Duke folur për mizorinë e torturave policore dhe për fatin e të torturuarve në Mal të Zi, Sheki Radonçiqi shprehet: “Psikika e njeriut i cili ka përjetuar torturën policore, sipas mendimit tim mund të krahasohet me psikikën e femrës së përdhunuar. Tmerri dhe turpi e ndrydhin tek ai dëshirën për drejtësi, e nganjëherë e ndrydhin tërësisht. Kësaj i kontribuon edhe mentaliteti ynë provincial, i cili nganjëherë di të thotë: e po mirë e ka, çfarë ka lypur, ka gjetur!”
Në shtetet ku sundon diktatura, për individët e shoqërisë vlen një parim i mbrapshtë: e liga çmohet si e drejtë, kurse e drejta si e ligë. Në të tilla raste, njeriu miqësohet me të keqen dhe shpesh e ndihmon atë me dashje. Aplikimi i pluralizmit edhe pse u bë, nuk shënoi ndonjë kthesë cilësore në rrënimin e këtij parimi. Autorët e krimeve edhe sot janë në pozita shtetërore; ata përsëri mund të hakmerren nëse dikush guxon t’iu prishë tymin në këtë adresë. E keqja për viktimat lehtë mund të kthehet, prandaj ata heshtin. Represioni sistematik që u bë mbi ta ka deformuar guximin dhe ka shuar ëndrrat. Pas diktaturës komuniste dhe regjimit nacional shovinist, koncepti padrejtësi dhe torturë është diçka e zakonshme. Sipas këtij parimi, policia ka të drejtë të kontrollojë, të rrahë, të përgjojë etj..
Rrëfimet për torturën policore të ushtruar pas vitit 1981 e këtej, në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, të fusin ndjenjën e turpit, sepse çdo mizori policore dhe gjyqësore bëhej në emër të konceptit “popull”. Të kuptuarit se forca e shtetit që u manifestua me dhunë kolektive bëhej edhe në emrin e individit, te qytetari normal nxit ndjenjën e fajit. Regjimi në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit përgatiste ekipe politikanësh shqiptarë të cilët për të ruajtur pozitat e veta në hierarkinë e mekanizmave partiake, i largonin nga shoqëria individët, e sidomos arsimtarët dhe profesorët nga procesi mësimor, ndaj të cilëve ngriheshin procedura gjyqësore me dëshmitarë të rrejshëm. Ky është turpi më i madh yni. Lista e dëshmitarëve të rrejshëm që “dëshmonin” në polici dhe gjyqe, e kalon disa herë listën e të përndjekurve politikë.
Në një situatë të tillë, ku të gjithë ishin kundër të gjithëve, në Anë të Malit – Ulqin u ndoqën penalisht këta persona: Muhamet Nika, Rashtishë, me 2 vjet burg; Hajredin Kovaçi, Draginë, me 2 vjet burg; Faik Rexha, Kllezën, me 2 vjet burg; Gjylaver Avdiu, Sukubinë, me 2 vjet burg; Bajram Rexha, Kllezën, me 2 vjet burg: Brahim Ceka, Brajshë, me 1 vjet burg.
U dënuan për kundërvajtje, prej 2 deri në 6 muaj burg: Prenç Koçi (Kllezën), Mujë Zeneli (Kosiq i Poshtëm), Xheladin Xhurreta (Rashtishë), Osman Zaga (Rashtishë), Enver Tula (Rashtishë), Nerimet Tela (Sukubinë), Xhevahire Tela (Sukubinë), Zenun Avdiu (Sukubinë), Hamza Kurti (Sukubinë), Brahim Osmani (Brajshë), Qazim Çobi (Krythë), Islam Jahush Pali (Krythë), Bilal Alaj (Katërkollë). U larguan nga procesi mësimor: Idriz Kallaba, Rexhep Kokaj, Mehdi Alaj, Kadri Doda, Qazim Rexha (iu hoq edhe grada e kapitenit të eprorit ushtarak në rezervë).
U dënuan me vërejtje partiake dhe me paralargim: Ali Doda, Asllan Bisha, Syme Kokaj, Shaban Gjekaj, pastaj edhe shumë të tjerë që kishin funksione partiake dhe “sjellje oportune”. Izolimi i këtyre njerëzve ka vazhduar edhe pas vuajtjes së dënimit. Ata kanë dashur dhe kanë shpresuar se mund të “risocializohen” në mjedis, së paku nga miqtë dhe shokët e tyre, mirëpo ekskomunikimi që u bëhej nga shoqëria e frikësuar, ka qene përjetim më i tmerrshëm se vetëdënimi. Ata kishin nevojë për një kurajo që mungonte. Diktatura shtetërore dhe tortura policore e kishte kryer misionin e vet. Privimi nga liria i disa personave, krijonte psikozën e ikjes masive nga liria për të tjerët. Derisa të parët e kapërcenin kufirin e frikës pas daljes nga ferri (burgu), të tjerët hynin në ferr… Njerëzit që s’e kapërcenin frikën, kishin frikë nga hija e vet.
Për këtë kohë Sheki Radonçiqi thotë: “Emrat dhe faktet e përmendura të shumë njerëzve, pa dyshim kanë qenë objekte të torturave fizike dhe psikike nga policia në birucë. Këto fakte do të donin një hetim të veçantë për të nxjerrë rrëfimet tronditëse nga birucat e burgut, të cilat i ruajnë në vete muret e gjera të tyre, për të mos e parë ditën”.
Ky ishte refleksion i ngjarjeve të Kosovës, kur Fadil Hoxha, “hasreti i Titos”, shprehej: se “bira e minit do të jetë treqind grosh”. Ndërsa një hasret tjetër i Titos, hiç më pak i rëndësishëm për Ulqin, në “Ulcinjske novine” me habi shtronte pyetjen: “Pyesim: si njerëzit e rinj janë të indoktrinuar me ideologji nacionaliste në fazën e rezultateve të mëdha të zhvillimit të përgjithshëm dhe afirmimit të gjithëmbarshëm të popullsisë shqiptare… Megjithatë, nuk mund të ikim nga e vërteta e hidhur që edhe në komunën tonë ka pasur manifestime të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar… Mund të krenohemi që energjikisht dhe të bashkuar i kemi dënuar dukuritë e tilla dhe bartësit e tyre, por nuk mund të lavdërohemi që kemi bërë shumë që të gjitha këto t’i ndalojmë, sepse është e qartë, kemi vënë në pah, por me vite kemi toleruar. Këto dhe dukuri të tjera në mes të rinjve nuk mundet askush t’i vërejë më mirë se ata (në klasë, rrugë, autobus, manifestime kulturore e të ngjashme)… Një numër i madh i librave nuk është i hartuar në vlerat marksiste ideore dhe etike… Disa nga këta libra janë plot me përmbajtje nacionaliste, që dëmshëm kanë ndikuar në ndjenjën e bashkësisë socialiste”. (vijon)
Persekutorët e popullit
Gjatë viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, organet policore dhe ushtarake ushtruan dhunë psikike dhe fizike ndaj shqiptarëve në Malin e Zi, ashtu sikundër edhe në viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Kjo ishte pjesë e politikës diskriminuese jugosllave kundër popullit shqiptar, me qëllim “disiplinimin” e atyre shqiptarëve që guxuan të çonin zërin kundër padrejtësive që u bëheshin, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Në shënjestër të organeve shtetërore u gjet veçanërisht inteligjenca shqiptare, por edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët u dënuan me masa të ndryshme: me burg, me përjashtim nga puna etj.. Dhunë përjetuan sidomos banorët shqiptarë në brezin kufitar me Shqipërinë. Libri i Muhamet Nikës “Reflekse politike” (botoi: Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin, 2000) është ndër publikimet e pakta, ku është shkruar dhe dëshmuar me fakte dhe dokumente mbi dhunën e asaj kohe. Prandaj me qëllim të ndriçimit të së kaluarës dhe risjelljes në kujtesë të ngjarjeve tek ata që e kanë përjetuar këtë periudhë të zymtë për shqiptarët, “Koha javore” në kuadër të rubrikës “Dossier” do të botojë në vazhdime pjesë nga ky libër