Fate të çuditshme – Cafo Beg Ulqini

Gazmend Çitaku

Ulqin e Shkodër, vëlla e motër. Themelet e të dy qyteteve lidhen me parahistorinë dhe së bashku dëshmojnë vazhdimësinë e historisë pellazge, ilire, arbërore e shqiptare që nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Scodra dhe Olciniumi nëpër gjurmët e shekujve u bënë ballë furtunave e tallazeve të ndryshme jetësore e historike. Pësuan nga pushtues të ndryshëm, u ndanë me kufij artificialë, por gjithmonë i dolën në ndihmë njëri-tjetrit, duke sakrifikuar çdo gjë vetëm e vetëm që historinë ta shkruajnë bashkë.
Të çuditshme janë fatet e ulqinakëve të shpërngulur në Shkodër. Dikur, deri në mbylljen e dhunshme të kufijve në vitin 1948, lëvizjet Ulqin-Shkodër nuk ishin vajtje-ardhje të rëndomta ditore por ishin lëvizje jetësore. Ata kishin biznese të përbashkëta, së bashku ishin hisedarë të velanijeve, ulqinakët sikurse shkodranët kishin shtëpi në të dy qytetet por edhe shumë bija shkodrane ishin të martuara në Ulqin ashtu sikurse bijat e Ulqinit në Shkodër. Pra, lirisht mund të pajtohemi me thënien se ishin një qytet me dy lagje.
Edhe sot rinia ulqinake ka dëshirë ta vizitojë Shkodrën. Dhunshëm, lidhjet familjare e miqësore mes këtyre dy vendeve ishin shkëputur për gjysmë shekulli, por prapë sot e gjithë ditën rinia ulqinake shpreh interesin dhe ka dëshirë që të shkojë në Shkodër. Të tillë janë edhe fëmijët e mi të cilët kohë pas kohe kërkojnë që të shkojnë në Shkodër për një shfaqe teatri, ekspozitë pikture e pse jo edhe për një pije të vetme.
Një ditë të këtij maji dola deri në Shkodër. Si gjithmonë i lajmërohem ndonjërit nga miqtë e shumtë shkodranë në mënyrë që të takohem dhe të shkëmbejmë mendime. Mirëpo, atë ditë vendosa që ndryshe nga herët tjera, së pari të bëja një vizitë të pazakontë por kaherë të menduar.
Që në vitin 1999, kur në “Kronikë” gazetën e vetme në gjuhën shqipe që dilte në Ulqin botuam artikullin dhe fotografitë e Cafo Beg Ulqnit kureshtja për këtë ulqinak të pazakontë dhe supermodern për kohën ishte shumë e madhe. Në Ulqin atëbotë vetëm pëshpëritej lidhur me Cafo Begun kurse ne redaksia e Kronikës morëm guximin të botonim fotografi të tijën dhe tekst për të. Prej asaj kohe kureshtja dhe interesi për veprimtarinë e këtij patrioti sa vinte e rritej. Në vitin 2004 kur botova monografinë fotodokumentare “Fotoalbum i Ulqinit” së bashku me Hafiz Ali Ulqinakun me qëllim futa edhe portretin e Cafo Beg Ulqinit. Akulli i thye. Mekanizmi hulumtues lidhur me veprimtarinë patriotike të këtij intelektuali ulqinak u vu në lëvizje kështu për të mirë më befasoi edhe telefonata e mikut dr. Nail Draga në vitin e largët 2009. Më njoftoi se dhëndri i familjes Alibegu, gjegjësisht tashmë i ndjeri Fahri Buçinca kishte përgatitur një material voluminoz lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Cafo Beg Ulqinit, i cili ishte familjar i bashkëshortes së Fahriut, zonjës Naxhije Alibegu-Buçinca. Ky material duhej sistematizuar dhe përmbledhur në një botim të veçantë. Kështu vera e vitit 2009 do të më mbetet në kujtesë si viti kur nëpër duar më kaloi e gjithë jeta dhe veprimtaria e patriotit ulqinak Cafo Alibegut. Sa krenar e ndjeja veten që isha pjesë këtij grupi punues. Libri u botua në formën dhe përmbajtjen më të mirë të mundur, tamam si i ka hije këtij patrioti. Fahriu kishte bërë punë të shkëlqyeshme andaj edhe doli një botim shumë dinjitoz. Vitet kalonin dhe lëvizje tjera nuk bëheshin e kjo tregonte se Fahri Buçinca kishte bërë punë të mirë.
Tani vijmë te vizita ime Shkodrës në fillimin e tekstit. Atë ditë kisha ndarë mendjen që të gjeja varrin e Cafo Beg Ulqinit dhe me plot bindje u nisa drejt varreve që quheshin “në Rrmajt” nuk e di se pse në mendje mu kishte ngulitur se aty ishte i varrosur. Përmes hartës elektronike pa problem të madh e gjeta. Parkova makinën dhe u drejtova për në misionin tim. Në të hyrë të varrezave në të majtë ishte pika informative ku rrinte një vajzë shumë e kulturuar. U prezantova kush jam, i tregova se jam nga Ulqini dhe se kërkoj varrin e një ulqinaku i cili kishte vdekur në vitin e largët 1977. Vajza në kompjuter filloi kërkimin së pari sipas mbiemrit, pastaj emrit por kompjuteri nuk nxirrte rezultate. Vajza në mënyrë të kulturuar më pyet se kisha pyetur te varret e qytetit, pasi që atje janë ato të përziera kurse këtu ishin varre të krishtera. Atëherë u gjenda para një sfide të re. Të gjeja varret e qytetit dhe të bëja kërkimet vetë apo të shfrytëzoja “ndihmën e parë”. Nxora “llambën e Aladinit” gjegjësisht celularin dhe thirra mikun tim, ulqinakun e Shkodrës axhën Ahmet Shurdha. I tregova ku jam, për çka kam ardhur dhe a mund të më ndihmojë.
Dëgjo të pastë axha. Për sa mund të vish te shtëpia ime se të çoj unë? – më pyeti axha Ahmeti.
Për dhjetë minuta jam aty – thash me një frymë dhe duke falënderuar vajzën nga pika informative fluturova deri te shtëpia e mikut.
Axha Ahmeti më priste dhe së bashku filluam të gjarpërojmë rrugicave të Shkodër loces. Hynim e dilnim as vetë nuk e di se kah por nga entuziazmi sytë i kisha bërë katër. Pas disa minutash arritëm në vendin e duhur. Axha na dërgoi drejt e në vendin e saktë. Emocionet ishin shtuar, edhe pak e do gjendesha para varrit të patriotit më të madh ulqinak. Axha Ahmeti shpjegon se varri gjendet në fillim të radhës së dytë. Dhe ne gjendeshim mu në radhën e dytë por për çudi varrin nuk e shihnim. Axha bënte be se këtu ka qenë por që ja nuk e shihnim. Pas disa minutash kërkimi për kureshtje u drejtuam te punkti i informacionit për të na drejtuar te varri, meqë ndryshe ishte e pamundur të gjendej shkaku i numrit të madh të varreve. Në punkt gjetëm një burrë shumë të mirë i cili për me na ndihmuar përveç emrit kërkonte edhe të dhëna tjera. Unë as një e as dy dhe ia them datën e saktë të vdekjes 24.12.1977. Ai brofi në këmbë iu drejtua vitrinës së arkivit me regjistra. Nxori atë të vitit 1977 dhe në fletat nga fundi sipas datës e gjeti pa asnjë problem. Mori një letër të vogël dhe shënoi lokacionin, rreshtin dhe numrin e varrit. Por, tha këtij numri shtojani edhe 4-5 sepse me kalimin e kohës janë shtuar edhe varre të reja. Duke e falënderuar u kthyem përsëri në vendin ku ishim para disa minutash. U futëm në rreshtin e dytë por tani kërkimet i vazhduam më tej edhe për 4-5 varre. Ja pra aty kishte qenë Cafo Beg Ulqini por që i shkonim pranë e nuk e vërenim meqë edhe guri i varrit ishte pak në gjendje më të keqe ngaqë koha dhe shiu kishin bërë të veten.
Iu përulëm, e kujtuam dhe ia përcollëm ngrohtësinë e Ulqinit, duke i premtuar se do ta vizitojmë më shpesh. Duke iu falënderuar pamasë axhës Ahmet që më çoi ke varri i Cafit postova në rrjetet sociale një fotografi nga vizita e varrit të patriotit ulqinak. Atë e ktheva në shtëpi meqë kishte lënë punën në gjysmë vetëm e vetëm të më dalë mua në ndihmë. Unë për të plotësuar emocionet iu drejtova “Muzeut të kujtesës” vend ky ku mes shumë patriotëve tjerë edhe Cafo Begu kishte bërë burgun. Meqë këtu kisha qenë edhe më parë pa shumë vështirësi e gjeta dhe iu drejtova së pari vitrinës ku gjendej fletorja origjinale e Cafo Begut, bëra fotografitë e duhura dhe pastaj vizitova qelitë ku Cafo Beg Ulqini dhe të burgosurit tjerë të komunizmit kishin vuajtur dënimin. Për ulqinakun tonë qëndronte ky shpjegim në vitrinën ekspozuese: Cafo Beg Ulqini (1892-1977) kryebashkiak i Ulqinit, anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës (1944). Vuan dënimin si “tradhtar i atdheut” nga 1944-1952.

Epilog:
Emocionet ishin shumë të mëdha atë ditë. Rrugës duke u kthyer për në Ulqin filluan telefonatat e shokëve me pyetje të ndryshme. Kur arrita në shtëpi mendoj se ora ishte diku kah 16 në telefon me merr axha Ahmet. Dëgjo, më thotë ai, kam marr disa telefonata nga njerëz seriozë dhe duan që varrit të Cafo Beg Ulqinit t’i vënë një pllakë të re duke mos cenuar varrin. Unë e ti, më thotë, kemi kryer punën dhe këto punë tani i ka bamirësi që dëshiron të mbesë anonim. Unë mbeta pa fjalë dhe vetëm bëlbëzova falënderime.
Kaluan pesë ditë nga telefonata e fundit të axhës Ahmet. Fix në ora 16, më erdhi një mesazh. E hap dhe ç’të shoh. Në foto pllaka e re e vendosur në varrin e Cafo Beg Ulqinit.
Publikoje më tha, por pa emra e falënderime!
“Bacë, u kry”, i thashë.

Të fundit

më të lexuarat