“Ju nuk bëni një fotografi, ju e krijoni atë.” – Ansel Adams
akimi im i parë me fotoaparatin ishte në Ulqin në fillim verën e vitit të largët 1979. Atëbotë daja im, tashmë i ndjerë, Aliu, më mori me vete në sanallin e tij dhe me këtë rast i asistova në fotodokumentimin e rrëzimit të hotel “Jadranit”. Nga Gjiri i Ranës, mes Kalasë dhe Kepit të Sukës, daja im shkrepte fotografi nga anija që pluskonte në det, kurse unë përcillja gjithë ngjarjen pa bëza dhe me shumë kureshtje. Më kujtohet sikur të kishte ndodhur dje kjo skenë e minimit të këtij hoteli që i bënte karshi kalasë mijëvjeçare dhe me këtë rast, për herë të parë mu ofrua mundësia të mbaja në dorë një aparat fotografik. Ky aparat fotografik ishte i markës Kodak dhe merrte një lloj filmi të quajtur 126mm. Daja fiksoi rënien e hotelit nga deti, kurse kur dolëm në tokë ai ma dha aparatin e tij dhe unë pata mundësinë të fiksoj fundin dhe shuarjen e lavdisë së një hoteli nga periudha e artë e turizmit të Ulqinit.
Që nga kjo kohë filloi interesimi im për fotografinë. Por, të posedoje një aparat fotografik ishte luks i vërtetë deri sa për punimin e fotografive duhej një pasuri e tërë. Aparati im i parë serioz për kohën (flasim për vitet 80-ta të shek. XX) ishte një aparat fotografik i prodhuar në Gjermaninë Lindore, i markës “Praktica” dhe i blerë në tregun e “polakëve”, te stacioni i vjetër i autobusëve diku në vitin 1985-86. Në vitet e 80-ta përveç turistëve perëndimorë të cilët ne në Ulqin të gjithë i thërrisnim me një emër të përbashkët “gjermanë” në Ulqin verës gjithashtu vinin edhe turistë të bllokut socialist si çekë, polakë, hungarezë e gjermano-lindor të cilët tok i quanim “polakë”. Këta vinin për pushime në Ulqin dhe me vete sillnin pajisje të vogla shtëpiake dhe rraqe të ndryshme gjë që e dinin se do t’i shisnin gjatë pushimeve. Kësisoj ata kalonin pushimet “pa para”, madje ndoshta edhe fitonin diçka.
Në këtë mënyrë, aparatin tim të parë fotografik e bleva nga një “polak” i Çekosllovakisë dhe fillova aventurën time të fotografit entuziast. Me këtë aparat, në vitin 1988-89 fiksova disa protesta të punëtorëve të larguar nga puna në bazë të masave të dhunshme të vendosura nga regjimi i Millosheviqit. Janë këto fotografitë e mia të para dokumentare sa amatore aq të bëra edhe me një dozë frike të dyfishtë: në njërën anë nga policia dhe në anën tjetër nga vetë protestuesit, sepse mund të keqkuptohej veprimi im. Kur erdhi vera fotografitë i zhvillova këtu në Ulqin dhe nga i gjithë shiriti filmik dolën disa që kishin nota kaluese. Fotografi Rizo Shurdha, i cili m’i punoi fotografitë duke parë varganin e madh të njerëzve më tha: “I ndjeri paska qenë njeri i mirë. Paska pasur ‘xhemát’ të madh”. Unë vetëm pohova me kokë dhe kuptova se ai ishte duke menduar se kisha fotografuar një kortezh.
Atraksioni i bërjes së fotografive ishte i veçantë në Ulqin. Në qytet, po se po, por edhe plazhi kishte disa fotografë të cilët ofronin shërbimet e veta të fotografimit. Plazhi si “parajsë” e shumëfishtë paraqiste një vend adekuat për bërjen e fotografive meqë edhe koncentrimi i turistëve apo klientëve potencialë ishte më i madhi në një vend. Konkurrenca ishte më e madhe, andaj edhe secili nga fotografët, përveç fotografimit ofronin edhe atraksione të ndryshme si bërja e fotografive me sanall, me sombrero (kapele e madhe meksikane), me ndonjë kafshë si gomar e më vonë edhe me majmunë etj.. Plazhistët bënin fotografi familjare në breg të detit dhe si rregull i pashkruar ka qenë që përveç se në det fotografia doemos duhej bërë edhe në rërë, nën çadrën e diellit. Kështu një familje kishte mundësi të bënte edhe nga 3-4 poza me më shumë fotografi. Fitimi për kohën ishte e kënaqshëm. E veçanta e kësaj ishte se paradite fotografoheshe dhe në mbrëmje kishe mundësi të shkoje në dyqan e t’i merrje fotografitë, ose të nesërmen po në plazh i sillte fotografi. Për kohën kjo ishte revolucionare sepse ditëve të rëndomta në Ulqin, dyqanet e fotografëve, fotografitë i punonin dy herë në javë, të hënave mbrëma dhe të enjteve mbrëma. Si i vogël kujtoj këto dyqane të fotografëve: Foto Pinjeshin me fotografin që edhe vetë ishte atraksion Rizo Shurdha, pastaj Foto Pristani me Gano Ustabeqirin dhe sanallin e tij të veçantë, Foto Lika me Hajro Likën dhe Foto Bruno me Berhan e Shyqo Likën. Në Ulqin fotografja e vetme femër ishte bashkëshortja e Rizos Shurdhës, zonja Nada, kurse në Katërkollë punonte edhe Dan Xhurreta, i cili më tepër ofronte shërbime të fotografive për dokumente personale. Në Tivar ka pasur dyqanin Jusuf Lika kurse Anto Bakoviqi fotograf nga Tivari ka bërë shumë fotografi monumentale të shekullit të kaluar me motive nga Ulqini.
Meqë ulqinakët duke u bazuar në sezonin turistik, gjithmonë ndarjen sezonale e kanë bërë me verë dhe dimër, kurse për ta pranvera dhe vjeshta nuk janë përmendur, kësisoj dimri (lexo vjeshta dhe dimri) ka qenë relativisht i gjatë. Andaj disa djem të ri ulqinakë për hobi kishin zgjedhur fotografinë dhe në shtëpitë e veta kishin, përveç aparat fotografik edhe aparate për zmadhim dhe punimin e fotografive.
Për punimin e fotografive të gjithë shfrytëzonin një lloj aparati zmadhues çekosllovak të quajtur “Opemus” dhe i cili zakonisht ishte blerë në Poloni, Çekosllovaki ose në tregun e polakëve në Ulqin. Sipas njohurive të mia, gjithnjë flas për vitet para 90-ta të shekullit të kaluar, kësi lloj zmadhues kanë pasur: Zahid Mavriqi, Xhemal Peroviqi, dr Fero Zhygjeli, Bilal Nikeza, Shapo Cungu dhe ndonjë tjetër.
Për kuriozitet Xhemal Peroviqi tregon se me rastin e shërbimit ushtarak ka pasur mundësi që gjatë gjithë shërbimit të punojë si fotograf në kazermën ku ka shërbyer.
Gjatë viteve të errëta të ’90-ta, në periudhën kur kishte edhe orë policore unë me shokun tim Arben Haxhibrahimin improvizonim studio fotografike nëpër dhomat e shtëpive tona familjare dhe mundoheshim të bënim fotografi. Ai kishte aparatin zmadhues Opemus të cilin ia kishte falur daja i tij kurse unë kisha një zmadhues të markës DURST M600 me kokë kolori. Filmat e thjeshtë kolor i blinim në tregun e Tuzit, sepse atje ishte më së liri të tregtoje e pastaj me improvizime i punonim në teknikën bardh e zi. Nuk më kujtohet se si na ranë në dorë disa filma BW të markës ORWO, mirëpo di se data e afatit iu kishte kaluar me vite të tëra, por prapëseprapë ia arritëm të nxjerrim fotografi. Gjatë punimit të fotografive në studiot tona të improvizuara sfidat ishin të shumta. I gjithë materiali për punimin e fotografive duhej porositur në Beograd meqë këtu nuk kishte. Më kujtohet një herë porositëm në Itali (përmes një detari) që të na blejë ndonjë film kualitativ BW. Ai na solli dy filma të markës ILFORD të cilat së bashku kushtonin 20DM e sa për krahasim atëbotë e gjithë rroga mujore ishte aq. Në një rast tjetër në mungesë të dritës së kuqe, improvizonim me ngjyrosjen e llambës.
Sot me zhvillimin e teknologjisë fotografia është mjaft e popullarizuar. Ata që duan të nxjerrin më shumë nga fotografia, si nga aspekti profesional ashtu edhe artistik posedojnë aparate serioze fotografike, kurse amatorët përmes telefonave të mençur kanë mundësi të bëjnë fotografi mjaft inspiruese, dokumentuese dhe cilësore.
Pra, bëni fotografi, dokumentoni të sotmen sa më shumë sepse nuk e dimë se çka do të sjellë e nesërmja.