Disa veçori dhe tipare dalluese të trieshianëve

Gjekë Gjonaj

Zhvillimi i karakterit dhe tipareve të trieshianëve janë të ngjashme, në një masë më të vogël apo më të madhe, me vetitë dhe virtytet etnopsikologjike të shqiptarëve të Malësisë së Madhe dhe të vendbanimeve tjera veriore (malore) shqiptare, të njohur me emrin malësorë. Trieshianët kanë tjetër lloj mendësie, virtytesh e prirjesh për dallim nga shqiptarët që jetojnë jashtë malësive, në jug të Shqipërisë, në bregdet. Monsinjor Simon Filipaj shkruan: “Një studim i mirëfilltë për psikën e këtij populli (shënimi im- trieshianëve kojasve, grudianëve dhe hotianëve) do të ishte interesant sepse këta (që jetojnë në male) me shumëçka dallojnë nga bashkëvllaznit e tyne të të njëjtit gjak, bile edhe nga ata (katolikë) të cilët janë vendos në ultësina”.
Këto tipare dalluese të kësaj popullate autoktone (vendase), të lashtë në këto troje janë të lidhura ngushtë me kushtet dhe rrethanat historike, etnike e gjeografike, me nivelin e zhvillimit ekonomik e kulturor, të cilat kanë ndryshuar gjatë etapave të ndryshme të historisë së këtyre malësorëve. Ato kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mënyrën e jetesës, organizimin shoqëror, në formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe moralit shoqëror, në formësimin e dokeve (bidateve) e zakoneve, duke krijuar kështu individualitetin, mendësinë me shije origjinale, doket, zakonet e paragjykimet e caktuara.
Vetitë e tyre psikologjike janë tradita të trashëguara, të cilat gjatë shekujve kanë jetuar, janë kultivuar e ruajtur, kanë evoluar dhe kanë kryer funksione të veçanta të jetës shoqërore.
Krahina e Trieshit është një mozaik i pasur dokesh, zakonesh, mitesh, besimesh, krijimesh artistike popullore, veçorish etnopsikologjike me një sistem vetëqeverisës shumë të organizuar, me disa norma të jetës, të punës e të të menduarit, të argëtimit, me një histori plot luftëra e përpjekje në shërbim të vetvetes dhe të kombit shqiptar, me njerëz punëtorë, atdhetarë, besnikë, fisnikë, qëndrestarë, gazmorë, të dashur, të matur, por edhe mjaftë mundimtarë.
Përveç tipareve karakteristike të shqiptarëve si besa, burrëria e mikpritja, trieshianët bartin edhe veçoritë e veta: përvujtërinë, krenarinë, maturinë e tejskajshme, mbrojtjen e të vetit para të huajit, urrejtjen e pamasë për armikun e tij dhe të atdheut , shenjtërinë e fisit, lakminë e fshehur për gjallesë dhe mendësinë se “atë që s’ia do vetit, mos ia bë (ndjell) tjetrit”.
Natyra në këtë krahinë ka ndikuar mjaft në jetën e trieshianëve dhe krijimtarinë e tyre. Brenda vetes trieshianët kanë zemër e shpirt të butë, ndaj vuajtjes dhe dhimbjes. Shpirti i trieshianit është i gatuar në krenarinë e maleve të thepisura, ashpërinë e shpatijeve të pjerrëta, ushtimën e erës dhe valëve të Cemit në kohë shtrëngatash, uturimën e ortekëve, pastërtinë e brymës, joshjen e melodive të fyejve të gjatë, aromën dehëse të luleve në bjeshkë, fëshfërimën e gjetheve të ahut, trokëllimën e këmborëve të deleve (ogiçave), shumëllojshmërinë e ngjyrave të pyllit në vjeshtë.
Trieshianët janë edukuar në frymën historike e kulturore shqiptare të trashëguara brez pas brezi . Janë rritur në shtëpitë (kullat dhe tëbanat), ku janë brumosur me bujarinë dhe ëmbëlsinë e mikpritjes, fjalën e bardhë të nënave dhe urtësinë dhe çiltërinë e burrave të moshuar, forcën e shtrëngimit të duarve, mënyrën e jetesës dhe argëtimet me normat e jetës dokesore. Përveç tyre kanë përthithur leksikun e frazeologjinë, doket e zakonet, këngët e përrallat. Në këtë krahinë mysafirët dhe kalimtarët e rastit kanë mësuar se çfarë vlerash ka besa e burrëria, mençuria e trimëria, thellësia e gjykimit dhe mprehtësia e fjalës dhe serioziteti i kuvendeve.
Prandaj, duhet theksuar se tiparet etnopsikologjike të trieshianëve, sikurse edhe të shqiptarëve (malësorëve) në tërësi gjatë procesit historik, janë formësuar e zhvilluar nën presione të jashtme sistematike, duke u shoqëruar me reagime e rezistencë popullore për të siguruar jetesën e mbijetesën si popull. Në këtë vështrim, mendojmë se një rol të rëndësishëm në kultivimin e tipareve etno-psikologjike të trieshianëve, si pjesë e popullit tonë, kanë luajtur edhe kuvendet e burrave shqiptarë. E veçantë për to ka qenë se respektonin elementet etnografikë, normat etiko-morale që ishin të njohura e të pranuara prej të gjithëve. Ato zhvilloheshin, sipas traditave e dokeve thjesht shqiptare në përputhje me mentalitetin e lashtë, me normat kanunore e sjellje të veçanta shqiptare. Në fakt, kuvendet kanë qenë ndër përbërësit kryesorë të vetëqeverisjes sipas zakoneve dokesore shqiptare të ruajtura deri në mesin e shekullit XX. Mënyra se si shqiptarët (malësorët) e asaj kohe komunikonin e merreshin vesh, respekti për mendimet dhe personalitetin e bashkëbiseduesit, maturia në pleqërimin e problemeve, shoshitja mirë e çështjeve të luftës, kolegjialiteti në marrjen e vendimeve përfundimtare, gatishmëria për të vepruar në përputhje me to e të tjera, të gjitha këto, flasin edhe për vlera etno-psikologjike që shpreheshin e kultivoheshin brez pas brezi. Ato dëshmojnë për një traditë etno-kulturore të vyer, për një model në organizimin dhe zhvillimin e këtyre kuvendeve në shkallë rajonale e kombëtare. Më poshtë, e ndjemë të nevojshme të përmbledhim dhe të përshkruajmë më konkretisht disa nga veçoritë më tipike etno-psikologjike të trieshianëve, të cilat janë ngulitur thellë në psikologjinë e tyre, por duke nënvizuar edhe aspekte të evoluimit të tyre në përshtatje me kushtet dhe rrethanat historike që ndryshojnë.

Vlera e virtyte tradicionale të trieshianëve
Trieshianët si një popull i lashtë gjatë shekujve është dalluar me disa norma e rregulla tradicionale, vlera e virtyte të jetës së ashpër që ka kaluar nëpër shtrëngata të tmerrshme të historisë, si norma të lidhura ngushtë me doke e zakone kanunore të kësaj popullate e cila nuk u është nënshtruar kurrë institucioneve juridike-shtetërore e të pushtuesve të ndryshëm, por vetë në mënyrë të pavarur, në bazë të normave kanunore, i ka zgjidhur problemet ekzistenciale të familjes, të fisit dhe të shoqërisë.

Lidhja e fortë me tokën e të parëve
Edhe trieshianët, sikurse të gjithë shqiptarët, si popull autokton (vendas), tradicionalisht kanë si tipar kryesor të qenit lidhur fort me tokën e të parëve, me trojet dhe vendlindjen e tyre. Ata dëshironin të ndjeheshin të lirë dhe të qetë vetëm në tokën e tyre dhe për këtë kanë krijuar plot këngë, legjenda e mite. Në rast rreziku ngriheshin të gjithë me armë në dorë për mbrojtjen e lirisë dhe vatrave apo territoreve, të cilat bëheshin pre e synimeve shoviniste të fqinjëve, duke ruajtur nderin dhe dinjitetin, krenarinë kombëtare dhe shpirtin e mosnënshtrimit përpara të huajit. E vërteta është se shqiptarët e kanë përjetuar dramën e copëtimit të trojeve të tyre nga fuqitë e mëdha. Kështu ndodhi p.sh. në vitin 1913, por pavarësisht nga kjo, etnitë shqiptare që mbetën jashtë kufijve të tokës mëmë, pra edhe trieshianët kanë ruajtur me fanatizëm veçoritë karakteristike të shqiptarit.

Atdhedashuria
Një veçori tjetër e trieshianit është edhe dashuria për atdheun. Kjo lidhet ngushtë me kushtet e veçanta gjeografike të kësaj krahine shqiptare. Vetë trieshianët e pëlqejnë natyrën e tyre të bukur, e duan, e mbrojnë dhe kanë sakrifikuar për të. Ata e kanë shprehur dashurinë për atdheun sa herë ai është kërcënuar nga jashtë. Që nga lashtësia deri në Luftën e Dytë Botërore, i kanë shërbyer atdheut atje ku ai ka pasur nevojë. Po ashtu edhe në periudhën e socializmit, janë përpjekur të ruajnë dinjitetin dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Kështu ndodh edhe në kushtet e lëvizjes së lirë dhe integrimit të sotëm.

Të fundit

më të lexuarat