Kardinali amerikan, Robert Francis Prevost, është zgjedhur udhëheqësi i ri i Kishës Katolike Romane më 8 maj 2025 dhe ka zgjedhur emrin Leon XIV.
Ai është papa i 267-të i Kishës Katolike dhe amerikani i parë që është zgjedhur papë.
Zgjedhja e tij u bë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë të konklavës.
Njoftimi për zgjedhjen e tij u bë nga një kardinal nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit, i cili shqiptoi fjalët latine “habemus papam” (kemi papën e ri).
“Paqja qoftë me të gjithë ju”, ishin fjalët e para të papës amerikan gjatë adresimit nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Ai tha se dëshiron që mesazhi i paqes “të hyjë në zemrat tuaja, të arrijë te familjet tuaja dhe të gjithë njerëzit, kudo që jeni”.
Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ri. Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim te traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur
Duke nderuar paraardhësin e tij, Papa Françeskun, ai u bëri thirrje besimtarëve “të ecni përpara, pa frikë, të bashkuar, dorë për dore me Zotin dhe njëri-tjetrin”.
Papa Leoni XIV falënderoi kardinalët që e zgjodhën të udhëheqë Kishën Katolike.
Kush është papa i ri?
Robert Prevost, 69 vjeç, misionar që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke shërbyer në Peru, ishte ndër kandidatët kryesorë për papë, përveçse kishte një pengesë: shtetësinë, raporton AP.
Prej kohësh ka ekzistuar një tabu ndaj përzgjedhjes së një pape amerikan, për shkak të fuqisë gjeopolitike që Shtetet e Bashkuara ushtrojnë në sferën sekulare. Megjithatë, Prevost, me origjinë nga Çikagoja, duke qenë edhe shtetas i Perusë dhe me vite të tëra të jetuara atje – fillimisht si misionar dhe më pas si kryepeshkop – u pa si një figurë e pranueshme.
Papa Françesku kishte kthyer sytë te Prevost prej kohësh dhe, në shumë aspekte, e konsideronte atë si pasuesin e tij të mundshëm. Në vitin 2023, e solli në Vatikan për ta emëruar në krye të dikasterit të fuqishëm që shqyrton emërimet e ipeshkvijve nga e gjithë bota – një nga detyrat më të rëndësishme në Kishën Katolike. Si rrjedhojë, Prevost kishte një profil të lartë në konklavë, të cilin pak kardinalë të tjerë e gëzonin.
Pas zgjedhjes së papës së ri, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “është shumë nder që ai është papa i parë që është amerikan”.
“Çfarë emocioni dhe çfarë nderi i madh për vendin tonë?! Mezi pres ta takoj Papë Leonin e 14-të. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm”, tha Trump.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike.
“Në një kohë kur bota ka nevojë për paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të ketë peshë të madhe. Uroj që pontifikati i tij të shquhet për qartësi morale, udhëheqje të paluhatshme dhe një angazhim të thellë për dinjitetin e gjithë njerëzimit”, shkroi ajo në X.
Tymi i bardhë – që sinjalizon zgjedhjen e papës – u pa duke dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine në orën 18:07 të 8 majit.
Turmat e besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit shpërthyen në brohoritje dhe gëzim me të parë tymin e bardhë.
Papa Françesku kishte kthyer sytë te Prevost prej kohësh dhe, në shumë aspekte, e konsideronte atë si pasuesin e tij të mundshëm. Në vitin 2023, e solli në Vatikan për ta emëruar në krye të dikasterit të fuqishëm që shqyrton emërimet e ipeshkvijve nga e gjithë bota – një nga detyrat më të rëndësishme në Kishën Katolike. Si rrjedhojë, Prevost kishte një profil të lartë në konklavë, të cilin pak kardinalë të tjerë e gëzonin
Ndërkaq, pas zgjedhjes së papës së ri, në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë kanë rënë kambanat për të njoftuar besimtarët për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike.
Dy votimet paraprake në konklavë gjatë 8 majit ishin të pasuksesshme.
Për zgjedhjen e papës së ri kërkohen dy të tretat e votave apo 89 vota nga 133 kardinalë, të cilët u izoluan në Kapelën Sistine që nga 7 maji.
Kardinalët e nisën të mërkurën punën thellësisht rituale dhe të fshehtë për emërimin e udhëheqësit të ri për 1.4 miliard katolikët në mbarë botën.
Por, në mbrëmje tym i zi doli nga oxhaku në çatinë e kapelës, gjë që tregoi se nuk u zgjodh papa i ri në votimin e parë. Votimet ata i vazhduan më pas të enjten, kur mund të votonin deri në katër herë – por, votimi i fundit doli të jetë i panevojshëm.
Tymi i bardhë që del nga oxhaku i Kapelës Sistine tregon se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e ri, në këtë rast pasardhësin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.
Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, e njohur si konklava e fshehtë, prej shekujsh.
Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ri.
Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim te traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.
Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende hynë në Kapelën Sistine më 7 maj, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013 – një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.
Ashtu si në kohët mesjetare, kardinalëve gjatë konklavës iu ndalua komunikimi me botën e jashtme gjatë konklavës, dhe Vatikani ndërmori masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.
Gjatësia mesatare e dhjetë konklavave të fundit ka qenë pak më shumë se tri ditë, dhe asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013, sikurse ajo e sivjetme, zgjati vetëm dy ditë.
(REL)