
I lindur në Tiranë më 1878, Ibrahim Dalliu i përkiste vargut të hoxhallarëve të rrallë atdhetarë të kohës, që dha kontribut për kombin shqiptar. Pasi i përfundoi studimet teologjike në Stamboll, ku edhe mori titullin “Hafiz”, qe kthyer në Tiranë për të nisur një veprimtari kombëtare të jashtëzakonshme.
Hafiz Ibrahim Dalliu, përtej që dallohej për nga fakti, siç e karakterizoi veten shqiptar e jo turk (për dallim nga shumë hoxhallarë të kohës së tij), ishte edhe një nga hoxhallarët e vetëm që e mbështeste alfabetin me shkronjat e “gjaurit”, pra me shkronjat latine. Pikërisht për këtë alfabet ai u rrah në mënyrë brutale (si për shembull këmbëve me rrip të mauzerit dhe në shumë mënyra të tjera) dhe u burgos nga autoritetet osmane, sepse “donte ta prishte vatanin” (të shkëputej nga Turqia). Ky hoxhë ishte edhe pjesë e Klubit “Bashkimi” me disa patriotë të tjerë tiranas, mësues i gjuhës turke në shkollën e Filip Ashikut dhe po ashtu një ndër të parët klerikë sunitë që ua mësoi shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe, jo vetëm djemve të rinj por edhe vajzave.
Vuajtjet e tij për çështjen shqiptare dalin në pah në librin e tij me kujtime “Patriotizmi në Tiranë”, ku shpjegon shumë gjëra lidhur me rrethanat shoqërore të asaj kohe. Me interes është edhe kënga që këndohej në rrugët e Tiranës pak para shembjes së Perandorisë Osmane në Ballkan:
“Gjithë te zezat i kam punue,
Por shqip, shyqyr, s’kam këndue”.
Këto vargje i shpjegojnë goxha mirë rrethanat e asaj kohe, të personave që ishin të infektuar me mësimet e hoxhallarëve turq dhe shqiptarë, që e njihnin vetëm “Babën Mret”, pra kalifin e gjithëpushtetshëm që ishte sulltani, si autoritet të vlefshëm. Por Hafiz Ibrahimi ishte kundër kësaj rryme dhe nuk pranonte asnjë autoritet tjetër, vetëm se autoritetin e kombit shqiptar.
Me interes nga kujtimet e tij është dhe një dialog mes Refik Toptanit dhe disa katundarëve në Tiranë:
- Ku shkoni, bre burra? A doni me djegë shtëpinë teme? Ç’ju kam ba unë?
Ata i përgjigjen: - Na ka thirrë Ittihadi me ruejtë lirinë simbas besë që kemi ba.
Refiku u thotë: - A nuk jam unë që ju kam betue juve për të ruejtë lirinë?
- Po, zotni, po na thonë se ju jeni ba shqiptar.
Refiku u thotë: - E po ju, bullgarë jeni? Ta dini se ju kanë gabue e kanë per t’ju hudh në lak. Paçi veten edhe neve në qafë!
Përveç kësaj, Hafiz Ibrahimi e vlerësonte edhe figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si një figurë të lartë shqiptare dhe shpeshherë në kujtimet e tij fliste për një “komb arbnuer” (pra, një komb arbëror, i cili u shua me islamizimin e popullit tonë dhe u zëvendësua me kombin shqiptar, D.B.).
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ky hoxhë që ishte shembullor për të gjithë sunitët, qe burgosur nga pushteti dhe veprimtaria e tij u zhduk nga historiografia shqiptare komuniste.