Kalimere – glosë e shqipes

Hajro Ulqinaku

KALIMER/E, -JA f.
Mjet i vjetër i peshkimit. Ka në: Liqenin e Zogajve (liqeni i Baltës, Gjoli, Porti i Gjeranave) që njihet sot me emrin Porti ‘Milena’, (Adem Dema, 95-veç)..
Kush e konstruktoi kalimeren e parë, kur u ndërtua, ku?, nuk ka shënime.

Etimologji, nga vjen emri:
E pyes një peshkatar-detar në moshë mesatare se çka do të thotë emri kalimere dhe a është fjalë shqipe apo malazeze, e ai pa u kujtuar, më përgjigjet shqip, ulqinakshe:

  • Nuk isht greke, kalimera, as malazeze, par isht shqipe: kalim mere, thotë.
    Kujtohej se ishte fjalë e gjuhës greke, ngjashëm si kalimera, kalispera, por ishte mashtrim. Prejardhja e emrit shpjegohet shqip: Në kalim merre peshkun.
    Përpara kanë thanë:
  • Me marrë peshk.
  • Me shku me marrë peshk, pra: jo me gjue (peshkue).
  • Pa shkojmë n’ Port t’ Gjeranave (Portamilenë) me marrë peshk.
  • Ka pasë aq shumë peshk sa s’ka pasë nevojë të zihet, par të merret me karrubë sa da vet.
    (Kështu më ka shpjeguar i ndjeri Xhemajl Fici kur ishte 80-vjeçar, para një çerek shekulli).
    Konstatim logjik: s’ka dyshim, vjen nga kompozita fare e shqipes.

Pjesët e kalimeres quhen: ksolla, sofa, mikali, shtylla, thuprat, kariqi, ura, shtyllat e urës, guri me litar, pesha. (Shpjegim i Jaho Kollarit, ashtu siç ia ka treguar baba plak, Shaqiri).
Është interesant si është formuar kompozita mikali. Hetohet lehtë fjalëformimi: m(b)i + kal(ë), – i.
Peshkohet: kryesisht, qefulli (në tetor-nëntor), kubla (në prill-maj)
Shih: kariqi.

KARIQ, -I m. rrjetë peshkimi; rrjetë katrore me cepa të lidhur në majat e dy purtekave të vendosura kryq, që përdoret për të peshkuar zakonisht në liqen e lumë; shih: kalimere.
KARRUB/Ë, -A f. (arab. karuba) rrjetë peshku me një rreth dhe një dorëz-shkop të gjatë, me të mblidhet peshku (nga fundi i fllugës etj.); karrupë, karruke, krrukme.
CAKONJC/E, -JA (CEKONJCE) f. – rrjetë e posaçme e cila mban edhe 50 kg peshk; rrjetë si thes i vogël me rreth e me bisht, përdoret për të zënë peshk në cekëtina ose për të mbledhur, marrë peshkun nga fundi i fllugës etj.; karrubë, karrupë.

Mjet i moçëm dhe primitiv i peshkimit është koshi – pinari.
KASH – KOSH, -I m. 1. mjet peshkimi në trajtë cilindrike ose tjetër, thurimë me thupra shelgu ose me thupra çeliku, e mbështjellë me rrjetë teli dhe alga, me një grykë për hyrjen e peshkut; 2. shportë në majë të direkut, ku qëndronte shikuesi dhe e vëzhgonte detin, tokën; 3. kosh për parangalla – shportë në të cilën vendosen grepat e mëdhenj për peshkim në thellësi, në detin e hapur.
PINAR, -I m. mjet peshkimi me rrjetë, sidomos pas tërheqjes së ujërave nëpër cekëtina lumi; një farë koshi i mbështjellë me alga, gryka e të cilit mblidhet përbrenda; në të futen eshtra, peshq etj., si karrema dhe, pasi që peshku hyn brenda, nuk mund të dalë më; lëshohet në fund dhe tërhiqet me litar.
Rizaja Harapi – Shurdha (1922 – 2003 – fotografinë e kishte zanat dhe mjeshtëri, por ai i kishte edhe disa pasione të tjera. Tregonte me kënaqësi:

  • Më së shumti e kam dashur gjonjën, gjuetinë në shpesë të egra dhe, sidomos, peshkimin.
    Më kallëzonte:
  • Kemi zënë peshk me pinar, në Bunë, si baba dhe vëllezërit e mi. Kemi zënë edhe nga 200 kg peshk në një gjonjë. Sidomos njala kam zënë shumë. Kam peshkuar edhe me rrjetë me hunj.
    Adem Dema, peshkaxhi i moçëm, 95-vjeç. Si legjendë, më tregon për gjonjën me ‘kalimeren e Preduzeqes’ (Ka qenë e konstruktuar në dy shtylla betoni, te Gryka e Vogël, në Bunë, tej Adës. Kariqi është lëshuar dhe ngritur me çikrik). Me atë kalimere ‘të re’ kanë peshkuar katër peshkaxhi: Shyqo Osmani, Musa Kahari, Nuho Harapi dhe Hamdi Dema. Një herë, për 24 sahat, pa u ndalë, kanë zënë 10 vagona qefull, kokrra të mëdha. Kariqin s’kanë guxuar ta qesin nga uji, sepse do ta shqyente kariqin dhe thyente kalimeren. Gjakun e qefullit, rrjedha e ka çuar deri te Guri i Gjeranave. (S’i kujtohet viti).
    Më tregon një peshkatar:
  • Një herë tjetër, prapë u mbush kariqi përplot, provuan ta qisnin nga uji, por thuprat metalike u lakuan, s’mbajtën as shtyllat e betonit, ra kalimerja e madhe, me gjithë peshk e mori Buna.
    Hava Leskovci, motra, kallëzon:
    Zonja nja 80-vjeçe jeton në Meteriz, e le derën e shtëpisë të hapur. Më pret me përzemërsi, si përherë.
    I shoqi i ndjerë, Qamili, ishte peshkaxhi edhe furrëtar. Në breg të Bunës ala është kasollja dhe kopshti më pemë, për të cilat ka qenë kujdesuar ai.
  • Kur ka qenë koha e gjonjës, kur ka qenë mat gjonje, peshkaxhia ka jetue vetëm në kësollën në kalimere, në breg të Bunës; e ka lagë shiu, e ka tha murrani; ka ndenjë aty mas pa xen denji kokërr peshk, për me mujtë me rrnu. Ka ba jetë të zorshme peshkaxhia.
    Tash nuk është më Qamil Leskoci, as kalimerja dhe kasollja.
    Ka mbetur vetëm Fiku i Qamilit që ende bën kokrra.

Të fundit

më të lexuarat