Edukimi i tërinjve mbi çështjet identitare

Sistemi i arsimit është hallka më e rëndësishme që përgatit të rinjtë për jetë dhe për punën që i pret në botën që po ndryshon me shumë shpejtësi. Qëllimi i përbashkët i reformave të sistemit tonë arsimor duhet të jetë rritja e vazhdueshme e cilësisë së arsimit. Prandaj, duhet analizuar ndikimi i çdo reforme arsimore në zhvillimin e të gjithë potencialit të personalitetit të të rinjve, rrjedhimisht edhe në demokratizimin e shoqërisë sonë. Kjo tendencë tashmë cilësohet edhe si një fenomen global, që nxitet nga dëshira e sistemit arsimor për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
Në Ligjin e Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, si në çdo dokument tjetër strategjik, theksohet se arsimi ka për qëllim të ofrojë mundësi për zhvillimin e gjithanshëm të individit dhe ta ndërgjegjësojë atë mbi përkatësinë kombëtare, kulturën, historinë dhe traditën.
Një sistem arsimor cilësor duhet t’i ofrojë çdo të riu mundësinë për të përfituar të gjitha kompetencat kyçe të cilat pastaj do të zhvillohen gjatë gjithë jetës, siç rekomandohet në dokumentin e Këshillit të BE-së “Rekomandimet për zhvillimin e kompetencave kryesore për mësimin gjatë gjithë jetës“.
Çështja se çfarë u duhet të rinjve për të qenë të suksesshëm dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë, paraqet një nga temat kryesore për të cilën sot zhvillohen debate në sistemet arsimore më të mira të botës, me pjesëmarrjen e shumë subjekteve, jo vetëm nga fusha e arsimit. Prandaj, dakordësia mbi këto çështje është edhe një lloj konsensusi shoqëror ose “marrëveshje” ndërmjet sistemit arsimor dhe shoqërisë.
Pikërisht, për të ndihmuar sistemin arsimor në këtë proces të zhvillimeve të shpejta të shkencës e teknologjisë, paraqitet edukimi joformal si një segment i rëndësishëm për të përmbushur nevojat e të rinjve në përballje me sfidat e kohës. Edukimi joformal është një formë e edukimit që ndodh jashtë sistemit tradicional të shkollës dhe universiteteve. Ai përfshin mësimin dhe zhvillimin që ndodh në mjedise të ndryshme, por që promovon fuqizimin personal dhe profesional të të rinjve.
Edukimi joformal kryesisht zbatohet nga organizatat e shoqërisë civile. Rolin e OJQ-ve në këtë mision posaçërisht e vlerëson Karta e Këshillit të Evropës për edukimin për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut, e cila nënvizon “Shtetet anëtarë duhet të mbështesin rolin e organizatave jo qeveritare dhe të atyre rinore në fushën e edukimit për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut, veçanërisht në arsimin jo formal. Ata duhet të pranojnë këto organizata dhe veprimtaritë e tyre si përbërës me vlerë të sistemit arsimor, t’u ofrojnë atyre, kur të jetë e mundur, mbështetjen e nevojshme, për t’u dhënë mundësinë të ofrojnë maksimumin e përvojës që zotërojnë, në të gjitha format e arsimit. Shtetet anëtarë duhet të nxisin dhe t’ua bëjnë të njohur edukimin për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriu aktorëve të tjerë, në mënyrë të veçantë medias dhe publikut të gjerë, për të rritur kontributin e tyre në këtë fushë”.
Cilat janë përparësitë e OJQ-ve në organizimin e edukimit joformal?
OJQ-të kanë disa përparësi që i bëjnë ato aktorë kyç në zhvillimin e edukimit dhe në përmirësimin e aftësive dhe njohurive të të rinjve jashtë sistemit formal arsimor. Para së gjithash, OJQ-të janë në gjendje të krijojnë programe edukative që janë të përshtatura për nevojat specifike të të rinjve. Ky fleksibilitet lejon që edukimi të jetë më i orientuar drejt rezultateve konkrete. OJQ-të shpesh përqendrohen në zhvillimin e aftësive praktike dhe sociale të të rinjve, të tilla si komunikimi, lidershipi, dhe puna në grup, të cilat janë thelbësore për jetën e përditshme dhe për suksesin profesional. Ato edukojnë pjesëmarrësit mbi problemet shoqërore dhe të drejtat e njeriut, duke inkurajuar një qytetari aktive dhe një ndërgjegjësim më të madh për problemet e shoqërisë.
OJQ-të ndërtojnë partneritet me komunitetin lokal, duke përfshirë pjesëmarrësit në planifikimin dhe implementimin e programeve, gjë që rrit angazhimin dhe ndjenjën e pronësisë.
Organizata e shoqërisë civile “Horizonti i Ri” nga Ulqini, ka plot 25 vite që realizon projektet të edukimit joformal të të rinjve. Programet e kësaj organizate janë krejtësisht vullnetare dhe të orientuara nga interesat dhe motivimet personale të pjesëmarrësve. Programet e kësaj organizate janë të dizajnuara për të inkurajuar të rinjtë për një pjesëmarrje aktive në proceset shoqërore, në hartimin e politikave rinore, në edukimin për qytetarinë aktive dhe demokracinë pjesëmarrëse, si në nivelin lokal ashtu edhe atë shtetëror. Në punën me të rinjtë, Horizonti i Ri aplikon një shumëllojshmëri mjedisesh dhe metodash, siç janë: punëtoritë, sesionet trajnuese, kampet edukative, ngjarjet publike, projektet mediatike, hulumtimet në terren, vizitat studimore, fushata ndërgjegjësuese, etj.
Ndër programet e shumta që kjo organizatë ka realizuar ndër vite, kësaj radhe do të veçojmë një segment të veçantë të punës së saj me të rinjtë e ai është edukimi i të rinjve shqiptarë për vlerat identitare. Gjatë këtij viti, Horizonti i Ri, për herë të parë filloi të realizojë aktivitete të cilat përfshijnë të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare në Malin e Zi – Ulqini, Malësia, Plava e Gucia.
Të rinjtë e shkollave të mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini, “Beqo Bashiq” nga Plava dhe Gjimnazi “25 Maji” nga Tuzi, morën pjesë në aktivitete të shumta që kishin për qëllim edukimin e tyre mbi vlerat identitare, informimin mbi konceptin e të drejtave të njeriut si dhe liritë dhe të drejtat e popujve pakicë, për instrumentet ligjore për mbrojtjen e këtyre të drejtave, ruajtjen e veçorive kulturore e historike, përfshirjen në proceset integruese, avancimin e programeve dhe aktiviteteve qe kontribuojnë në pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën publike, si dhe tema të tjera që kanë të bëjnë me përfitimin e kompetencave të lidershipit rinor. Në këtë kuadër, kampi edukativ që u realizua në Komunën e Gucisë ishte aktiviteti më i arrirë i këtij programi. Të mbështetur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, ky aktivitet përveç aktivistëve rinor, tuboi edhe aktorë relevant të jetës kulturore, politike e institucionale të shqiptarëve në Malin e Zi.
Duke mësuar për vlerat e identitetit kombëtar si dhe për konceptin e diversitetit, gjatë këtyre aktiviteteve të rinjtë zhvilluan një vetëdije më të fortë për vetveten dhe për përkatësinë e tyre, diskutuan se si të ruajnë dhe të respektojnë kulturën dhe traditat e tyre, duke nxitur tek ata një kulturë të tolerancës dhe respektit.
Ky program i ndihmoi ata të kuptojnë më mirë edhe diversitetin kulturor, rajonal e religjioz që ekziston brenda shoqërisë sonë. Njohja dhe respekti për identitetet e ndryshme i ndihmon të rinjtë shqiptarë të ndërveprojnë në mënyrë më pozitive dhe konstruktive me njëri-tjetrin, duke forcuar kohezionin social dhe harmoninë në komunitetet ku jetojnë.
Koncepti i edukimit mbi çështjet identitare është një element thelbësor që OJQ “Horizonti i Ri” promovon në punën e vet. Kjo organizatë investon vazhdimisht në formimin e të rinjve si individë të ndërgjegjshëm, të respektuar dhe të gatshëm për të kontribuar në një shoqëri diverse dhe globale.
Në shoqërinë tonë ku të rinjtë shqiptarë ndërveprojnë me kultura të ndryshme në baza ditore, njohja dhe kuptimi i çështjeve identitare i përgatitë ata për të qenë nesër qytetarë të suksesshëm, të aftë për të punuar në një mjedis multikulturor, të jenë më konkurrues në tregun e punës dhe të gatshëm për të përfituar nga mundësitë ndërkombëtare.

Nazif Veliqi
drejtor ekzekutiv i
OJQ “Horizonti i Ri”

Të fundit

më të lexuarat