“Grimca”, nga vizita e parë në Shqipëri

Asllan Bisha

Maji i vitit 1972 ishte kthesë në jetën time. At pranverë u vendosa në shtëpinë e dajës në Lagjen Mera të Ulqinit. Ai u shpërngul në Amerikë. E gjithë shtëpia e tij mu dha në mbikëqyrje me një qira të volitshme. Babai e la fshatin, vendosi të dalë në qytet. Lotët i rrodhën rrëke ngase linte vendlindjen. Nipi i thoshte dhe ngushëllonte “Shko pas djalit”. Djali të martohet, është i punësuar, edhe djemtë në qytet do të gjenden. Nëse nuk të pëlqen, katundi nuk të ikë. Dhe babai m’u mësua shpejt në qytet. Bëmë edhe dasmë dhe hapëm konakun e ri. U hap një faqe e re në jetën time. U hap fjala se gjimnazi i Ulqinit shkon në shëtitje në Shqipëri, shoku im Petri më kumtoi lajmin. Unë kam vendosur ta vizitoj Shqipërinë. Eja, më shoqëro, do të jemi bashkë. Isha zënë ngushtë, nuk kam para të mjaftueshme, bëra dasmë,-fola qetë. Është çmimi i përshtatshëm, kuptoj, por nëse ke problem me të holla të ndihmoj unë. Ti m’i kthen. Unë isha në dilemë, edhe pse dëshira ime ishte e madhe për ta vizituar Shqipërinë, ishte mollë e ndaluar, por dëshirë sidomos e mësimdhënësve shqiptarë të asaj kohe. Dhe të nesërmen shoku im më kishte regjistruar, edhe në drejtori më kishte rregulluar lejen shtatë ditore. Dhe ne iu bashkëngjitëm grupit të profesorëve të gjimnazit. Ishim të lumtur dhe kureshtarë. Jehoi kënga posa shkelëm tokën shqiptare. Këngë pas kënge arritëm në Shkodër. Një turmë e madhe na priti para hotel ,,Rozafës,, në Shkodër. Një pritje e ngrohtë, m’u afrua axha Ragipi me të shoqen dhe qante si fëmijë, ndërsa e shoqja e përmalluar pyeste për të afërmit saj që i kishte lënë si vajzë në vendlindje. Ishte ndarë nga vendlindje në vitin 1948 kur u mbyll kufiri. U martua në anën e majtë të Bunës , kurse fëmijërinë e kaloi në bregun e djathtë të Bunës. Shoqëruesi mezi priste të lëmë Shkodrën. Dhe pasdite arritën në Durrës, po ashtu na rrethuan durrsakët, të cilët me mallëngjim pyesnin për ulqinakët të afërmit e tyre. Pasi unë isha nga Ana e Malit u thosha se nuk i njoh ulqinakët, ngase jam nga rrethi. Më vinte keq që s’mund t’u jepja informata. Syri i shoqëruesit na përcillte. Ai bile edhe mu qep. Ishte më i riu në grupin e mësimdhënësve. Unë isha matur, por flisja të vërtetën se isha bir fshatari dhe jetoja në shtëpinë me qira, ndërsa shoku im po ashtu fliste të vërtetën se ishte në gjendje të mire ekonomike dhe merrej me bujqësi dhe turizëm. Kishte një standard të kënaqshëm. Ai sikur u lirua me ne, nisi të na provokojë për socializmin shqiptar. I thoshim se nuk jemi të Partisë komuniste dhe jemi vetëm mësimdhënës që e duam dhe punojmë për të mirën e shqiptarëve në Jugosllavi. Kemi dëshirë të kemi raporte të mira me shtetin amë. Nga kush keni frikë?- pyeste shoqëruesi jonë. Cili është? Jo s’kemi frikë, por s’e dimë, ishte përgjigjja jonë. Dhe kudo që shkonim hetonim se ma përcjellin grupin dhe një pabesi dukej qartë. Kushëriri, axha si e quanim m’u shpreh haptas. Të jesh i kujdesshëm. S’kemi asgjë, për një fjalë goje shkohet në burg. Kur u ndamë nxora 100 dollarë dhe i thashë të blejnë diçka nga unë. Axha kur e pa monedhën , nuk pranoi ta fusë dorën në xhep. Janë shumë para. Si marr assesi, mezi e binda dhe i thashë “këto i kam marrë për t’i shpenzuar me shokë, por këtu çdo gjë qenka e kemi të paguar. Është shumë mërmëriste. U përqafuam. Edhe tjerët të përshëndesin, edhe nipi jonë oficer Fadili ka qenë, por s’ka guxuar të kontaktojë me ty. Përshëndeti të gjithë, i thosha Xha Ragipit dhe nga dora hoqa orën ,,Omega,, të cilën ma kishte blerë vëllai për martesë. Axha kishte mbetur i stepur, qante si fëmijë. Unë isha i lumtur për axha Rakipin. Ai dikur peshkatar i Bunës në çiftin e parë të klabave na dërgonte, ne na kishte thënë disa herë babai. Në hotel ,,Volga,, buzë detit u mësuam shpejt. Unë e shoku im ishim të qetë, ngase nuk kishim vizita dhe të afërm ulqinakë në Durrës. Bile kamerierët silleshin shumë ngrohtë me mua. Dhe menynë time e sillnin me peshk me barbuj. Grupi ynë vizitoi Krujën. Në mbrëmje na shoqëruan ,,Pleqtë e Krujës”. U bë një atmosferë e përzemërt. Shoqëruesi m’u afrua edhe më shumë mua, ngase në muze kisha shkruar përshtypjet. Isha në ankth nga shkrimi. Udhëheqësi i grupit tonë, drejtori Dukaj, u lut shumë të shkruaj unë dhe më porositi aman mos lavdëro shumë, mos ha…Të lutem kam respekt për ty, i zënë ngushtë, pranova. Ndërsa drejtori as lexoi fare çka kisha shkruar. Si duket shoqëruesi e dinte se unë jam i besuari i grupit. Pasi u kthyem të nesërmen në ,,Volga,, më tha dua të bisedoj me ty pas darke. I tregova shokut. Ai më shoqëroi derisa erdhi udhëheqësi i grupit ,jam i lodhur, shkova në dhomë për të pushuar. Thirri kamerierin, por shoqëruesi i tha. Unë paguaj, jeni mysafirët e mi .Ai çoi dolli me raki Skrapari. Unë cakërrova, edhe gotën e dytë dhe të tretë. Ishte raki burrash e fortë, por unë i dobët, nuk isha i rakisë. Në tavolinë ishte fotografia e Enverit, mbi të një qelq. E sheh xhaxhain?-më pyeti ai disa herë. Unë doja t’i bishtëroj pyetjes, ngrija gotën. Pas gotës së pestë u trimërova, i thashë : O zotëri, unë s’e dua Titon që kam rrogë mbi 600 dollarë, e jo ta dua Enverin, ngrita zërin. Unë dua liri, ajo s’po ardhka në Shqipëri, as për ne shqiptarët e Jugosllavisë . Ai filloi të dridhej, skuqej. Mos bërtit. Ule zërin, të burgosin ty, por edhe mua. Mos të lutem! Shiko abash, fati e desh s’kishim kë afër. Të shkojmë. Desha të paguaj. Jo, të kam ftuar unë. Bisedojmë nesër. S’më ke thënë asgjë, as të thashë. Do ta përshëndes shokun tënd. Mbërrita te dhoma, shoqëruesit, trokitja Kujdes shokun, kemi pi raki Skrapari, kemi kaluar shumë mirë. Ma shtërngoi dorën.Të nesërmen, unë isha kthjelluar. Shoqëruesi më rrinte larg, isha i lumtur, mezi prisja ta lë Durrësin. Ishte vizita e parë në Shqipëri.

Të fundit

më të lexuarat