Këndesi i Gjakovës

Vildana Dibra – Zhubi

Ah sa e bukur ishte pranvera në Gjakovë. Por mua aq shumë më kishte marrë malli për Sarajevë dhe familjen time.
Mëngjeset ishit të freskëtA. Era e trëndafilave të hynte nga dritarja që ishte e hapur gjithë natën . Depërtonte nëpër perdet e kambrikut të bardhë të gavrum (birali ), që e ndriçonin dhomën edhe me fort. Frynte nga pak era dhe perdet lëviznin me tingullin e asaj freski dhe aromën e trëndafilave që e kishin kapluar oborrin me gurët e bardhë si bora.
Fërkoheshin ata gurë të shkretë mëngjes për mëngjes dhe ai kalldrëm i jepte hijeshinë të gjithë oborrit. Dera e avllisë që të kujtonte në netët arabike me kanxhat e hekurta, çdo ditë e më shumë më ngjasonte në hyjnitë .
Qumili Vogël dhe Mazllom Mejzini garonin me këngët e tyre prej një shtëpie në tjetrën dhe të dukej që ishin këngëtarët e vetëm që ka Kosova.
Vërtetë më kishte këputur malli. Për bacën, për Ijen time për gjithë familjen dhe shoqërinë time. Për asfaltin dhe gjithë Vase Miskina të Sarajevës.
Si gjithë nënat që porosisin bijat e veta, Ija ime pa u ndalur më kishte porositur të zgjohem e para, ta pastroj oborrin, të bëj kafet.
Zgjohem unë ora 4 të mëngjesit dhe i pari zgjohet vjehrri im .
-Agë a fjete?
-Fjeta, fjeta, po ti pse je çuar kaq herët ?
Ulet Aga shkallëve teposhtë dhe del në oborr.
Unë i shkoj pas dhe ia qes kafen përpara. Ai sikur e piu me zor.
U mjera unë mendova, se paskam bërë kafen si duhet.
Çohem mëngjesin tjetër dhe tash mbaroj një kafe të fortë me shumë kajmak. Gëzueshëm që mund t’ia kem qëlluar ia qes përpara. Ai e shtyn filxhanin .
Uh thashë e mjera, a thua nuk ia qëllova përsëri?

Nuse, sot je çuar herët dhe ma kurrë mos u ço kaq herët. Unë gruas time nuk ia prishi gjumin, e le ma nuses me ia prishë .
Ooooo Zoti im po u shlirova. Nuk duhet ma me ngreh sahatin!
Por…..hmmmm, nuk të len Zoti rahat.
Një ditë vjen Baca im prej Sarajevës .Vjen troket në derë shumë herët. Te gjithë ishim në gjumë. Vjen troket ne derën time dhe hiç pa një pa dy, më lëshon një grumbull kritika .
-Nuk të vjen turp të çohesh kaq vonë!!!!
Po, po, ishte babai im që në vend se ai të ishte për të më mbrojtur, ai më hodhi një grusht thumba e kritika. Por iku Baca dhe unë vazhdova gjumin. Ama se kishte shkruar Zoti njëherë t‘ia plas gjumit për qejf. Tash ishte dikush tjetër .
Oborri më përkujtonte në kalldrëmin e Bashçarshisë .
Përveç mallit që më kishte këputur, në shpirt e kisha edhe një hall tjetër.
Gjeli!!!

Ishte këndesi më i lazdruar që kisha pa ndonjë herë. I vetëdijshëm nga bukuria e vet ngrite zërin dhe e gjithë mëhalla e Haxhi Ymerit e dëgjonte . Nuk i ndalte kukurisjet e veta me orë derisa të gjithë zgjoheshin . Të gjithë pulat silleshin rreth tij, si të dashuruara tmerrësisht . Ishin të bardha, laroshe, të kuqërremta . Por gjeli, këndesi ynë i kishte të gjithë ngjyrat e mundshme. Kishte një bukuri të rrallë. Kishte një vetëbesim të tmerrshëm .
Nuk lodhej hiç për mëngjeset që më zgjonte nga gjumi. Shpëtova nga vjehrri, por jo edhe nga këndesi .
Ishte shtatzënia ime e parë. Se di pse, por tërë kohën më merrte gjumi.
Gratë e komshinjve më thoshiin “ djalë e ke, sepse gjumi vjen veç në shtatzëni kur lind djali“.
Por jo, nuk ia qëlluan . Nuk Ishte i vërtetë hiç ky muhabet i plakave.
Unë tashmë nisa të vuaj edhe për gjumë. Mëngjeset e bukura gjakovare, ishin shndërruar në tmerr.
Ishte ai që më prishte gjumin!
Bukuroshi mendjemadh me kukurikuuuuuuuu e kapadaiut !
Kukurikuuuuuuuu, kukurikuuuuuu mëngjes për mëngjes!
Dëgjoheshin nallanet e para të nuseve të reja që dilnin të fshijnë oborret. Pastaj, fshesa dhe tak tuk zërat e përshëndetjeve të mëngjesit.

A fjete, a mun pushove Ingje?
-Qe mirë mirë po valla jam çu me nji kryyyyy , që mos vet! Edhe mesi shpinës prej nalt e teposht deri ke gopi, hiç pa u nalë!
Ti a fjete, a mun pushove naj çik?
-Mirë mirë, por mramë shumë u lodha se patëm mysafirë nga Prizreni e u lodha bijo . Trup o ky, nuk duron.
Ishin këto bisedat dhe ankesat e grave të mëhallës. Ishin bisedat e mëngjesit !Plot ankesa sikur garonin se kush është viktima më e madhe .
Por, mua dita ditës më rritej rivaliteti me gjelin.
Nuk durohej! Në gjumin më të ëmbël…. kukurikuuuuuu e kukurikuuuuuu pa u ndalur!
Boll më, mendova një ditë.
Ose unë ose ti në këtë shtëpi !
U zgjova atë mëngjes si zakonisht dhe një nga një zgjoheshin edhe të tjerët.

A fjete mirë Ije ? Agë ti a mun u çove?
-Mirë, mirë e ti nuse a fjete?
_Uh bërzotne hiç valla. Sikur da andrra sikur as vet se di. Edhe sot diçka me nji zhig u çova. Se di as vet veç diçka nji mish knusi po më hahet.
U ani moj nuse , e presim nji pulë, shyqyr Zotit oborri me bollyk!
-Jo valla, se di as vet, veç diçka mishi knusit po më hahet. As vet se di, a andërr a çka veç diçka si zhig , njifar huji më ra sot për mishin e këndesit!
Uuuuu ani ani ….
E ku i prishet dëshira nuses re shtatzanë !
Hajrullah Efendija si njeri i urtë që Ishte jep urdhrin !
Knusin ! Menjëherë me e pre ! Menjëherë !
Eh i shkreti . Sikur ia kishte ndjerë zemra. Një ditë përpara nuk iu kishte ndalë goja, ora 4 e sabahut! Kukurikuuuuuuuu kukurikuuuuuu…..
Të thashë ore zotëri këndes , ose ti ose unë në këtë shtëpi . Me Myzën nuk ka lojna!
Aq e pat Këndesi që kukuriste në mëhallën e Haxhi Ymerit, e i dëgjohej zëri deri në mëhallën e Hadumit !
Tash gjumin nuk ma prishte më ai. Por, e gjithë mëhalla kishin blerë këndesa, kur morën vesh që mendjemadhi i familjes tonë, me dëshirën e nuses jabanxhi, kishte hyrë në kusi!
Sikur i vinte inati të gjithëve që vjehrri iu bind urdhrit tim. U çuan të gjithë të blejnë këndesa .
E ku rri Gjakova pa këndesa ?
Lëre lëre se tashmë duhej të përgatitet për strategjinë e radhës ….. kah me ia nisë që nuk më zinte gjumi, dhe si t’më zint, këndesat e mëhallës po më hakmerreshin .

E kishte çuar Zoti peshë Gjakovën! Gjithë Gjakova ishin shndërruar ne këndesa ! Gjumi me iku fare !
Mendoni qe është lehte te jetohet në Gjakovë?
Eeeeh sa marifetin e ka Gjakova ….aty edhe këndesat janë ndryshe.

Të fundit

më të lexuarat