Masakra e përgjakshme, ende e fshehur

Është detyrë e shtetit të sotëm shqiptar, por edhe të shteteve të tjera të përfshira në këtë masakër me përmasa ballkanike, veçanërisht e studiuesve, që ta ndriçojnë dhe drejtpeshojnë këtë masakër, jo vetëm për të zbuluar të vërtetën, por edhe sepse akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa kulmi vrastar në Tivar të Malit të Zi dhe në gjithë territorin e Jugosllavisë

Uran Butka

Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për motive politike e spastrimi etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, në marrëveshje dhe bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar, për fshehje të krimit dhe të së vërtetës historike.
Është detyrë e shtetit të sotëm shqiptar, por edhe të shteteve të tjera të përfshira në këtë masakër me përmasa ballkanike, veçanërisht e studiuesve, që ta ndriçojnë dhe drejtpeshojnë këtë masakër, jo vetëm për të zbuluar të vërtetën, por edhe sepse akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa kulmi vrastar në Tivar të Malit të Zi dhe në gjithë territorin e Jugosllavisë.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubrilloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Për Çubrilloviqin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, hercegovas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.
Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ-së dhe i LNÇJ-së ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë“. (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)
Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundër-revolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithë në këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ-së dhe të UNÇJ-së. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër në Kosovë, për ripushtimin e dhunshëm të saj, pas mbarimit të Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të UNÇ të Shqipërisë.
Këtë bashkëveprim ndërmjet UNÇ të Jugosllavisë dhe UNÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviç. (AQSH, Fondi Shtabi i Përgjithshëm, viti 1944, d. 136)
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të UNÇJ-së, i kërkonte Enver Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të UNÇJ-së u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V. Stoiniq, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha, dhe komisari Boshko Çakiq. (Arkivi i FA të Shqipërisë, Fondi Shtabi i Përgjithshëm)
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH-së, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm NÇ, v. II, ff. 160-161)
Po në këtë datë, mentori i Enver Hoxhës, Milladin Popoviq, i shkruante Liri Gegës, e plotëfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I:
“Lajmëro Pavlen (Pavle Joviqeviq, shën. im. UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (AQSH, F. 41, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, v. 1944, d. 158)
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”. (Po aty)
Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH ), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare.
Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e UNÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat