
Familjet Ulqinake kryesisht janë marrë me detari. Këta ulqinakë, përmes anijeve të veta, ia arritën të përshkojnë të gjitha brigjet e Mesdheut. Lundronin nëpër detërat e ndryshme, madje disa prej tyre arritën edhe në Amerikën e largët. Njëra prej këtyre familjeve detare ulqinake është edhe familja Bilali e cila pas dorëzimit të Ulqinit u nda në tri degë dhe sot i gjejmë jo vetëm në Ulqin por edhe në Shkodër, Durrës e Tiranë. I pari i kësaj familjeje ishte Dauti për të cilin gjejmë të dhëna që në vitin 1580 e pas tij Hyseni më 1620. Për degën e Ulqinit mundohemi të gjejmë të dhëna, mirëpo zbrazëtirat informative sot nuk mund t’i plotësojmë me bisedat që zhvillojmë me pasardhësit e kësaj familjeje. Dokumentet mungojnë, të moshuarit nuk i përcollën informatat brezit të ri.
Në vitin 1880 shumë familje ulqinake së bashku me anijet e veta lëshuan Ulqinin. Duke mos iu bindur pushtetit të ri ata vendosen së pari në Shkodër e pastaj edhe më gjerë. Të ndodhur në një situatë të re e të palakmueshme, pa mundësi pune dhe jashtë komoditetit të shtëpisë e vendlindjes, shumë prej këtyre familjeve ranë në varfëri. Duke mësuar për këtë sakrificë të ulqinakëve të zhvendosur në Shkodër, sulltani së pari u propozoi të vendoseshin në një lagje të Stambollit, mirëpo këta ulqinakë refuzuan. Atëherë sulltani u bën disa lehtësira dhe u jep mundësinë për prerjen e drurëve dhe eksportin e tyre jashtë Shkodrës pa tatim. Ulqinakët shfrytëzojnë rastin dhe organizohen, andaj me ndihmën e pasanikëve shkodranë riparuan dhe shtuan flotën e tyre të anijeve duke u rimëkëmbur dhe shtuar numrin e barkave të vogla e të mëdha në 250 sosh.
Atë çka gjejmë si dëshmi lidhur me detarinë e familjes Bilali është fakti se ata ishin pronarë të shumë anijeve e veçanërisht ia vlen të përmendet anija Massalah Bilalli të cilën e kanë blerë në shkurt të vitit 1904. Kjo anije dikur është quajtur Conte Géza Szápáry dhe është ndërtuar në vitin 1874 në Rijekë (Kroaci). Kjo anije ishte shumë e bukur, kishte dy direkë me nga pesë vela dhe ka qenë pronë e familjes detare Kozuliq (Krsto Kozuliq). Anija kishte këto dimensione: e gjatë 45.30 m, e gjërë 8.92 m, e lartë 6.02 m, me kapacitet 593t. Për herë të parë në detë del më 7 tetor 1874 dhe që nga ajo ditë për 30 vjet sa ka qenë pronë e kësaj familjeje, çdo udhëtim i është evidentuar në Ditarin e lundrimeve të flotës detare tregtare të Rijekës të titulluar La Bilancia. Që nga lundrimi i parë prej Rijekës për në Trapana, për tri vite pa u kthyer në Rijekë, preku portet më të mëdha jo vetëm të Evropës por edhe të Amerikës. Në lundrimin e parë nga Rijeka transportoi dru të cilat i zbarkoi në Trapana. Aty ngarkohet me krypë dhe shkon drejt portit Rangoon dhe për tri vjet lundrim arrin portet Falmouth, St.Helen, Amsterdam, Savannah (USA), Hull, Shields pastaj në Newcastle ngarkohet me qymyr për Baltimor, Queenstown, Cette, Londër, Garvesend, dhe në janar të vitit 1877 kthehet në Rijekë ku pas tri vitesh lundrimi pushon dy muaj për t’u nisur përsëri në lundrim.
Këtë anije, pra Conte Géza Szápáry, më 12 shkurt 1904 në Rijekë e blen familja Bilali e që në kontratën shit-blerëse qëndron se e ka blerë Selim Bilali, shtetas turk nga Shkodra. Me këtë rast anijes i ndërrohet emri në Massalah Bilalli. Dy javë pas blerjes kjo anije ende gjendej e ankoruar në Rijekë, andaj pronarët e ri e stolisën për nder të festës së Kurban Bajramit. Sipas shënimeve që na japin kroatët, anija lëshon portin e Rijekës nën komandën e Selim Bilalit në fund të muajit mars e ngarkuar me dru të cilat duhej t’i zbarkonte në Microvathy (Greqi).
Pas kësaj date nuk ka të dhëna të shënuara për lundrimet që bën kjo anije, mirëpo supozohet se ka lunduar kryesisht nëpër Mesdhe duke prekur portet më të mëdha si Aleksandria, Stambolli, Tripoli, Port Said etj. Në dhjetor të vitit 1915 fati i keq e gjen në Shëngjin. Ekspedita ndëshkuese e flotës ushtarake Austriake me anë të torpedove i fundos të gjitha anijet e ankoruara në Shëngjin. Anija Mashalla Bilali mbetet gjysmë e fundosur në ujërat e cekta të Shëngjinit. Pas vitit 1920 anijet ushtarake austriake e nxjerrin këtë anije dhe e dërgojnë së pari në Tivat e pastaj në Kotor me qëllim që të riparohet dhe të vihet sërisht në funksion. Mirëpo, sipas raporteve të kohës për çështje pronësie, kjo anije mbetet e pa riparuar dhe ngadalë fillon shpërbërja e saj. Në vitin 1935 autoritetet e Kotorrit e largojnë, sepse veç kishte filluar të kalbej dhe të shkatërrohej përfundimisht.
Motoveliera e parë ulqinake është ajo e kapidan Abdullah Bilalit i cili në vitin 1910 vendosi që velanijes së tij “Bilalina” t’i montojë motorin. Në Trieste të Italisë porositi një motor dhe e montoi në anijen e vet. Aventura e motorizimit të anijes me vela pati sukses dhe Abdullahu filloi të punonte më shumë dhe të korrte të ardhura më të mëdha. Në vitin 1912 Hasan Riza Pasha urdhëroi mobilizimin e motovelierave andaj Bilalinës komanda turke i vendosi dy topa me qitje të shpejtë dhe me anë të saj bombardonte pozicionet armike në malin e Taraboshit.
Bilalina pati një fund tragjik. Në fund të Luftës së Parë Botërore, gjatë një udhëtimi prej Shëngjini për në Shkodër, në grykën e Lumit Buna u fundos nga një nëndetëse austriake. (Vazhdon)
(Vijon nga numri i kaluar)
Lufta e Parë Botërore ishte fatale për shumë anije ulqinake. Me fillimin e luftës, këto anije ulqinake që gjendeshin të ankoruara nëpër portet e ndryshme u zunë robë, kësisoji u detyruan ose t’i binden dhe të viheshin në dispozicion të shtetit ku ndodheshin ose t’i shesin ato. Kësisoji në Aleksandri (Egjipt) u ndodh edhe Muharrem Bilali i cili detyrohet që dy anijet e veta të zëna robë t’ua shesë anglezëve.
Haxhi Halit Bilali menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në Shkodër themelon Klubin Bamirës të Ulqinakëve. Kjo shoqatë kishte detyrë primare ndihmën e familjeve të varfëruara ulqinake në Shkodër. Shpërngulja e ulqinakëve në Shkodër përcillej me sakrifica të mëdha por edhe mungesa e punës bënte që ekonomia e familjeve sa vinte e rëndohej. Kjo shoqatë u dilte në ndihmë dhe mundohej që t’u siguronte jo vetëm punë por edhe lehtësira administrative.
Se ulqinakët duke bashkëpunuar me shkodranë avancuan në ndjenjen e afarizmit, tregon edhe fakti se në Shkodër në fillim të viteve ’30-ta të shekullit të kaluar vepronin dy agjensi për kryerjen e formaliteteve të përpunimit të mallërave që sillnin anijet: njëra ishte italiane e quajtur “Puglia” kurse tjetra ishte Agjencia Shqiptare e Said Bilalit. Me qenë se të gjitha anijet ose ishin ulqinake ose në bashkëpronësi ulqinake normalisht shfrytëzoheshin shërbimet e agjencionit shqiptar të Said Bilalit. Shteti italian intervenon në qeverinë e atëhershme shqiptare dhe me një vendim administrativ të vitit 1934 iu dha e drejta e “kabotazhit” të anijeve agjensionit italian si në detë ashtu edhe në ujërat e ëmbla. Ky vendim bëri që puna e anijeve ulqinake të ndërpritet dhe shumë familje mbeten pa punë dhe pa të ardhura, kështu varfëria kaploi pothuaj 500 familje. Kjo gjendje e rëndë i pengoi shumë Said Bilalit i cili mori guximin dhe me anë të një telegrami drejtuar në mënyrë direkte Mbretit Zog paraqiti gjendjen e rëndë të krijuar me anë të atij vendimi dhe se është cenuar mirëqenia e 500 familjeve. Për këtë akt të guximshëm, Saidin e ftojnë në Tiranë, ku u desht të argumentojë telegramin e dërguar. Saidi me argumente bindi Mbretin dhe Qeverinë për dëmin që u shkaktonte ai ligj, andaj edhe ia arriti të përfitojë disa lehtësira për detarët ulqinakë. Këto lehtësira nuk ishin të mjaftueshme, sepse dëmi që ishte bërë kishte qenë fatal për flotën ulqinake.
Si patriot që ishte Said Bilali mori pjesë në ngritjen e flamurit në Shkodër në vitin 1913, andaj edhe unë ia jap vetes lirinë që të nxjerr si përfundim se anija nga fotografia monumentale ku shihen së bashku Ismail Qemali, Isa Boletini dhe të tjerët ishte anije ulqinake e cila i çoi drejt jahtit të dukës Montpensier në prill të viti 1913.
Hajro Ulqinaku na sjell një episod detar shumë interesant: “Barka “Bestia” (Pse kapidani e lëshon i fundit barkën). Kësaj barke nuk i dihej përkatësia kombëtare. Për të dihet vetëm se e ka përmbysur një ciklon (s’është e shënuar se kur dhe ku). Anëtarët e ekuipazhit kanë dalë me një sandall dhe janë larguar, duke e përshëndetur barkën me dorë – vetëm njëri marinar. Kapidani ka mbetur në barkë, sepse sipas traditës, kapidani e lëshon anijen i fundit. Ndërsa, sipas Ligjit të Detarisë, nëse ajo anije nuk fundoset dhe dikush e gjen pa kapidan (pa ekuipazh), ajo anije bëhet pronë e tij, me gjithë mallra që gjenden në të (Interesant, këto shënime mbajnë datat: 5,7 ose 8 shtator 1952 dhe nënshkruar: Këshilli për kremtimin e Dhjetë Shtatorit).”
Por nga ajo çka kemi arritur të zbulojmë vijmë në përfundim se anija “Bestia” ishte pronë e Maliq Bilalit.
Më poshtë po sjellim disa pjesëtarë të familjes Bilali dhe emrat e anijeve të tyre:
Hafiz Bilali – Bouna Sorte, shkundë, 330t
Omer Bilali – Venezi, shkundë, 53t
Cuf Bilali, Bombasteria, 400t
Jusuf Bilali – Fratello del Mare, 62t
Omer Bilali – Buona Sorte
Maliq Bilali, Beshtia, 600t
Malush, Faik e Hajdar Bilali, “Dielli” dhe “Bukuria”
Isuf dhe Kasem Bilali – “Buona pastore” 243t, 1893, “Bilal-zadeler” 357t, 1898
Mehmet Bilali – Portla, 20t, Gevadie, 179t
Musa Bilali – Shpresa, 60t
Abdullah Bilali – Bilalina, 442t
Muharrem Bilali – Muradije, 1000t
Selim Bilali – Mashalla Bilali, 593t
Husein Bilali – Tre fratelli Bilali, 375t
Abbeidin Bilali – ?, 467t
Beqir Bilali – Abou Bilal, 1011t
Sali Suliman Bilali, Bulia Scutarina, 352t
Kurse nga libri i Hajro Ulqinakut “Detaria, detarë, dokumente” në faqen 17 shkëpusim këtë listë të kapidanave të familjes Bilali: Cuf Bilali, Daut Bilali, Cen Bilali, Bidin Bilali, Selë Bilali, Salë Bilali, Muharrem Bilali, Beqir Bilali, Omer Bilali, Kaso Bilali, Maliq Bilali, Halit Bilali. Kurse unë po shtoj edhe ulqinakët babë e bir Muzavid (1942-2018) dhe Urim Bilali.
Fakt interesant na sjell Hajro Ulqinaku në librin “Libri për Ulqinin dhe ulqinakët” ku në faqen 158 na tregon se në Ulqin nxënësi i parë i shkollës së parë në gjuhën shqipe të cilën e hapën austro-hungarezët në vitin 1914-1915 ishte Tofik Bilali. Tofiku në kujtimet e veta thotë se mësueset e para ishin dy murgesha nga Zara: Leonora dhe një tjetër që nuk iu kujtonte emri.
Ishin pra këto vetëm disa pjesë të vogla mbledhura në një vend lidhur me familjen Bilali e që për këtë familje detare ulqinake do të mund të shkruhej një libër me shumë faqe. Interesant është fakti se kjo familje e madhe detare në ditët e sotme ka vetëm një kapidan të lundrimeve të gjata, ulqinakun Urim Bilali. Shpresojmë që me Urimin mos të ndërpritet tradita detare e kësaj familjeje.
(Fund)