëz.
Duke u ballafaquar me pakënaqësinë e masave shqiptare, udhëheqësia e Krahinës së Kosovës i jep urdhër forcave të policisë që demonstratat të ndalohen në mënyrë brutale.

Reagimi i pushtetit jugosllav
Kryesia e atëhershme e Jugosllavisë i ka vlerësuar demonstratat në Kosovë të dëmshme “për integritetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë” dhe më 2 prill 1981 ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ka nisur, përveç forcave të milicisë edhe forcat e Armatës Jugosllave me qëllim që të kthehet rendi në Kosovë. Gjithashtu në kuadër të Armatës kanë qenë edhe forcat të blinduara me tanke. Është dhënë urdhër edhe për ndërprerjen e mësimit nëpër shkolla dhe universitet. Sipas admiralit Mamulla, ka pasur edhe disa intervenime me armë. Në këtë mënyrë të dhunshme demonstratat në Kosovë filluan të qetësohen. Janë regjistruar edhe më 30 prill, kurse të fundit më 17 maj1981.

Fotografia e Josip Broz Titos
Sot, më datën 5.11.2013 u takova me Kasem Cekën. Ai ka qenë kryetar i Bashkësisë Lokale të Anës së Malit në kohën kur është bërë manifestimi i hapjes së Stacionit Shëndetësor të Katërkollës, më 26 nëntor 1981.
Duke biseduar për këtë ngjarje pas shumë viteve, Kasemi më tha: ”Para se të fillonte manifestimi i hapjes së ambulancës në vitin 1981, me mua biseduan Lluka Knezheviq dhe Millovan Gjakonoviq (funksionarë të atëhershëm të Komunës së Ulqinit). Më pyetën se si do të flas. I tregova se e kam përgatitur fjalimin shqip edhe serbisht. Të dy m’u përgjigjën se nuk është mire kështu, si të flas edhe shqip. Përgjigja ime ishte: në Anë të Malit më tepër se 88 % e popullatës janë shqiptarë.”
Kasemi foli edhe shqip edhe serbisht. Pas pak kohe e shkarkuan nga detyra e kryetarit të Bashkësisë Lokale. Mua, pas disa ditëve më dhanë vërejtje se fotografia e Titos nuk paska qenë në rregull. Unë u përgjigja se në vend të fotografisë kemi pasur bustin e Josip Broz Titos.
Edhe unë pata pasoja. Në vitin e ardhshëm kur më doli mandati si drejtor, nuk e fitova pëlqimin që të konkurroj prapë për drejtor të Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit.

Takimi i parë me dr. Simë Dobrecin (gusht 1982)
Ishte verë, muaji gusht. Drejtori i ri (dr. Pavle Ban) kishte ardhur më 16 gusht 1982. Isha në përcjelljen e punës në sektorin e Pediatrisë. Korridori ishte plot me fëmijë dhe të rritur. Personali mjekësor bënte punën e vetë.
Në hyrje të Pediatrisë po afrohej dr. Simë Dobreci. Dr. Sima punonte një kohë të gjatë në Klinikën Universitare të Dermatologjisë në Prishtinë. Këtu, në Ulqin e kemi njohur si luftëtar të madh për të drejtat e kombit shqiptar. Normalisht, pushteti aktual e ka pasur “në sy”. Deri në këtë ditë me dr. Simë Dobrecin nuk kam pasur ndonjë kontakt. Vetëm patëm dëgjuar njëri për tjetrin.
Dr. Sima kishte ardhur që ta vizitonte dr. Kushin (dr. Shefqet Dollaku, pediatër): kishin studiuar bashkë në Beograd. Duke m’u afruar mendova: “Çka ma çoi këtë sot këtu? Do të na shohë ndokush…” Kanë qenë kohë të vështira për të gjithë ne shqiptarët. Për një fjalë, për një takim të kanë akuzuar, larguar prej pune. Biseduam shkurt. Sima më tha: “Kemi dëgjuar për punën tënde… Nuk ka rëndësi të madhe që nuk ke me qenë më drejtor. Mbahuni së bashku njëri me tjetrin.” Më vonë, prej vitit 1999 me prof. dr. Simë Dobrecin do të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të frytshëm.
Muhammedi alejhis-selam ka thënë (Hadis):
“Mos ia sillni shpinën njëri-tjetrit, mos u ndani, qëndroni të bashkuar si vëllezër, me të vërtetë, ata përpara juve të cilët janë ndarë, më vonë janë përçarë dhe janë zhdukur, mbahuni për litarin e All-llah-ut…”

Fraksioni
Mbas ndodhjeve në Kosovë në vitin 1981 të gjithë ne shqiptarët në Mal të Zi kemi pasur presione të llojllojshme.
Në fund të vitit 1981 për Stacionin Shëndetësor në Katërkollë mbërriti pajisja medicinale nga donatori Enti për Mbrojtjen dhe Sigurimin Social të Serbisë. Në ambalazhin e një aparature, një infermiere kishte shkruar “Oj Shqipëri….”, kurse mjeku rekomandimin për pacientin e kishte shkruar gjithashtu në gjuhën shqipe. Me kërkesën e Komitetit të Lidhjes Komuniste të Ulqinit u organizua mbledhja e Partisë Komuniste, dega e Shtëpisë së Shëndetit. Mbledhja përfundoi pa pasoja.
Fillojë të flitet nëpër qytet se në Shtëpinë e Shëndetit ka nacionalizëm shqiptar. Pak u shqetësova. Kanë qenë kohë të vështira. Për asgjë të kanë larguar prej pune, dënuar me burg. U takova me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Marko Kallugjeroviq. Pas bisedës më tha: “Ti je në rregull, por në Shtëpinë e Shëndetit ka fraksion.” Më tha se kemi shëtitur disa here disa mjekë bashkë, dhe kështu në gjuhën politike quhet kjo gjë. Me të vërtetë, disa herë kemi shëtitur së bashku dr. Ali Muharremi, dr. Shefqet Dollaku, Muhamed Hysa edhe unë. Për ata në Komitet këto takime janë quajtur fraksion.

Nuk u frikësova
(Mbledhja e degës së Partisë Komuniste)
Në sistemin e monizmit, Partia e Lidhjes Komuniste ka pasur roli të veçantë në vendosjen, organizimin dhe jetën e përgjithshme në sipërmarrje.
Një herë, lidhur me problemet me pushime mjekësore, në fillim të vitit 1983, u mbajt mbledhja në sallën e madhe të Shtëpisë së Shëndetit (sot aty është Biblioteka). Përveç anëtarëve nga Shtëpia e Shëndetit, ka pasur delegatë edhe prej Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste.
Një prej delegatëve ishte edhe Millo Qetkoviq (1926), drejtori i ndërmarrjes ndërtimore “Primorje”. Ky ka qenë një njeri me autoritet, luftëtar në Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu ishte edhe udhëheqës i suksesshëm. Fjala e tij është dëgjuar gjithmonë dhe nuk ka lejuar që t’i kundërshtohet askush. Edhe pse kemi pasur një dallim të madh sa i takon moshës, kemi pasur një bashkëpunim të mirë dhe respekt të dyanshëm. Shpeshherë kam qenë në kabinetin e tij për t’u konsultuar për ndonjë problem. Pas fillimit të mbledhjes, Millo Qetkoviqi mori fjalën dhe foli për problemet e pushimeve mjekësore. Tha se këto janë për shumë raste të paarsyeshme dhe e fajësoi edhe drejtorin e mëparshëm (Gani K.) që nuk ka qenë më energjik për zhdukjen e këtyre problemeve. U lajmëruan edhe disa anëtarë të kolektivit për diskutime. Në një moment fola edhe unë. Ndërmjet të tjerave, duke u dakorduar se problemi i pushimeve mjekësore ekziston dhe me siguri numri dhe kohëzgjatja munden të zvogëlohen, vazhdova se edhe udhëheqësit e sipërmarrjeve duhet t’i zgjedhin problemet në shtëpitë e tyre. Atje, ku janë kushtet e punës më të dobëta, ku është pagesa ma e vogël, edhe pushime mjekësore ka më tepër.
Mbledhja zgjati dhe u bë një pushim i shkurtër. U afrova Millo Qetkoviqit. Ky ishte shumë i zemëruar dhe më tha ashpër: ”Nećeš ti da ispravljaš moju diskusiju!“ (“Ti nuk guxon t’i kundërvihesh diskutimit tim!). Iu afrova që të mos dëgjojnë edhe të tjerët dhe iu përgjigja: “Unë kam diskutuar ashtu si kam menduar, nuk kam asgjë personale kundër teje, por edhe ti nuk mundesh të flasësh në këtë mënyrë me mua.” Situata ishte e tensionuar. Nuk u frikësova. Hidajet Kapllanbegu, punëtori jonë në kontabilitet ishte afër dhe priste çka do të ndodhë. Nuk ndodhi asgjë.
Me Millo Qetkoviqin nuk kemi kontaktuar disa muaj. Më vonë, jemi takuar, por jo me afërsinë e mëparshme.

Radio Titogradi dhe Radio Tirana
Një herë, në vitin 1984, kemi qenë bashkë me Andrija Vojvodiqin duke pritur para kabinetit të drejtorit. Ky ishte i moshuar, ishte ish-kolonel i Armatës Jugosllave. Si pensionist jetonte në lagjen Pinjesh në Ulqin. Vajza e tij ka qenë mjekja dr. Jelica Banoviq, e cila specializoi Pneumoftiziologjinë. Kemi kontaktuar dhe shpeshherë së bashku kemi referuar në takimet e Shoqatës së Pulmologëve të Malit të Zi. Ka qenë mjeke e mirë, komunikuese. Ndihmoi si studente pas tërmetit më 15 prill 1979. Pas një krize shëndetësore, dr. Jelica mbaroi jetën e saj në mënyrë tragjike. Duke biseduar Andrija tha: “Sa keq dëgjohet Radio Titogradi.”. Unë, duke mos menduar më gjatë, u përgjigja: “Me siguri, por Radio Tirana dëgjohet shumë mirë!”. Heshtëm të dy. Fjala doli “kotnasikot”.
Kaluan disa ditë në pritje çka po ndodhë. Nuk ndodhi asgjë. Me siguri, Andrija Vojvodiq nuk i ka përcjellë fjalët e mia.
(Nga libri-monografia “Udhëtimi i një mjeku”-2201)

Të fundit

më të lexuarat