Nju Jork – Shoqata e mirënjohur “Ana e Malit”, ditën e diel, më 27 prill 2025, në muajin pranveror ku pemët dekorative sjellin një parajsë të vërtetë me lule shumëngjyrëshe, inaguroi Qendrën Kulturore Shqiptare në Staten Island. Ka qenë një ëndërr e kahershme ndër vite që këta bij dhe bija të Anës së Malit të kishin një qendër të tyre ku të mblidheshin dhe të kuvendonin si motra dhe vëllezër së bashku. Dhe ja, më në fund, ia arritën e realizuan këtë punë nga më të bukurat dhe me atdhetaret. Ata ngritën një këmbë mali si malet e Shqipërisë këtu në ishullin e bukur në Staten Island.
Kemi preferuar me përulje si media të ndjekim gjithë aktivitetet e tyre më shumë se 20 vjet dhe t’i pasqyrojmë në gazeta dhe në kanalet televizive. Ato janë një arkiv i gjallë i historisë në Diasporë.
Pjesëmarrësit grupe-grupe vinin dhe zinin vendet përpara godinës së pastër, të bukur, ku në krye qëndronte si kurorë emri i godinës dhe logoja e Anës së Malit. Çfarë krenarie tek shikoje të zotët e shtëpisë – kryetarin e shoqatës, z. Albert Salaj, ish-kryetarin z. Safet Llolla, znj. Melinda Gjeloshi dhe anëtaren e kryesisë, znj. Ajete Cuca, që të mirëprisnin të gëzuar dhe plot dashuri për këtë ditë të madhe. Më duhet të them se kjo qendër kulturore ndërtohet për herë të parë në historinë e Diasporës shqiptaro-amerikane në Nju Jork dhe kjo ndodhi nga Ana e Malit. Kjo u realizua sepse gjithkush që i thotë vetes shqiptar, s’i harron kurrë rrënjët e tij dhe veç për atë tokë mendon, siç thotë Ndre Mjeda: “Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot/ veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot”.
Skena e ngritur enkas për të realizuar programin artistik dhe kulturor ishte tejet e përshtatshme. Dhe ja moderatori i kësaj dite të madhe, artisti i shquar Bledar Maqellara falënderoi të gjithë të pranishmit dhe me plot kulturë, talent dhe profesionalizëm drejtoi gjithë programin.
Ai ftoi në skenë punonjësit e policisë së NY-ut – “NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers” Albanian American Organization of sworn law enforcement officers in the US. Ata e përkushtojnë jetën e tyre për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer komuniteteve tona.
Ardhja e tyre u shoqërua me duartrokitje të nxehta.
Artistja e shquar Dëshira Ahmeti – Kërliu intepretoi Himnin Kombëtar amerikan dhe shqiptar. Ajo ka punuar në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, gjithashtu është e punësuar si e vetmja shqiptare në Teatrin e Maqedonisë në Shkup. Ka luajtur në skena prestigjioze, Amerikë dhe në Evropë, dhe në ngjarje të mëdha të Atdheut.
Kryetari i Shoqates “Ana e Malit”, z. Albert Salaj, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të realizuar këtë projekt madhështor, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe kontribuesit kryesorë që ndihmuan në marrjen e godinës.
Ai premtoi se do të punojë më shumë dhe iu tha të pranishmëve se kjo shtëpi është e të gjithë shqiptarëve, çka flet për gjenerozitetin e anamalasve dhe atdhetarizmin e tyre.
Ish-kryetari i Shoqatës, z. Safet Llolla, përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi pa masë të gjithë vullnetarët, kryesinë, emra donatorësh që bënë të mundur që ne të mblidheshim krenarë në këtë godinë të bukur dhe komode.
Ai foli për përpjekjet e shumta dhe përkushtimin e madh të anamalasve për të realizuar ëndrrën e tyre.
Si gjithmonë, mjaft impresionuese ishte fjala e Imam Edin Gjonit, i cili me një elokuencë brilante bekoi dhe uroi të gjithë të pranishmit dhe anamalasit për këtë punë të vyer, të dashur, atdhetare dhe të Zotit.
Ai solli dhe përshëndetjen e Dom Pjetër Popajt dhe urimin e tij për hapjen e qendrës kulturore atdhetare.
Një atmosferë festive dhe tejet të bukur sollën grupet si “Barbana” me vallen e Shotës, me koreografi nga Sebastian Tinaj, Vallen e bilbilit, Peshkatari etj. Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” u paraqitën me dy valle – Vallja e Çamërisë dhe Vallja e Flamurit, të përgatitura nga mësueset profesioniste dhe të talentuara Entela Muda dhe Elona Shkreta.
Z. Xheladin Zeneli, ish-kryetar i Shoqatës dhe aktivist i palodhur, i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe uroi që këtë shtëpi ta mbajmë fort për punë të Kombit dhe vetëm në të mirë çështjes kombëtare.
Përshëndeti denjësisht znj. Melinda Gjeloshi, ish-sekretare e Bordit të Shoqatës. Ajo u ndal në punët e shumta dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin për të arritur në këtë ditë madhështore.
“Ne sot jemi mbledhur së bashku, jo vetëm të festojmë marrjen e godinës, por të nderojmë dhe çmojmë vizionin, ëndrrën ushqyese dhe frymëzuese. Kjo qendër është testamenti i forcës së komunitetit, shpirtit të paepur, bashkëpunimit dhe dua të falënderoj secilin nga ju që mori këtë rol të rëndësishëm në ndërtimin e kësaj pune madhështore”, ka thënë ajo, duke përmendur me plot respekt të gjithë kryetarët e shoqatës në të kaluarën, si Safet Llolla, Emmie Selaj, Ismet Kurti, Naser Çobaj, Osman Kallaba dhe Xheladin Zeneli.
Autorja e shkrimit Kozeta Zylo uroi gjithë pjesëmarrësit – anamalasit, z. Salaj, Llolla dhe gjithë kryetarët që së bashku me ekipet e tyre kanë ndihmuar për këtë ditë të madhe.
“Shoqata ‘Ana e Malit’ bëri histori në Diasporë dhe natyrisht ne ndihemi shumë krenarë me këtë realizim të ëndrrës së tyre të kahershme”.
Në inagurimin e Qendrës Kulturore Shqiptare nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe përshëndetën Vito Fosella, President i Staten Island, kongresistja Nicole Malliotakis, e cila kishte sjellë përfaqësuesen e saj, këshilltari David Carr, senatorja Jessicc Scarcella – Spanson, presidenti i Shoqatës së Avokatëve, përfaqësuesve ligjorë të shtetit të Nju Jorkut, ish-kongresisti amerikan Mr. Michael McMahon, këshilltarja Kamillah Hanks dhe asambleisti Sam Pirozzolo, gjykatësja Edita Shkreli. Të gjithë të ftuarit falënderuan Shoqatën “Ana e Malit” për këtë punë kolosale si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për z. Naser Nika si një aktivist i palodhur në komunitet.
Anamalasit bënë histori në Diasporë në saje të punës, vullnetit dhe dashurisë për atdheun,
ndaj me të drejtë thuhet se: “Ana e Malit është mbajtur gjallë se ka punuar, është mbajtur në këmbë se ka luftuar”.
Keze Kozeta Zylo
Kur ëndrra bëhet realitet
Hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare e kanë cilësuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” si një ëndërr që tashmë është bërë realitet.
“Prej shumë kohësh, ka qenë dëshirë e çdo qytetari dhe shoqate nga trevat shqiptare që të ketë një qendër kulturore ku traditat dhe gjuha jonë e bukur të ruhen dhe të trashëgohen me krenari. Sot, kjo dëshirë bëhet realitet!”, thuhet në ftesën për pjesëmarrje në ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre.
Realizimi i këtij projekti madhor jo vetëm për Shoqatën “Ana e Malit”, por edhe për diasporën shqiptare në Nju Jork, ka filluar në vitin 2021 me blerjen e objektit, në kohën kur kryetar i kësaj shoqate ishte Safet Llolla.
Ai tregon se blerja e objektit ka kushtuar diku rreth 400 mijë dollarë dhe se për meremetimin e tij janë shpenzuar të paktën edhe 300 mijë dollarë, që gjithsej kap shumën e përgjithshme rreth 700 mijë dollarë.
Megjithatë, sipas tij, është vështirë të përcaktohet vlera e saktë e shpenzimeve pasi që ka pasur ndihma në forma të ndryshme, pa llogaritur edhe punën vullnetare.
(Kohapress)