Policia rreh të ikurit nga lufta në Kosovë

Se çfarë ka qenë ndërhyrja policore ndaj të ikurve, më së miri e përshkruan z. Dar Warmke, shef i zyrës së shoqatës humanitare nga Zvicra, e cila edhe e kishte pajisur kampin. Lidhur me këtë, ai deklaroi: “Në mbrëmjen e 29.6.1999, në kampin ‘Neptun’ është organizuar mbrëmje muzikore, në të cilën mora pjesë edhe vetë. Rreth orës 19:30, një orë pas fillimit të koncertit, ai u ndërpre nga policia lokale. Rreth 15 policë, të armatosur me pushkë automatike, hynë me forcë në kamp duke e shpërndarë popullin nga ai vend... Gabimisht më arrestuan pasi që kishin menduar se jam gazetar i huaj. Më janë marrë kamera dhe telefoni mobil”

Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Nga njohësit e huaj dhe të vendit, shqiptarët skicohen si popull i sinqertë që i besojnë fjalës, që lidhen për të, por që shumë herë kanë rënë viktimë e demagogjisë politike të popullit fqinj. Një rrezik të tillë e kanë mbi kokë edhe sot shqiptarët në Malin e Zi, edhe pse ata me përcaktimin e vet politik në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ishin faktor që kushtëzuan fitoren e forcave të moderuara demokratike të presidentit Gjukanoviq. Rrezikun e dëshmoi edhe përsëritja e dhunës policore ndaj të ikurve nga Kosova, të vendosur në kampin “Neptun” të Ulqinit, me rastin e organizimit të një mbrëmjeje shoqërore, më 29.6.1999. Me këtë rast e pësuan edhe disa qytetarë të Komunës së Ulqinit të cilët përkujdeseshin për refugjatët ose ata të cilët e organizuan mbrëmjen muzikore.
Siç duket, edhe pse shqiptarët në Malin e Zi, me votën e tyre peshojnë vetëm një “derhem” në “okën” e demokracisë malazeze, ndërhyrja e policisë dëshmoi që kjo peshojë nuk është higjienike për shumicën e zgjedhësve malazias. Zhvillimi i ngjarjeve dëshmoi se partia në pushtet gjithnjë kur e humb rejtingun (vlerësimin) e saj nacional nga sulmet e opozitës malazeze, ka për t’ia mëshuar kurrizit të shqiptarëve dhe ka për të inskenuar afera në mënyrë që të përmirësojë rejtingun e vet. Thënë të vërtetën, një rënie e tillë e rejtingut ngjau para momentit të ndërhyrjes, e sidomos në momentin kur partia e z. Bullatoviq po e akuzon Qeverinë malazeze se në territorin e saj i strehon terroristët nga Kosova dhe të cilët lirisht i deportonte në Shqipëri.
Se çfarë ka qenë ndërhyrja policore ndaj të ikurve, më së miri e përshkruan z. Dar Warmke, shef i zyrës së shoqatës humanitare nga Zvicra, e cila edhe e kishte pajisur kampin. Lidhur me këtë, ai deklaroi:
“Në mbrëmjen e 29.6.1999, në kampin ‘Neptun’ është organizuar mbrëmje muzikore, në të cilën mora pjesë edhe vetë. Rreth orës 19:30, një orë pas fillimit të koncertit, ai u ndërpre nga policia lokale. Rreth 15 policë, të armatosur me pushkë automatike, hynë me forcë në kamp duke e shpërndarë popullin nga ai vend. Shtojmë se në mesin e të tubuarve ka pasur një numër të madh të fëmijëve të vegjël.
Gabimisht më arrestuan pasi që kishin menduar se jam gazetar i huaj. Më janë marrë kamera dhe telefoni mobil. Më futën në një automjet privat bashkë me një person tjetër, të cilit ia kishin vendosur prangat në duar. Të dy kemi qenë të shtyrë me forcë të qëndrojmë në ulëset e fundit të automjetit privat. Gjatë kësaj kohe, i arrestuari i cekur u sëmur dhe filloi të villte (nga të rrahurat e policisë, v. j.). Më është lejuar që personit t’i ndihmoj jashtë automjetit, por polici i cili krejt ndodhinë e shikonte me dozë të një argëtimi nuk më ofroi kurrfarë ndihme.
Më dërguan në stacionin e policisë, me ç’rast më mori në pyetje shefi i policisë. Që në fillim të bisedës u pa se kam qenë gabimisht i arrestuar nga policia, sepse SAH është shoqatë joqeveritare e cila kishte marrë përsipër përgjegjësinë më të madhe për kampin “Neptun”. Këtu më mbajtën rreth një orë, duke u munduar të më bindin rreth shumë hollësive të incidentit në ‘Neptun’. Në tërësi i kuptoj disa rrethana, por megjithatë mendoj që policia është sjellë në mënyrë shumë të ashpër dhe se ajo mënyrë nuk mund të përshkruhet si aksion policor. Ky ka qenë një aksion i vërtetë gjysmë ushtarak, i kryer nga ana e rezervistëve të Ushtrisë jugosllave. Qëllimi i policisë ka qenë që të përfundojë ndodhinë në mënyrë që të mbrojë interesat e personave në kamp dhe askush të mos lëndohet. Mirëpo, nga mënyra se si u ekzekutua aksioni, disa persona morën lëndime dhe ka mundur të vihet në pyetje edhe jeta e njerëzve.
Kam qenë dëshmitar i shumë punëve të cilat ndodhen këtë mbrëmje dhe mendoj se u bënë shumë parregullsi, si nga ana e organizatorit të tubimit, ashtu edhe nga ana e forcave policore. Të dy palët duhet të jenë të vetëdijshme dhe përgjegjëse për veprimet e veta”.
Anët banale të ngjarjes i zbulon edhe mbrojtja – avokati Loro Markiq, i cili në ankesën EV-1130 konstaton: “… dëshmitarët e marrë në pyetje – policët kanë dëshmuar se kishin dëgjuar një zë femre, e cila po këndonte këngën ‘Oj Kosovë, oj nëna ime’, që nuk fyen as poshtëron, sepse si e tillë shpeshherë transmetohet edhe në valët e Televizionit Shtetëror të Malit të Zi.
Dëshmitari Rudoviq ka shtuar se fjalët inkriminuese që gjenden në kërkesë fare nuk i ka dëgjuar atë ditë, ndërsa polici tjetër Vukçeviq ceku që asnjë fjalë të këngës nuk e kishte kuptuar, sepse nuk e njeh gjuhën shqipe, përveç atyre fjalëve që ia kishte përkthyer dëshmitari Rudoviq, por që e mbante mend këngën, titullin e së cilës në seancë e tha shqip ‘Oj Kosovë, oj nëna ime’, e që e përkthyer do të thotë ‘Kosova Republikë’, që nuk është përkthim i përpiktë, ndërsa këtë gabim në përkthim e ka hetuar mirë organi i shkallës së parë. Është krejtësisht e qartë se Rudoviqi nuk ka mundur ta përkthejë atë që nuk e kishte dëgjuar.” (vijon)

Të fundit

më të lexuarat