
Vend i bekuar, vend i diftongjeve që këndshëm tingëllojnë në të folmen e këtij vendi, vend i maleve të nalta, vend i shqiponjave që hieshojnë qiellin, i gështenjave mijëravjeçare dhe i liqenit të Labeatëve. Kurse vendasit nuk janë veç gem, jam rrënjë në truallin e lashtë të këtij trolli të bekuar, janë ezhgja që mban gështenjen. Kurse unë e dua krejt natyrën dhe çdo gjë që Zoti ka falë mbi këtë dhe, por më së shumti i dua gështenjat që janë shenjë e vjetërsisë dhe dëshmitare të kohërave e epokave.
Trungu i tyre i lashtë mban të fshehura gjurmët e kohës dhe ngjarjet. E unë kur shkoj nën hijen e tyre kam dëshirë të flas me to e ti pyes: O pemë fisnike të këtij vendi, a u ndjetë krenare kur rrugës që bukur e hijeshoni kaluan njerëz e personalitete të këtij trualli? Bashkë me fëmijët e udhëtarët që kaluan e pushuan nën hijen tuaj, gjetët qetësi edhe ju dhe frymuat jetë dhe plot i mbushët gemat tuaj. A u ndjetë krenare kur rrugës tuaj kalonte fisniku, princi ynë Gjon Vlladimiri? Po për fatin e tij a qatë kur e tradhëtuan dhe nuk i mbushët gemat? Po zogjtë që pushonin në gemat tuaja a nuk u turren në fluturim?
Ah, tokë e Zotit!
Krajën e bëjnë nuse Rumia e Shkodrës, gështenjat mijëravjeçare, Ublat e Bolajve, Ubla e Gjon Vlladimirit dhe Kosarës , Kisha e Shën Mërisë që është simbol i sakrificës dhe përkushtimit të gruas ndaj burrit, xhamitë me ezanin që thërrasin për lutje ndaj Krijuesit, paqës e mirëkuptimit. Po gjyshet, nuset e vajzat që veshin herë me raste e herë përditë veshjen e bekuar të këtij vendi, a nuk e bëjnë Krajen nuse? Po vendasit që frymojnë në Krajë a nuk janë varg i florinjtë? Po një foshnje që lind në Krajë a është më shumë se bekim, a nuk është një filiz që pret me u rrit në mitër të kësaj nuseje. Por, malli i mërgimtarit e përlotë këtë nuse ashtu si vesa që lag mëngjeset.
Gështenjat kanë shpirt
Gështenjat mijëravjeçare të familjes ku jam e martuar gjenden në Curaj Nalt. Këto pemë dikur janë quajtur dhe pema e bukës, sepse në mungesë të miellit për të gatuar bukën, buka është gatuar nga mielli i gështenjave.
Për këtë arsye gështenja është më shumë se një pemë, sepse të mban në jetë kurse tokën nën këmbë ta bën më të sigurtë. Gështenja është edhe pema e familjes. Pranë dy gështenjave mijëravjeçare rriten edhe dy gështenja të njoma, të cilat gjyshi i fëmijëve të mi i ka mbjellur si dedikim për këto filiza të reja të familjes tonë me simbolikë vazhdimësinë e trungut familjar.
Të parat janë boçat e pastaj gardhet, nuzet, mollëkuqet, kadenxhiket, kryezezat, dielaçat, bashmadhet, dajllekët, e më në fund xhabengat, lloji ky më i bukur dhe më i shijshëm i gështenjave e që më së shumti ka në Arbnesh dhe në Ostros. Unë i dua të gjitha, sepse secila ka veçantinë e vet.
Brumos me dashuri
Gjëja më e shtrenjtë që e mësojmë nga nënat është me dashtë, se na për me dashtë jemi brumosur. E këto veçanti tonat mijëravjeçare është gjynah mos me i dashtë. Duhet ta duam jo vetëm pemën (gështenjën), por historinë e saj, trungun, qëndresën, mesazhin e jo veç frutin që bukur e mbulon me ezhge. Ne të gjithë e kemi një kënd, një vend ku shpirti na gjen qetësi, ku një zemër prehet e dëgjon zërin e natyrës, e vetë natyra të bëhet prehër.
Distanca ndërmjet rrugëve të zemrës e dashurisë për natyrë e vend të vet, nuk ban me u shkurtua edhe pse erërat fryjnë e shkundin gemat e frutet i kalb dheu.
Koha ikën e ne ikim me kohën, na tretë koha e dheu, por dashuria mbetet kudo, në ajër, në qiell e tokë.
Nën pemën e gështenjës më së shumti i dua gratë e katundit të cilat shoqërisë sonë i japin atë çka kanë mësua e çka dijnë. Këto gra me mindila në krye nën gemat e gështenjës, janë modele që kurrë nuk iu del moda, janë shpirti punëtor i shoqërisë sonë. Buzëqeshja e tyre e sinqertë teksa mbledhin gështenjat rrafsh për tokë që t’i shesin në pazar ta kënaq shpirtin. E unë i dua gratë e këtij vendi se janë varg florinjsh në zingjirin e historisë e vajin në sy mundohen shpesh ta fshehin njëjtë sikur gështenjat që fshehin vitet.
Nën gështenjat e këtij vendi nuk ka vend smira e inati, nën hijen e gështenjave marrja ul kryet dhe zemra mbushet me dashuri dhe mëson se si ta dojë botën, ujin që buron, zogun në fluturim, djepin që përkund foshnjen, kurse dorën me ia shtri nevojtarit e kujtdo që është lënë në pluhurin e harresës.
Gjethet tashmë janë zverdhur e bukur e mbulojnë tokën, e ju çdo ditë shkundni hirin tuaj, nurin tuaj në vjeshtën e bukur. Kush më bukur se ju e qëndis jorganin, a më thoni o gështenja të bekuara?
Jorgani me të cilin ju e shtruat token, është duvaku i kunorës tuaj! E ju temena i bëni veç Zotit!
Kraja me veçantitë e saj është frymëzimi i artistit, është melodia e pasosun e tingujve të jetës.
Një ndodhi te pylli i gështenjave
Një kompozitor nga Shkodra (Prenkë Jakova, mësues në Ostros) pat shkrua gjatë kohës kur punonte si mësues në Krajë (1941-42).
“Një ditë, me një klasë, dolme me shetit, tek pylli i kështenjave. Tek një ubël, pashë një vajzë të re, tuj mbushë ujë. Sesi mu duk! Si nje shtojzavalle, që deri at’here, nuk e kisha pa, kërkund tjetër. Nuk e di se ç’ka pata. Më erdhi nje frymëzim, dhe me njëherë, nxora një teftere dhe fillova, me hedhë, një vjershë, që m’duel prej zemres. E ma vonë, bana nji kangë, me të por partitura nuk e di, se ku, më pat hup, por edhe sot, nuk më hiqet prej mendesh, ajo melodi e bukur, që mi pat marr mendët, për nji kohë shumë të giatë”.
“Vashës krajane”
Te nji ubel, tuj mbush uj,
Pash një vashë e s’ja thash kuj.
Vesh në t’bardha, për marak,
Nuk qe vash, por qe zamak.
Sa keq më erdhi që ndejta aq pak në atë vend të bekuar me ata njerëz të mrekullueshëm e të qetë…!
Në vend të një urimi!
Kraja është buka e mbrume me besë e burrëri, e besa e burrërija, mikpritja janë tipare të një populli të urtë e bujar, një populli të lartësuem dhe të afruem te Zoti i gjithësisë.
Me urimin që del nga zemra e ushton si kënga maje krahut, uroj që trungjet mijëravjeçare t’i mbushin gemat e tyre përherë!
Lindjet dhe perëndimet e diellit këtë vend mos ta gjejnë të vetmuar, por plot ashtu si është edhe shpirti i këtij populli plot me dashuri për vend të vet.
Uroj sa ma shumë rërnjë që e mbajnë gjethin lart, e kur malli ta vyshk gjethin atëherë le të ndodh takimi!
Uroj sa ma shumë gjethe që mbulojnë rrënjën në mbrojtje nga dimri i ftohtë në pritje të pranverës!