Burrëria, toleranca fetare, solidariteti, fjalë e shprehje të trieshianëve

Gjekë Gjonaj

Burrëria dhe trimëria janë tipar tjetër i moralit popullor dhe karakterit të trieshianit. Këto cilësi kanë evoluar, duke marrë një kuptim më të gjerë. Të jesh burrë apo trim nuk do të thotë vetëm t’i dalësh zot dhe ta mbrosh vendlindjen dhe atdheun me armë në dorë, nëse atij i kanosen rreziqe nga jashtë. Kuptimi tjetër është të jesh njeri i fjalës dhe i veprave, të jesh i mençur, të përdorësh diplomacinë, të jesh këmbëngulës, t’u vësh gjoksin vështirësive dhe jo të fshihesh prej tyre e të tjera.
Trieshianët, në rrjedhën e shekujve, trashëgonin dhe kultivonin karaktere të tilla etnike, burrërore, të forta. Ky karakter solid e i papërkulur i tyre me shpirtin luftarak e liridashës, krahas gjuhës shqipe, ka qenë, ndër shekuj një prej atyre faktorëve determinantë të ruajtjes së identitetit të qenit shqiptar.
Burrë i vërtetë konsiderohej jo çdo mashkull , por ai njeri i cili zotëronte disa veti të larta morale si: burrë i fjalës, i besës, i nderit, i mençur, njeri i fortë, trim, guximtar, bukëdhënës, njeri që mbronte me fanatizëm rregullat e bashkësisë shoqërore , njeri që kurrë nuk është turpëruar madje edhe në rastet më të vështira të jetës, veti të cilat i ka treguar në kuvend të burrave apo në luftë. Burrat e dalluar në shoqëri quheshin “burrat e dheut” , ata të cilët përfaqësonin bashkësinë krahinore me dinjitet, me fjalë e vepra kudo ishte nevoja, në kuvende, pajtime, ngatërresa, vrasje… Në kujtesën popullore të trieshianëve është sintetizuar shprehja:
Në mendësinë e jetës së këtij populli vlerësohet edhe veçoria e karakterit të gruas: Gruaja që dallohej për zotësi, mençuri e vepra të larta quhej “grua burrëreshë”, grua përmbi gra, grua zonjë, grua fisnike.

Toleranca fetare
Historikisht, ndarja e shqiptarëve në fe të ndryshme ka qenë strategji përçarëse e pushtuesve, pasi duke i përçarë, mund t’i sundoje më mirë shqiptarët. Edhe pse rrethanat historike i kanë ndarë shqiptarët në fe të ndryshme, ata kanë kultivuar tolerancën fetare midis tyre, duke e kthyer këtë në një cilësi që i bën disi të veçantë nga kombet e tjera. Pranimi i besimeve tjera ka ndodhur edhe në Triesh , ku jeton vetëm një grupim fetar të besimit të krishterë (katolikë). Por, shumë pak trieshianë kanë përqafuar fenë myslimane dhe ortodokse. Ata që janë konvertuar në fe të tjera nuk kanë jetuar në Triesh.
Trieshiani qoftë katolik, mysliman ose ortodoks e ndien veten vetëm shqiptar, e jo turk, sllav, grek, austriak apo ndonjë tjetër. Ai nuk urren dhe nuk kundërshton asnjë besim tjetër. Përkundrazi, respekton të gjitha besimet fetare. Posedon tolerancën fetare. Këtë cilësi të shqiptarit trieshianët e kanë dëshmuar dhe konkretizuar në momente të vështira, kur shqiptarët janë bashkuar pa dallim feje, krahine apo ideje. Në këtë vështrim, feja e trieshianit ka qenë dhe është shqiptaria.

Ndihma shoqërore e solidariteti
Trieshianët kanë pasur dhe e ruajnë prirjen e të gjendurit pranë njeri-tjetrit, duke marrë pjesë në gëzime e sidomos në hidhërime. Kjo cilësi është trashëguar ndër breza dhe ka vlerë, pasi shërben si një mbështetje psikologjike sidomos për atë derë që i ka ndodhur fatkeqësia. Ky mentalitet gjen shprehjen e tij në thënien “dasma e morti nuk kalohen pa miq e pa shokë”. Pra, në vetvete, një cilësi e tillë është shprehje e humanzimit, e solidaritetit dhe afeksionit njerëzor. Kjo cilësi e trieshianit bie në sy edhe në mjaft situata të tjera kur njerëzit përjetojnë ceremoni e rite zakonore të gëzueshme apo kur dëmtohen nga fatkeqësi të ndryshme natyrore.

Përshëndetjet, betimet, urimet, falënderimet dhe mallkimet
Në konstitucionin shpirtëror e psikik të trieshianit zënë vend edhe një larmi përshëndetjesh, urimesh, betimesh, falënderime dhe mallkime të ndryshme, të cilat janë disi të veçanta. Të gjitha këto bëjnë pjesë në mënyrat stereotipe të sjelljes dhe të qëndrimeve që mbajnë trieshianët , jo vetëm ndaj bëmave e sjelljes së njerëzve të njohur, por edhe ndaj të panjohurve. Ato, duke shënuar cilësi karakteristike të tij, shprehin mbështetje, gatishmëri, sinqeritet, siguri, angazhim, miratim, dakortësi apo jodakortësi si dhe marrje përgjegjësie. Po përmendim disa prej tyre:

  • Përshëndetje si:
    Tungjatjeta!
    A je burrë?
    Si je?
    A mujte m’ u çua?
    Si ke njeh?
    A ke fjetë?
    Çka ke ba sot?
    A je mërzitë?
    Ku po shkon?
    Këto përshëndetje janë shumë interesante, njerëzore dhe të bukura.
    Betimet kanë forma të tilla si p.sh:
    Pasha Zotin.
    Pasha shpirtin.
    Pasha nanën.
    Pasha këtë tokë e këtë qiell.
    Pash kryet tem.
    Pasha bukën.
    Për fëmitë.
    Pasha këtë flamur.
    Pasha këtë tokë etj..

Urimet, falënderimet dhe mallkimet
Letë përmendim disa prej tyre:
T’ruejt Zoti!
T’majtë Zoti me shnet!
Nimofte Zoti!
Paç faqen e bardhë!
Kjosh mirë!
Paste nana!
Paste baba!
Zoti t’ruejt!
T’kjoftë bëkua gjini i nans!
U rritsh me vllazën e motra!
Kjosh jetëgjatë!
Gjithku shkosh bash hajr!
Kudo shkosh e vosh , kjosh lirë e hallall prej mejet!
Ta priftë Zoti rrezikun!
Rrnosh sa malet!
Mos t’gjetë gja e keqe!
Ta tiesha të mirën!
T’laça me të mirë!
Tiesha mirë për ty!
Ta tiesha zanë e mirë!
U laça me të mira!
E paç me nafakë!
E paç me hije të mirë!
E paç përhajrë!
Rrnosh e kjosh e përparosh!
Mirë se të ka pru Zoti!
Rafte pika!
Plaste pika!
Mos të çiltë drita!
Mos të zaftë nata!
Baftë Zoti hukubet!
Dreqi pastë punë me ta!
Çofte Zoti përte detit Zi!
Mos e pastë nana!
Hagërte dreqi!
Gjetee çuda!
Theftë qafën!
Hagërt vetin!
Mërrçitee i madhi Zot!
Pastë konaku!
Preftë ujku!
Marrti Zoti metë e kresë!
I lyptë sytë e ballit!
I shkoftë jeta si dreqit në shpellë!
Iu dryftë dera me ferra!
Ja shkreptë Zoti me gjithçka ka!
Ja plastë Zoti zemrën!
Ja kulsha gurin pi krye!
Theftë qafën!
Rafti të kujt e math!
Rafti në gji!.
Kurrë mos pastë!
Lashtë Zoti pa sy në ballë! etj..

Të gjitha këto fjalë e shprehje të tjera janë pjesë e jetës dhe komunikimit të përditshëm të trieshianëve me ngarkesë emocionale, të cilat shprehin përmbajtje të caktuara, krijojnë atmosferë miqësore, mbështetje e ngrohtësi shoqërore, përjetime estetike e të tjera.

Të fundit

më të lexuarat