
(Vijon nga numri i kaluar)
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1 000 kosovarë të pafajshëm”. (Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, viti 1949, d. 191)
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët e Rankoviqit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin”. (Bedri Spahiu, Pretenca në Gjyqin e Lartë kundër grupit trockist, Tiranë, 1949)
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin nga organet shtetit shqiptar komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombas që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi i Ministrisë së Brendshme, d. 1623, deklarata e Zoi Themelit në procesin hetimor ndaj Koçi Xoxes, prill 1949)
Por tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare.
“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”. (A. Hajdini, Letër e Hapur, korrik 2009)
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave (H. Bajrami “Tragjedia e Tivarit”), në Fushë Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj.
“Kur kaluam Pukën, i nxorrën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (Po aty)
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër, gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. (A. Hajdini, Letër e Hapur, korrik 2009)
Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, e komanduar nga Markoviq, pikërisht në Tivar të Malit të Zi, qytet i rrethuar nga deti dhe malet përballë, si një grackë natyrore e mbyllur mirë dhe larg vëzhgimit të ndërkombëtarëve. Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit.
Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë. Rekruti Azem Hajdini, që mundi të shpëtonte nga pirgu i përgjakur i viktimave, e përshkruan këtë masakër çnjerëzore hollësisht, duke akuzuar shtetin jugosllav dhe atë shqiptar për gjenocid, si edhe barbarizmin e focave ushtarake malazeze për asgjësimin e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në Tivar.
Edhe nga kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë, të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Kolona e tretë me 2 680 shqiptarë të rekrutuar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova etj. u nis më 27 mars 1945, e përcjellë ushtarakisht nga një batalion i Brigadës 27 të Jugosllavisë. Sipas raportit të shtabit të Divizionit 46, gjatë rrugës së kalvarit nga Prizreni, ku ishin grumbulluar, e deri në Shkodër, nga Kolona e tretë humbën jetën nga sëmundjet, uria dhe torturat 170 rekrutë shqiptarë, pjesa tjetër u masakrua thuajse plotësisht në Masakrën e Tivarit, më 31 mars 1945 dhe në rrugëtimin e tutjeshëm.
Luftëtari i Brigadës IV, mandej ushtarak i lartë i Ushtrisë Jugosllave në Shkup, Bajram Gola, i cili u mor me kurajo me studimin dhe denoncimin e Masakrës së Tivarit, sjell fakte dhe dëshmi nga kjo plojë e përgjakshme:
“Përgjatë rrugës Prizren, Kukës, Shkodër, Ulqin, Tivar do të mbesin gjurmët e përgjakshme të gjakut. Të lodhur e të rraskapitur nga udha e gjatë, të uritur, të djegur e të përvëluar nga etja, për shkak se nuk i linin as të pinin ujë, as t’i kryenin nevojat fiziologjike. Pasi arritën në Tivar, i vendosën në mes të detit dhe mitrolozave të Brigadës X malazeze rekrutët shqiptarë, që i kishin përcjellë nënat shqiptare të luftonin për çlirimin e Jugosllavisë”.
Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, numrit prej 2 933 vetësh të masakruar në Tivar, Trogir, Dubrovnik etj., po t’i shtosh shifrën prej 1 000 shqiptarësh të vrarë e të zhdukur në Shqipëri, sipas dokumenteve jugosllave e shqiptare, rezulton shuma prej 3933 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e quajtur të Tivarit.
(Fund)