Nuk besoj se ka dikush nga lexuesit e këtyre rreshtave e të mos ketë dëgjuar për Atlantidën. Po, Atlantida qyteti i cili në pikën kulminante të civilizimit të vet pësoi një fatkeqësi dhe tani për te flitet vetëm si legjendë. Në fëmijërinë e hershme, çdo verë në Ulqin unë me shokët e mi Benin, Besin dhe Sajon merrnim ekspedita eksploruese nënujore. Herë pas Molos së madh te kalaja dhe rreth saj, herë përgjatë plazheve shkëmbore që shtriheshin prej hotel Jadranit të dikurshëm e deri ke Albatrosi. Hulumtimet tona me mjete zhytëse primitive që ishin një “maskë zhytëse” ose ndonjë “syze noti” dhe me nga një “perajë” në këmbë zgjonim kurreshtjen tonë fëmijërore dhe bënim që verërat të jenë përplot me ndodhi e aventura por, për të gjetë ndonjë artefakt nuk kishte ndodhë, jo që nuk kishte por që syri jonë i pastërvitur, nuk dallonte forma të rregullta që do të ketë mundur t’i ketë punuar dora e njeriut. Kësisoji vera vinte e shkonte dhe ne nuk gjenim gjurmët e qytetit të humbur. Shpeshherë mbrëmjeve diskutonim për vendet se ku mund të ketë artefakte që do të vërtetonin teoritë tona por që përveç legjendës për qytetin e humbur të Krruçit dhe shkëmbit të shkëputur i cili sot rri si të jetë anije e gastuar aty, nuk kishim. Një ditë vere nuk e di se çfarë viti por që padyshim se i përkiste shekullit të kaluar, pas një dite me valë të mëdha deti, diku mes hyrjes së dytë dhe të tretë të plazhit të vogël, joshumë larg bregut por që uji mbulonte kokat tona, nga fundi i detit u shfaq konstruksioni i një anijeje druri. Gëzimi ynë ishte i pamasë. Aventura e shpëtimit të anijes filloi. Largonim rërën nga trupi i anijes por që deti lozte me ne dhe e mbushte me më shumë rërë. Ne rrëmihnim rërën por Tritoni (Teti – Deti) ishte më i shpejtë deri sa një ditë e mbuloi të tërin dhe vera iku. Ne u zotuam që verën tjetër me një plan më të sofistikuar të cilin do ta përgatisim gjatë vitit shkollor do ta nxjerrim në mënyrë triumfuese anijen e mbytur në plazhin e vogël të Ulqinit por ja që kaluan gjithë ato vite dhe anija mbeti ende e mbuluar në gjirin e plazhit të vogël duke pritë fëmijë tjerë entuziastë…
35 vite pas kësaj ngjarjeje. Protagonisti i njejtë, qyteti i njejtë, lokaliteti Valdanos. Siç e dini, ky vend ka shumëçka të tregojë, por për fat të keq nuk ka kush ta pyesë. Shumë legjenda, tregime e mistere lidhen me Valdanosin por ato bien në harresë dhe mbesin të paevidentuara. Është ky një liman natyror ku ulqinakët gjithmonë kanë strehuar anijet e veta dhe jeta e përditëshme ulqinake ka qenë e lidhur ngushtë me këtë vend. Sipas një studiuesi ulqinak dikur macja ka ecur kulmeve të shtëpive prej kalasë së sotme e deri në fshatin Krruç. Atëherë sipas kësaj teorie doemos se edhe Valdanosi do të ketë qenë pjesë apo lagje e këtij qyteti dhe se ulqinakët ilirë të këtij vendi janë ata që i kanë mbjellur ullinjtë mijëvjeçar që gjenden këtu si dhe pemët tjera. Pra, Valdanosi karakterizohet me ullirin e vjetër dymijë vjeçar dhe një numër të madh trungjesh të ullinjve që janë më të vjetër se njëmijë vjet. Vendet e rajonit që kanë trungje mijëvjeçare ato i kanë shndërruar në pika atraktive turistike kurse ne as që po mundohemi të kujdesemi sadopak për to. Por, t’i kthemeni nëndetit të Ulqinit. Duke u zhytur në nëndetin e Valdanosti, në qetësinë nënujore shijon pamjet e heshtura të nëndetit. Qefulli gushtak noton në grupe nga 10-15 copë, oktapodi fshihet pas gurëve të ndryshëm kurse iriqët e detit mbahen fortë deri sa mos t’i shqtësojnë ndokush. Në zhytje e sipër vijmë deri te anija e fundosur në plazhin e Valdanosit. Dallohet linja e saj përgjatë së cilës kanë mbetur tulla të ngjitura me njëra tjetrën dhe sot duket sikurse janë një tërësi. Vallë çka ka transportuar?
Disa i nxjerrim jashtë, kërkojmë ndonjë shenjë apo vulë identifikuese, por më kot, përveç se mund të konstatojmë se kemi të bëjmë me dy prerje tullash dimensionesh të ndryshme dhe asgjë më shumë. Në afërsi të kësaj anije mund të gjesh copa porcelani që dikur ishin pjesë të ndonjë kompleti pjatash, filxhanash e që me siguri se kanë qenë pjesë e mallit që ka bartë kjo anije e mbytur diku para 100 vitesh. Nga sasia e nxjerrë e këtyre pjesëve një zhytës tjetër ulqinak ia ka arrit që të kompletojë disa filxhanë. Madje ky nëndet duke e ditë se Valdanosi gjithmonë ka qenë liman natyror i Ulqinakëve në gjirin e vet ka shumë pjesë amforash, qypash dhe enëve tjera të dheut që nga antika e hershme e deri në shekullin e kaluar. Kështu gjejmë pjesë antike amforash nga shek.II p.e.re, por edhe copa porcelani nga shek.XIX. Në Valdanos me paisje primitive mund të shohësh tri anije të fundosura kurse për të tjerat neviten paisje moderne të zhytësve nënujorë pasi që anijet tjera gjenden në thellësi më të mëdha ku uji është më i ftohtë dhe presioni më i madhë.
Diçka që ta tërheq më shumë vëmendjen është forma gjeologjike e nëndetit në pjesën e djathtë të Valdanosit. Zhytjet e shumta dhe vizita e këtyre shkëmbinjëve sipas formës dhe vendosjes të shtyjnë të mendosh se janë formacione muri. Mund të jenë murë rrethues, murë ndërtese, murë faltorje por shumë lehtë mund të jetë edhe formacion gjeologjik të cilën e ka gdhend nëna natyrë me ndihmën e ujit të detit. Fotografitë dhe xhirimet që bëra me aparatin nënujor të shtyjnë të mendosh se janë prodhim i duarve të njeriut dhe atëherë po të ishte ashtu ndoshta do të ishte e mundur të vërtetohej se ndoshta ky vend është edhe Oleotopolisi vendi që e përmend studiuesi ulqinak e që si rezultat i tërmetit të madh në antikitet ka humbur. Për këtë teori i pari ka folë dr.Ushaku, sipas një logjike gjetjet arkeologjike të veglave të punës apo qeramikës në atë lokalitet janë një mbështetje e mirë faktografike mbetet që vetëm përmes zhytjeve dhe kërkimeve arkeologjike nënujore të identifikohen forma të rregullta në zonë të ndonjë banese, muri rrethues apo çfarëdo objekti. Pra, nëse diçka e tillë gjendet apo nëse ky murë që e shohim në fotografi paraqet ndonjë objekt të mundshëm atëherë jemi afruar shumë afër teorisë së qytetit të humbur të Oleotopolisit apo siç përshkruhet në hartat mesjetare Vechio Olcini apo Ulqini i vjetër. Dëshirat janë të mëdha e mundësitë shumë të pakta. A jemi pranë zbulimit të Atlantidës ulqinake – Oleotopolisit alias Ulqinit të vjetër? Mbetet që koha ta vërtetojë përmes hulumtimeve.