Gjurmëve të dokumenteve historike

Një numër i shqiptarëve kanë arritur të vendosen në Kotorr, në Bokën e Kotorrit, i cili në atë kohë sundohej nga Venediku. Në shekullin XV Statuti i qytetit të Kotorrit tregon se aty jetojnë “Arbanensis Sclavus vel Vlachus”

Sami Flamuri

Pjesa e territorit nga Herceg-Novi gjer tek Ulqini (Dulcigno) gjatë shekujve XVI-XVIII nuk e ka ndarë as fatin historik të përbashkët, as kufirin e definuar, as një emër të përbashkët. Ajo në fakt përbëhej nga pesë kështjella, kala të fortifikuara, me një popullatë jo të dendur qytetare – Herceg-Novi, Kotorri, Budva, Tivari (Antivari) dhe Ulqini, ku edhe qëndronin formacionet ushtarake të vendikasve dhe ato osmane. Natyrisht, përpos tyre, kishte edhe fortifikime më të vogla.
Qyteti kryesor gjatë sundimit venedikas ishte pa dyshim Kotorri me rrethinën e Bokës (së Kotorrit), e cila përveç gjirit të saj përfshinte Grblin (Grbalj), Budvën dhe Pashtroviqët. Edhe pse në shikim të parë kemi gjeografikisht një territor homogjen, ai ishte i prerë me toka nën ndikimin osman, andaj kemi edhe ndarjen e kufirit (hududit) në shumë pjesë venedikase dhe nga ana tjetër osmane (turke).
Por sa i përket emrit të rajonit, në analet venedikase njihet me emrin e përbashkët “Albania Veneto” (Shqipëria Venedikase).
Në Ulqin, proveditori (providur) – ”ai që i mbikëqyrë gjërat” mbante titullin “Provveditore estraordinario di Cattaro et Albania” dhe këtë nderim e fitoi nga Senati, më 31 tetor 1499 A. Mikael, fisniku dhe kapedani ulqinak.
Një numër i shqiptarëve kanë arritur të vendosen në Kotorr, në Bokën e Kotorrit, e cila në atë kohë sundohej nga Venediku. Fjala “Boka” vjen nga latinishtja Bucca, italisht Bocca = goja.
Në shekullin XV Statuti i qytetit të Kotorrit tregon se aty jetojnë “Arbanensis Sclavus vel Vlachus”. Nga viti 1535 deri në vitin 1786 Kotorri ishte qendra më e rëndësishme e shërbimit postar midis Venedikut dhe Stambollit. Që nga viti 1578, menaxhimi i postës së Stambollit u bë përgjegjësi e familjes Bolizza.
Në vijim të këtij shkrimi do të flasim në pak rreshta për këtë familje fisnike, e cila pak njihet në analet e historiografisë mesjetare shqiptare të kohës.
Ndër familjet më në zë janë anëtarët e familjes Bolizza, të cilët në shekullin XV ishin fisnikë me emër që bënin tregti, sikurse Tripo Bolizza, Nikolla Bolizza, Marin Bolizza, Vicko Bolizza, Lambro Bolizza, ser Dobrushko Bolizza dhe auditori Drago Bolizza. Në shekullin XVI ser Nikolla Bolizza “dictus Chochoglia” ishte në krye të vëllazërisë së shpirtit të shenjtë, një kohë Tripo dhe Ivan Bolizza ishin komandantët e stradiotëve (shek. XVI), në shekullin XVII kavalierët Franjo dhe Ivan Bolizza, gjykatësit Ivan dhe Luka Bolizza, poeti Vicko Bolizza (Jeta e hyjnores Ozana). Sikurse edhe te Tripo dhe Ivan Bolizza, nganjëherë mbiemrat e tyre ndeshen në formën Bolizza – Kokoljiq.
Ruhet edhe dëshmia e Marian Bolizzës, ku tregon se shënjestra kryesore e anijeve kusare nga Ulqini (Dulcigno) janë pikërisht anijet e mallrave që ngarkoheshin në Shqipëri (Albania-Veneto) me drithëra drejt Kotorrit (Cattaro). Bolizza shton se banorët e Perastit dhe Kotorrit, me varkat dhe fregatat e veta me vela hynin në liqenin e Shkodrës, pikërisht sepse kusarët ulqinakë i sulmonin në Shqipëri.
Librat noteriale i përmendin shqiptarët edhe si banorë të rrethinës së Kotorrit, Zhupës së Grblit dhe Krivoshisë. Sipas Dr. Nevenka Bogojeviq – Glushçeviq, në Grbal përveç sllavëve kishte edhe ardhacakë shqiptarë, lehtë e dëshmuar kjo nga një dokument i vitit 1332.
Në një dokument tjetër, të vitit 1339, banorët e Grblit janë të barabartë me të gjithë në komunë (Urdhri: ”De Arbanenses et Sclavi qui Stentin Zoppa de Gherbili”).
Ata merreshin me bujqësi, blegtori dhe transportin e mallrave si qiraxhinj. Në shekullin XV shumica e tregtarëve nga Shqipëria i kanë transportuar mallrat tregtare përmes rrugës detare nga Shqipëria (Albania-Veneto) në Kotorr.
Në majin e vitit 1474 venedikasit dërguan gjashtë veliera në Shqipëri. Për proveditor (i dërguar i posaçëm) të Shqipërisë u emërua Leonardo Boldo, i cili ishte njohës i mirë i rrethanave, kurse për udhëheqës të Shkodrës u vendos Antonije Loredano, i shquar për trimëri. Kishte deri në 2 500 veta. Në korrik kundër tij u vërsul Sulejman Pasha me ushtrinë që numëronte 80 000 ushtarë dhe 10 000 deve të ngarkuara me municion. Shumë shqiptarë u bënë pjesë e flotilës venedikase dhe ishin të çmuar si ushtarë.
Në bazë të kërkimeve etnologjike, familjet që u shpërngulën nga Shqipëria në shekullin XVI ishin katër vëllezërit Dapçaj, nga ku lindën vëllazëria e Radojve (Radoviqi), Milo (Miloviqi), Nikaj (Nikoviqi) me fshatrat e emërtuara me të njëjtin emër, dhe Rautët (Rautoviqët) në Goqa. Me ta ndërlidhen edhe farefisnia e Bogajve (Bogishiqi), Kika (Kikanoviqët), Gjurajt dhe Stjepajt.
Po ashtu në shekullin XVI nga Shqipëria kemi edhe ardhjen e Krshancve, Rusajt dhe Paladaçi (te Lushtica), Radovanët dhe Mavriqët (në lagjen e Perajve), Miloshi dhe Gjinajt (në Goshice), Shtileta (në Leshaj), Gilja dhe Maraj (në Goboviqe), Klakorajt dhe Peri (në Gjurashaj), Netajt dhe Vuçanajt në Kotorr, Skenderi (te Pashtroviqet), Barba (në Grbal), Gavrajt (në Sutorinë). Në Prçanj u shpëngulën familjet Muzaqa, Galata, Sbutiga (më vonë Sbutega). Në Kotorr më 1595 përmendet një punonjës me lëkura Nikola Albanese. Kurse familja Gjoni vendoset në Herceg-Novi në shek XVII.
Ndër banorët e lashtë të Shën Stefanit ndërlidhet familja shqiptare Kruta (Krytha), me origjinë nga Shkodra. Me ardhjen e turqve, ata janë shpërndarë në disa anë – disa në Hercegovinë, pastaj në Bokë (lagja e Pashtrajve), kurse ata të Praskavicës janë vëllazëruar me Lubishët.
Disa prej tyre u janë bashkëngjitur venediksve, ku edhe kanë pasur karrierë ushtarake, sikurse Mihail Kruta, Dod Kruta, kurse don Blazh Kruta (Crutta) vdiq në vitin 1630 si klerik në Zarë.
Kanë qenë me nam për trimëri, ku bajraktari Frano Kruta në vitin 1689 udhëhiqte ushtrinë me rreth 6 000 bokelas dhe 3 000 morlakë në pushtimin e Neretvës.
Nga kjo familje me emër vjen edhe famullitari i Budvës, Ferdinand Kruta, nga viti 1641 edhe kryepeshkop i Shkodrës; pastaj Lazër Kruta, famullitar i dioqezës së Lezhës, dhe Kristof Kruta, nënpeshkop në Lezhë.
Përkthyes në Konsullatën e Anglisë në Qipro ka qenë edhe Jan Kruta (1695-1777). Ai kishte dy djem: njëri, Anton Kruta, vazhdoi punën e babait, por në oborrin venedikas, kurse djali tjetër Pjetri në atë anglez. Më 1765 Anton Kruta mori ofertë të punojë në Varshavë si njohës i mirë i lindjes së mesme. Ishte poliglot. Fliste turqishten, persishten, arabishten, latinishten, greqishten, italishten, frëngjishten dhe shqipen. Më vonë mësoi edhe polonishten. Kuvendi i Polonisë, më 1775 ia dha titullin e feudalit. Ishte i martuar me një greke – Maria Kacafili de Kristofori, kurse vajza e tyre Elizabeta u martua me oficerin polak Anton Bedlinski.
Ai më 1807 përcillte në Varshavë ambasadorin turk në biseda me Napoleonin. Polonia e angazhoi Pjetrin si përkthyes të tyre në Stamboll. Derisa jetonte në Varshavë, ai ishte i lidhur me jakobinët.
Kur më 1794 shpërtheu revolucioni, ai u dërgua në Stamboll që të krijojë lidhje me ambasadorin francez. Ndërsa vëllai i tretë – Domeniku punoi si mjek në Qipro, ku pastaj shkoi për Rusi, ku shihet se jetonin kushërirët e tyre Jozef dhe Aleksander Kruta.
Sot në Mal të Zi, në pjesën e Grblit (fshati Glavati) jeton vëllazëria Kruta. Sipas gjuhëtarëve shqiptarë, emri “Kruta” ka të bëjë me fjalën ”krye”.
Nga viti 1698 Shimrakët u shpërngulën nga Bosnja në Bokë, përkatësisht në Perast (në Zelenikë ende jetojnë pasardhësit e tyre). Të parët e peshkopit dr. Janko Shimrak, me lindje nga Zhumberku i Hercegovinës, ka jetuar në shekullin XIX, vinë nga fisi i Mirditës.
Mbiemri Gjaja (Xhaja), përveç Hercegovinës dhe Dalmacisë, shfaqet edhe te bregdeti i Malit të Zi.
Në shekullin XVIII në Risan, Bokë të Kotorrit përmendet kapedani i vjetër Pjeter Xhaja, i cili ia dha një zog laraman Shtjefnit të vogël, i cili edhe e quajti mbret, nga edhe më vonë u vetëdeklarua si mbret! Po në të njëjtën kohë (1768) ulqinakët shkretëruan Brajiqët, Poborin dhe Maina, pikërisht sepse populli i Risanit përkrahte Shtjefnin e vogël.
Në Perast ndeshim edhe vëllazërinë e Burrit (Buroviq). Vlen të përmendet se nga periudha 1720-1755 janë evidentuar 28 sulme kundrejt anijeve nga Perasti me ekuipazhin e tyre nga ana e kusarëve ulqinakë.
Në studimet e botanistit Jovan Cvijiq ”Gadishulli Ballkanik dhe tokat sllave të jugut” (1922) supozohet se dyndja e ardhacakëve nga Hercegovina dhe Mali i Zi në Bokë, në kohën e Perandorisë Osmane dhe më vonë, gati në tërësi e tjetërsoi popullatën e vjetër të Zetës (vjen nga fjala shqipe “xet”), shumicën e arbanasve (shqiptarëve) dhe tek e tuk, në mënyrë të rëndomtë ndonjë venedikas.
Proveditori gjeneral për Dalmacinë dhe Shqipërinë shkruan më 1753 se në provincat e tij, Dalmacia e Epërme dhe ajo e Poshtme, jetojnë shumë ndjekës të kanonit grek, që d.m.th. se janë sllavët e besimit ortodoks.
Drejtuesi i Napoleonit për Dalmaci – Dandolo, kishte urdhër të prerë, ku më 1807 udhëzon: As prifti grek nuk mund ta martojë latinen, as ai latin greken.

Të fundit

më të lexuarat