![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2017/01/muhamed-nika.jpg)
(vijon nga numri i kaluar)
Gjergj Nikprelaj pohon se ka dëshmuar pa baza kundër Bajram Rexhës, Bahri Briskut, Gjylaver Avdiut dhe Mehmet Bardhit
Dhuna shtetërore ndaj këtyre personave lidhet me ngjarjet e vitit 1981, por në fakt ajo kishte filluar shumë kohë më parë. Një gjë të tillë e dëshmon akuza e ngritur ndaj Bardhit dhe Briskut, të cilët sipas dëshmitarit Nikprelaj ishin të akuzuar për biseda të bëra edhe para 10-15 viteve. Personat për të cilët është fjala u ndoqën, u paditën, u keqtrajtuan, u diferencuan, u larguan nga puna dhe më në fund u burgosën. Është e vërtetë që “dufin” e vet antishqiptar udhëheqja e atëhershme politike e shprehu pikërisht ndaj këtyre personave.
Njëri nga dëshmitarët e dhunuar të atyre ditëve, Gjergj Nikprelaj, e pranon se ka qenë i detyruar të dëshmojë pa baza, por gjithashtu rrëfen se pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje në Kotorr dhe çuarjes së tyre në Spuzh për hetime te gjykatësi i ndjekjeve penale, ka dashur të ndalojë një veprimtari të tillë. Mirëpo, pas përpjekjes për të tërhequr padinë në hetuesi, inspektori policor i nervozuar disa herë i ishte kërcënuar atij me fjalët: “Do t’i gjej një mijë dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë kundër jush… Dyert e burgut janë të hapura… Shko tani… Do të përfundosh tek ata në Spuzh”.
Pas këtij poshtërimi për mendim që i bëhet Gjergjit në polici, ishte e qartë se qarqet shoviniste nxituan të bënin atë që dihej se do ta bënin. Paramendojeni, si kanë mundur ta ndiejnë veten ata, hetimet e të cilëve zgjatën disa muaj.
Në dëshminë e dhënë me shkrim, Gjergji pohon: “Nuk i kanë takuar asnjë organizate ilegale. Kanë qenë arsimtarë që kanë punuar me planprogram shkollor. Kanë qenë më liberalë në biseda me të tjerët. Në këtë mënyrë kanë rënë në sy të ‘hetuesve’, por pa baza, vetëm me dyshime… Gjylaver Avdiu, ecc. i dipl… krushqve, kur i janë afruar një shtëpie në Sukubinë, u ka thënë: ‘Mos këndoni serbisht, tani këndoni shqip…’ I ndjeri Bajram Rexha, albanolog, paska thënë me një rast: ‘Kufiri në mes Malit të Zi dhe Turqisë dikur ka qenë në Kllezën’ dhe për këtë ka rënë në sy. Mehmet Bardhi dhe Bahri Brisku, albanologë, kanë qenë liberalë në biseda, ‘hetuesit’ kanë kërkuar të dinë se çka kanë folur edhe para 10-15 vjetëve. Kuptohet, këto kanë qenë të tëra akuza ‘paushall’ dhe me hamendje. U dënuan pa baza.
Proces i posaçëm politik për të cilin nuk kam qenë i njoftuar, por kam dëgjuar, është edhe rasti i Ibrahim Cekës. Ibrahim Ceka, pedagog, është fajësuar vetëm pse i ka thënë në banesën e tij me rastin e kontrollit inspektorit të atëhershëm: “Është vështirë sot të jesh shqiptar”. Tekstet universitare të Universitetit të Prishtinës dhe librat e botuar në Shqipëri i janë marrë si propagandë gjoja armiqësore. Është dënuar pa baza për vepër penale.”
Nëse përjashtojmë pohimin e Gjergjit, i cili e pa të arsyeshme të rrëfejë vetë, mbetet të dihet se kush ishin dëshmitarët e tjerë në proceset e montuara politike dhe çfarë dëshmuan?! Gjergji më tej nuk dëshiron të flasë?
Në fund, me sinqeritetin më të madh shtoi: “Kur të fusin në labirint, bëhu i urtë e dil, mos i ndodhtë kujt, të fusin në orkestër e kërce pastaj derisa të bie lodra. Au, nuk di ta tregoj, vaj halli nëse të tërheqin edhe rrëshqanë, s’e ke idenë… Unë kam qenë i keqtrajtuar!”
Dhunë mbi anamalasit
Politika zyrtare dhe parapolitika e kohës në Mal të Zi, duke qenë e sfiduar nga aktiviteti ynë politik, derisa me të tjerët bënte një luftë të ndytë, me shqiptarët në Mal të Zi bënte një politikë të ndytë, duke inskenuar shpeshherë situata konfliktuoze me qëllim të përshkallëzimit të dhunës. Dëshmi për këtë janë shumë keqtrajtime fizike të qytetarëve, ndërsa disa “ndodhi” të inskenuara me prapavijë të errët, të cilat i mbuloi velloja e misterit politik për tërë kohën, duhen cilësuar si provokime të rënda, të organizuara nga shteti.
Pa dyshim se njëra nga këto ndodhi me prapavijë të dyshimtë, duhet të ketë qenë edhe vrasja e një ushtari në kufirin jugosllavo-shqiptar në Sukubinë. Ka indikacione të ndryshme për këtë vrasje e cila duhet të ketë qenë njëra nga situatat me zgrip tonat në periudhën 1990-1994. Këtë më së miri e zbulon ekstrakti nga procesverbali i mbajtur në tubimin me qytetarët e Bashkësisë Lokale të Sukubinës, të cilin e sjellim pjesërisht në këtë artikull.
Në këto situata të dyshimta, duke pasur parasysh përshkallëzimin e dhunës që lidhej drejtpërsëdrejti me provokimin e substancës biologjike të shqiptarëve, vërtetohej bindja se si parti dhe si popull duhej të ushtrohej ndjenja e vetërreshtimit të masës para një gjendjeje të tillë, por gjithnjë në frymë të tolerancës. Në mbledhjen e kryesisë së Degës së Anës së Malit të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ra mendimi që me strukturën e aktivistëve të Bashkësisë Lokale në Sukubinë të organizohej një protestë e hapur me qytetarë, ku ata do të flisnin për keqtrajtimet e veta.
Në bazë të dëshmive nga protesta, u hartua një dokument që dëshmon për shkeljen e të drejtave dhe lirive njerëzore me të cilin u njoftuan të gjitha instancat qeveritare të pushtetit lokal dhe atij republikan, ndërsa iu dorëzua edhe z. Zhan Pjer Mose, zëvendës i bashkëkryetarëve të Konferencës së Paqes për ish-Jugosllavinë me të cilin u zhvilluan bisedime në Vilën Gorica në Podgoricë. Si shkas për organizimin e protestës ishte rrahja e Safet Hoxhës nga Rashtisha e Poshtme nga ana e policisë. (vijon)