
Edhe në Triesh, si në çdo krahinë tjetër të Malësisë së Madhe, është ruajtur trashëgimia e kësaj pasurie shpirtërore. Ato nëpërmjet këngës, urojnë dhe dëshirojnë që fëmija të bëhet i fortë, punëtor, i pasur, shkollar, atdhetar, plak katundi etj..
“Rritu djal ën djep të drunit,
Ti m’u bash plak katunit”,
Për ta vënë në gjumë fëmijën në djep i këndojnë këngë lirike, siç është kjo e shënuar në Triesh.
“ Nina, nana, flej moj bir,
Flej se gjumi t’ ban mir.
Nina, nana, ën djep të drunit,
Rriçmu djalë e gitshi nunit.
Nina, nana ën djep t’arrs,
Rriçmu djalë e gitshi axhs.
Nina, nana, t’vë ën gjum,
Ty t’thot nana: “ lum e lum”!
Eja gjum e merre pak,
Merre pak e bjere prap,
Mos e paj veç dy sahat,
Dy sahat e izet dekika,
Lumja nana, e lumja cika”.
Nëna fillon t’i japë gji foshnjës disa orë pas lindjes. Nëse ajo nuk ka qumësht foshnjës i jep qumësht lope me shishe me thithke (cucëll). Gruaja nuk duhet t’i japë gji foshnjës në prani të burrave.
“Përgimi”
Pak ditë pas lindjes së djalit organizohet dreka e “përgimit” dhe me këtë rast qesin pushkë. Aty mblidhen vetëm gratë të cilat argëtohen tërë ditën: bijat shtëpisë, ndrikullat, gra nga dajat e burrit dhe nga shtëpia e nuses. Në “përgim” gratë sjellin dhurata – peshqeshe foshnjës (çorapë, këmishë, xhemper, para) etj., për foshnjën dhe për lehonën.
“Përgimi” në raste të rralla organizohet edhe për gëzimin e lindjes së vajzës, por me një numër më të vogël të ftuarish. Në të dy rastet përgatiten ushqime nga kuzhina trieshiane, kafe, duhan, raki, pije freskuese, petulla, djathë, mazë, mish…
Në kujtesën popullore të trieshianëve ka mbetur besimi se kur lind fëmija me këmishë ( pëlhurë) bëhet dragua. Thuhet se vetëm fëmijët meshkuj lindin me këmishë , të cilën e ruan vetëm nëna dhe për këtë nuk duhet të dijë askush tjetër përveç ajo vet, sepse besohet se nëse dikush tjetër e gjënë këmishën foshnja do të vdesë.
Pagëzimi
Pas disa ditësh të lindjes së foshnjës bëhet pagëzimi, që nënkupton vënien e emrit. Pagëzimi ka si rit lyerjen e ballit të fëmijës me ujë të bekuar, zakonisht në kishë te famullitari, por në pamundësi edhe në shtëpi. Ceremonia e të pagëzuarit, siç theksuam, bëhet zakonisht në kishë, nga prifti famullitar, i cili e regjistron fëmijën në Librin e Kishës, i cili, deri vonë, në mungesë të shtetit e të zyrave të gjendjes civile, ka shërbyer si amzë e rëndësishme e të dhënave për katolikët. Për të bërë pagëzimin , duhej të ishin të pranishëm fëmija ( foshnjë apo edhe e rritur) më së paku të ëmën , si dhe nun apo kumbara , që ishte si dëshmitar.
Ditën e pagëzimit foshnjës i vënë edhe emrin , sipas dëshirës së prindërve dhe një tradite të caktuar e të hershme . Zakonisht djalit i jep emrin babai, kurse vajzës nëna. Në të shumtën e rasteve nipi i parë mashkull merr emrin e gjyshit, duke shkuar brez pas brezi në një vijë mashkullore. Nga fjalët e dokumentuara shumë herët, qysh në Formulën e Pagëzimit të vitit 1462 , me lejen e Pal Engjëllit, ipeshkëv i Durrësit , ku thuhet:
“ Unë po të pagëzoj përemrit t’atit dhe Shpirtit Shenjtë!”
Pas pagëzimit foshnjës i urojnë jetë të gjatë, të jetë i shëndetshëm, i lumtur dhe me fat.
Emrat më të shpeshtë për djem kanë qenë : Anton, Nikë, Nikollë, Gjon, Gjokë, Gjekë, Rrok, Dodë, Dedë, Fran, Lekë, Mark, Marash, Pjetër, Prëlë, Prënkë, Palë, Tomë, Viktor, Ujkë etj..
Emrat më të preferuar për vajza ishin: Age, Drane, Gjyste, Katrinë, File, Lulë, Mari, Dilë, Pashkë, Tereze etj..
Krezmimi
Një ndër ditët më të shënuara është edhe krezmimi i fëmijës 7 -15 vjeç. Në këtë ceremoni, përveç prindërve, merr pjesë edhe nuni i cili rri përkrah famullit (fëmijës).
Më parë nëpër fshatrat e Trieshit, lindjet bëheshin me ndihmën e nënëlokeve, kurse tani në të shumtën e rasteve, ato bëhen në spitalin e Podgoricës, ku kushtet për lindje janë më të mira.
Ritet dhe zakonet e paralindjes
Këto rite dhe zakone i kanë edhe besimet dhe qëllimet e tyre. Për shembull nëna kur është shtatzënë mbrohet nga punët e rënda dhe për një kohë të gjatë nuk tregon se është shtatzënë me qëllim të mbrojtës nga “ syri i keq”.
Besimi tjetër me rëndësi, është edhe momenti kur fëmija së pari herë vjen në jetë dhe lëvizë në barkun e nënës. Nëse nëna e ndjenë fëmijën të gjallë pranë ndonjë mashkulli, besohet se foshnja do të jetë mashkull, apo do t’i merr vetitë karakteristike të po atij personi që ndodhet pranë saj, ose e kundërta do të ndodhej, po qese nëna ka qenë pranë gjinisë femërore.
Së bashku me gratë shtatzëna dhe lindjen e fëmijëve, ekzistojnë besime dhe zakone të ndryshme popullore që besohet se ndikojnë tek fëmija. Kështu, për shembull, ekzistojnë besime se gratë shtatzëna duhej të mbroheshin dhe të ruheshin nga forcat dhe magjitë e liga që mund të ndikonin në transmetimin e karakteristikave të këqija tek fëmija.
Fëmija i vetëm quhet “ djalë i t’shirit ,” kur dy foshnje rriten do të quhen “ v’llazën” (vëllezër), ose vëlla e motër.