Kërkohet dënimi maksimal i vrasësit dhe përgjegjësia institucionale

Ulqin – Me moton “Më dëgjo edhe mua, reagoni në kohë”, të hënën në Ulqin është zhvilluar tubimi protestues për shkak të vrasjes së 19-vjeçares nga Tuzi, Shejlla Bakija.
Protesta është organizuar nga SOS Telefoni për femra dhe fëmijë viktima të dhunës në Ulqin me qëllim të mbështetjes së familjes së 19-vjeçares së vrarë në kërkimin e drejtësisë.


Disa dhjetra qytetarë me pankarta në duar janë mbledhur para bustit të Nënë Terezës, në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit, Drejtoresha e SOS Telefonit në Ulqin, Hatixhe Nelaj, ka thënë se kërkojnë dënim maksimal për vrasësin e 19-vjeçares, por edhe përgjegjësi institucionale.
“Kjo vrasje mizore është një alarm për shoqërinë tonë, thirrje për të gjitha strukturat e mekanizmat e shtetit që të kthejnë vëmendjen e tyre ndaj grave dhe nënave të cilat fatkeqësisht janë bërë viktima të dhunës dhe krimit në familje dhe shoqëri”, ka thënë ajo.
Sipas Nelajt, mbrojtja e grave nën kërcënim është një përgjegjësi e qartë e shtetit.
“Kërkojmë përgjigje të koordinuar nga institucionet përkatëse, sepse gratë nuk duhet të jetojnë me frikë”, ka thënë ajo.
Nelaj ka teksuar se “jeta e humbur e Shejllës është një tragjedi që nuk duhet të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Kjo vrasje pa dyshim është një kambanë alarmi për shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.
Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit, Hadixha Gjoni, ka thënë se më 30 shtator nuk është shtënë dhe nuk është vrarë vetëm një qenie njerëzore.
“Është shtënë në traditën tonë, vlerat tona morale, dhe atë që me shekuj e kanë kultivuar njerëzit tanë. Pra, është shtënë në burrërinë dhe trimërinë”, ka thënë ajo.
Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se heshtja e institucioneve ka sjellë deri te kjo situatë.
“Mbështetja jonë sot konsiston në atë se jemi të gatshëm që me organizatat joqeveritare, institucionet, prokurorinë, të shohim nëse ka nevojë të ndryshohet Kodi Penal i Malit të Zi në mënyrë që këto gjëra të mos ndodhin më. Ne të gjithë jemi me familjen Bakija, ndajmë dhembjen e tyre, por jo vetëm me të, sepse u japim mbështetje të gjitha femrave, nënave, që këto gjëra të mos përsëriten më”, ka thënë ai.


Të pranishmve në tubim u janë drejtuar edhe Luigj Shkreli, deputet në Kuvendin e Malit të Zi, dr. Sadije Hollaj, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, aktivistja dr. Zylfije Duraku, kryetare e Shoqatës së Gruas “Anima”, dhe Liljana Gjurashkoviq, ish-deputete në Kuvendin e Malit të Zi.
Tubimi është mbështetur nga qeverisja lokale në Ulqin, institucione të ndryshme vendore, përfaqësues të organizatave joqeveritare etj.
Më pas, pjesëmarrësit kanë bërë një shëtitje përmes Bulevardit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.


Shejlla Bakija u vra më 30 shtator të këtij viti nga Ilir Gjokaj, 28-vjeçar, me të cilin kishte bashkëjetuar më herët, por kishte disa muaj që ishte ndarë. Kjo ngjarje ka nxitur reagime të shumta nga individë, organizata, institucione etj., duke bërë përgjegjës për vrasjen e saj edhe institucionet shtetërore, të cilat nuk kanë reaguar në pajtim me ligjin dhe parandaluar krimin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat