
Adem Dervishi, Adem Çelaj, Ademi prej Vuthajve, Ademi i Krushevës. Kështu e quanin Adem Dervishin Çelaj malësorët e Plavës dhe Gucisë.
Per mua ka qenë thjesht Baca Adem.
Baca Adem lindi në pranverë të vitit 1920 në katundin e epërm të Vuthajve. Babai i tij Dervish Demë Feta vdiq në një fatkeqësi duke kaluar malet për në Valbonë në një dimër të veshtirë, së bashku me Ram Ferhatin. E la nënën e Ademit shtatzëne, pas një viti martesë. Qysh në moshën
10 vjeçare shkoi me bagëti edhe pse kishte dëshirë të shkonte në shkollë. Në Vuthaj ishte shkolla në gjuhën serbe. Herën e parë që hyri në klasë ishte13 vjeç, pa libra, pa laps, pa fletore por dëshira të mësojë ishte më e madhe se varfëria. Në fillim të Luftes së Dytë Botërore, Ademi ishte 21 vjeç dhe iu bashkua çetës së vullnetarëve të Vuthajve, sepse në kohën e Italisë fashiste Plava dhe Gucia iu bashkëngjitën nënës Shqipëri. Pas luftës u shkoi në Çerem, sepse kishte tokat atje dhe filloj t’i punojë. Kalonte kufirin lirshëm deri sa u acaruan lidhjet n’mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Me 1951 u kthye në fshatin Krushevë afër Gucisë, ku e kishte shtëpinë e vjetër dhe u martua me një vajzë të Rugovës e cila e kishte pritur 3 vjet. Iu lindën 2 fëmijë.
Rrustemi (1954) dhe Shkurta (1956) por martesa nuk zgjati shumë, vetëm 5 vjet. U nda por fëmijët i mbajti Ademi se siç thoshte “nuk dua të m’i rrisë fëmijët dikush tjetër, se e di çka do të thotë të jesh jetim. Disa vjet pas u martua me Ikballe Ramën Rugova dhe i lindën edhe 5 fëmijë Sejdija (1960), Nafija (1962), Razija (1963), Kumrija (1965) dhe Beqiri (1967).
Në vitin 1967 duke parë se si po keqësohej gjendja e shqiptarëve vendosi të emigrojë. Së pari deshi të shkojë vetëm me djalin 13 vjeçar Rrustemin, por e ndërroi mendjen dhe vendosi të emigrojë me krejt familjen, u nisë për në kurbet me 1 mars 1968, kaloi 4 muaj nëpër kampet e refugjatëve në Itali, derisa u plotësuan të gjitha dokumentet për emigrim në SHBA. Shkelen në tokën e premtuar më 27 qershor 1968.
Amerika nuk pret, thoshte baca Adem dhe filloi punën menjëherë si pastrues në një ndër ndërtesat gjigante të New York-ut, pas pak filloi të punojë nga dy punë dhe gruaja filloi të punojë edhe ajo pastruese. Fëmija u kujdeseshin për njëri tjetrin. Pas 5 vjetëve në Amerikë e bleu shtëpinë, sepse siç tha “Malësori nuk mund të jetojë në shtëpi të huaj” 871 Kinsella Street Bronx. Aty jetoi deri në vdekje, rriti fëmijët dhe u rehatua.
Në verën e vitit 1972 u organizua një demonstratë para ndërtesës së OKB-së në New York dhe qysh atë ditë baca Adem kurrë nuk mungoi në demonstratat që organizoheshin kundër pushtetit që shkelte të drejtat e shqiptarëve. Baca Adem në përpjekjet e tij për ta mbajtur shqiptarizmin gjallë hapi edhe xhaminë shqiptare në Bronx “Ali Pashë Gucia”, ku ishte hapur edhe shkolla shqipe. Ishte kryetar i Lidhjes së Prizrenit, Dega Ali Pashë Gucia. Mori pjesë në të gjitha demonstratat gjithmonë i veshur me veshje kombëtare dhe duke mbajtur fjalime të këndshme alla malsorçe. Shumë shkrime të tij janë botuar në gazeta dhe revista si Dielli, Zëri i Kosovës, The Albanian Herald etj.. Në vitin 1998 botoi monografinë nga Vuthaj në Amerikë me parathënien e
Dritëro Agollit. Zëmra i pushoi këtij malësori të madh në vitin 2007 dhe u varros në New York me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve nga 4 anët e botës.
Në New York ka rrugë me emrin e Gjergj Kastriotit, Nanës Tereze, Fan Nolit etj.. Para disa muajve Bronxi u zbukurua edhe me emërimin e një rruge të re Adem D. Çelaj Way. Faleminderit Amerikë. Faleminderit Baca Adem. Pushofsh në paqe!