Podgoricë – Para Kuvendit të Malit të Zi, ditën e martë, më 22 prill, u vendos një gardh mbrojtës, ku qytetarët që u mblodhën për të protestuar u ndaluan në fillim të rrugës, ndërmjet Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.
Grupi i OJQ-ve njoftoi një ditë më herët se do të mbajnë një performancë simbolike “për të mbajtur meshën për Kushtetutën e Malit të Zi”, duke shprehur “rezistencën ndaj shkatërrimit të mëtejshëm të rendit ligjor dhe interesit publik”.
Qëllimi i protestës ishte tërheqja e vëmendjes për “rrezikun e madh” që, sipas protestuesve, marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) paraqet për interesin publik, rendin kushtetues dhe rrugën evropiane të Malit të Zi.
Ata besojnë se kjo marrëveshje mund të shkelë të drejtat dhe pasuritë e qytetarëve dhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e vendit.
Pavarësisht gardhit mbrojtës, mediat dhe OJQ-të, pas një rezistence me policinë, arritën të kalojnë kufizimin dhe të hyjnë brenda hapësirës së vendosur për protesta.
Një prej thirrjeve kryesore të protestuesve ishte mbrojtja e pasurive natyrore të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së plazheve dhe resurseve të tjera natyrore.
Vanja Qalloviq – Markoviq, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), tha se qytetarët e Malit të Zi do të vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit dhe për të garantuar interesin e përgjithshëm.
Ajo u bëri thirrje deputetëve të shumicës parlamentare që të mos shkelin Kushtetutën dhe të punojnë për interesat e qytetarëve dhe jo për ato të grupeve të interesit.
“Plazhi i Madh është i yni, Bularica është e jona, Jazi është i yni… Ne do të luftojmë, qytetarët do të luftojnë. I gjithë Mali i Zi është bashkuar në mbrojtje të perlave më të mëdha të këtij vendi. Shikoni – të gjitha besimet, të gjitha kombësitë, të gjitha bindjet politike – të gjithë janë për atë që thesaret tona, gurët tanë të çmuar, të mbeten tonat, të qytetarëve të Malit të Zi, dhe jo që të bëhemi kuzhinierët, kamerierët apo pastrueset e askujt. Por që të menaxhojmë me atë që është e jona në interes publik, e jo në interes privat të ndonjë deputeti, ndonjë kryeministri apo kujtdo tjetër, sepse kjo është e të gjithëve neve”.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha se sot është një ditë e rëndësishme për Malin e Zi, sepse shumica parlamentare “dëshiron të shkelë Kushtetutën”.
“Ata e bëjnë këtë me vetëdije, ndërsa ne, si komunitet, i kemi paralajmëruar. OJQ-të, profesionistët dhe intelektualët i kanë paralajmëruar. Ata shohin vetëm përfitimin, nuk i vlerësojnë qytetarët, as vetëqeverisjet lokale. Sot Mali i Zi është i bashkuar. Ky është një problem për Ulqinin – neve na vihet në pikëpyetje ekzistenca, por vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e të gjithë Malit të Zi. U bëjmë thirrje deputetëve që të mos vendosin njollë mbi veten. Nuk keni të drejtë as ndaj nesh, as ndaj fëmijëve tuaj”, u shpreh ai.
Në përmendje të kryeministrit Millojko Spajiq, të pranishmit brohoritën “ua” dhe “hajdut”.
Nimanbegu deklaroi se një kryeministër që nuk ka lexuar ekspozenë dhe që udhëheq mbledhjet përmes aplikacionit WhatsApp, “nuk është i denjë”.
“Mali i Zi kërkon liri. Ulqini nuk do të përkulet për të pranuar diktaturën e Qeverisë”, u shpreh ai.
Të pranishmit brohoritën: “Nuk ju japim plazhin tonë!”
Deputeti i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka, tha se në Ulqin po mbrohet Mali i Zi.
“U kemi dhënë mijëra arsye pse nuk duhet ta bëjnë këtë, e ata kanë vetëm një arsye – interesin e tajkunëve. Zotërinjtë betohen se nuk do të shesin asnjë copë toke, ndërsa dhurojnë miliona. Në Ulqin po mbrohet Mali i Zi, le ta dinë të gjithë. Ata zotërinj që duan të ngrenë dorën për të shitur pjesën më të bukur të Malit të Zi, janë avokatë të tajkunëve. Nuk është e tyre, por e të gjithëve neve”, tha ai.
Jovana Janjusheviq, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Shpendëve, tha se Kuvendi sot “po diskuton nëse do ta vendosë Kushtetutën në respirator ose do ta fikë atë”.
“Të dashur qytetarë, ju ftoj të lëshoni një ide – atë të Malit të Zi ekologjik. Sot jemi para Kuvendit, jo për të festuar Ditën e Planetit Tokë, por për t’u ndarë nga neni 1 i Kushtetutës”, tha ajo.
Janjusheviq tha se Mali i Zi ekologjik, i shpallur në vitin 1991, “vdiq në vitin 2025, në kulmin e rinisë së tij, në moshën 34-vjeçare”, pasi Qeveria vendosi të nënshkruajë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE).
Drejtori ekzekutiv i OJQ-së “35mm”, Darko Ivanoviq, tha se është e qartë se “disa mendojnë se votuesi malazez është idiot, i cili voton një herë në katër vjet dhe i lë të bëjnë çfarë të duan.”
Ai kërkoi që të luftohet për interesin e qytetarëve dhe të mos lejohet që interesat private të udhëheqin vendin.
“Është e dëmshme që kontratat e mëparshme nuk e bashkuan Malin e Zi, por vazhdojmë përpara. Policia që ne e paguajmë nuk na la të qëndrojmë para Kuvendit, të cilin gjithashtu e paguajmë. Me makinën zyrtare po bëjnë vepra penale. Po ashtu, do të veprojmë nëse na arrestojnë kur bëjmë rezistencë pa dhunë. Jini të gatshëm të na arrestoni. Kjo marrëveshje ka një klauzolë që më lejon mua dhe UAE të shpallim interesin publik. Kjo do të thotë që dikush mund të shpallë pronën time si interes publik dhe ta marrë atë. Mos flisni për kompensim të drejtë, se e lëmë për macën poshtë bishtit. Siç thotë Buksovci, kur shtylla kurrizore përulet, pjesa e poshtme zgjerohet. Prandaj, nëse duhet, çdo ditë këtu”, tha Ivanoviq.
Gazetari dhe shkrimtari Brano Mandiq tha se “përfundimisht ka filluar lufta e vërtetë politike – të luftojmë politikisht për gjërat e vërteta”.
“Në një shtet ku karta e identitetit pritet 20 ditë, ata duan të shesin Plazhin e Madh brenda 20 ditësh. Ky nuk është një varrim, siç e thashë në shaka, por lindja e një lëvizjeje. Shpresoj që njerëzit e ndershëm, dhe jo dreqët, do të merren me gjërat e rëndësishme”, ka thënë ai.
Protestë e ngjashme është zhvilluar edhe të premten, më 17 prill 2025, kur ka filluar seanca e Kuvendit të Malit të Zi për ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.
D. Teliqi