Dita e Shën Gjergjit, sipas kalendarit Gregorian festohet më 6 maj, ndërsa sipas kalendarit Julian festohet më 23 prill. Dita e Shën Gjergjit është festë tradicionale e shqiptarëve nëpër të gjitha viset etnike, e cila është përcjellë brez pas brezi, duke e promovuar ceremonialin për nder të kësaj dite. Përveç shqiptarëve, këtë ditë e kremtojnë edhe serbët, bullgarët, romët deri vonë, turqit, etj. Disa studiues pretendojnë t’i japin karakter fetar kësaj ditë-feste, teksa rituali për nder të saj i tejkalon ngjyrimet fetare
Thjesht, Dita e Shëngjergjit, mbetet dhe kështu do të jetë, si një festë tradicionale pagane. Fjala Gjergj në greqishten e vjetër do të thotë bujk. Nisur nga ky fakt, festa e Shën Gjergjit ka të bëjë me kultin e pjellorisë dhe të bujqësisë, që do të thotë se ritet e kësaj feste kanë të bëjnë me blegtorinë, bimësinë dhe mirëqenien që, i vjen njeriut duke i shfrytëzuar ato. Një ditë më parë, më 5 maj, të rinjtë, vajzat dhe djemtë shkonin e mblidhnin degë pemësh, sidomos mështekën dhe shelgje, dhe me këto degë stolisnin derën dhe dritaret e shtëpive, në ndërkohë prej degëve të mbledhura disa prej tyre i çojnë edhe në kopshtet dhe arat e mbjella me thekër e patate. Lulet dhe barishtet që i kanë mbledhur bashkë me degët e pemëve, hidhen në ujin me të cilin lahen të vegjlit. Besohet se të gjitha sëmundjet të cilat mund të prekin të vegjlit, transferohen në livadhin ku janë mbledhur lulet. Kjo festë aq e dashur për vendasit, përveç karakterit ritual, ringjalljes së natyrës, ka fituar edhe karakterin e festës së të rinjve, duke u bërë pjesë e jetës së tyre. Në Ditën e Shëngjergjit, vajzat kryejnë parashikime për dashurinë dhe martesën. Fati lexohet sipas shenjave të luleve. Herët në mëngjes, vajzat zbukurojnë flokët me lule dhe shkojnë në kroje. Brenda enëve të ujit, lëshojnë lule dhe barishte, me qëllim që uji të marrë ngjyrë. Me ujin e ngjyrosur, brumosen kulaçët e Shën Gjergjit. Teksa, po me këtë ujë lajnë sytë burrat dhe gratë dhe spërkaten ambientet e shtëpive. Zonjat e shtëpisë, të cilat janë ngritur herët marrin hithra me të cilët i zgjojnë fëmijët herët që të mos bëhen dembelë, dhe kur i zgjojnë ato u varin në qafë kungull të egër, që të mos i marrë mësysh dhe syri i keq.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “814” të revistës Koha Javore