Buna – emër i lashtë ilir

Me misterin e saj ajo grish shkencëtarin.
Me bukurinë e saj ajo magjeps shkrimtarin.
Ec e zbuloje fshehtësinë e saj!
Mirëpo, e vlen që studiuesi të gjurmojë, të hulumtojë, ndërsa shkrimtari të provojë të bëjë një impresion për bukurinë, për ekzotikën e saj.

Në kohën antike, Tit Livi dhe Plinie Plaku, historianë romakë, emrin e Bunës e shënojnë: Bojanum, Buianum. Historiani tjetër romak, Ptolomeu, e shënon: Bojono. Mirëpo Buna, gjatë historisë, quhej me emra të ndryshëm: Boiana, Boyana, Saboiana; pastaj: Fiumen San Sercii, Flumen Scutari etj. Italianët e quajnë La Baggiona; serbisht Bojana. Shqiptarët e quanin: Buena, sot Buna. Dikur e quanin Barbana. Ilirët e quanin Barbbanna apo ngjashëm.
Me vërtetësi dihet se Bunë quhej lumi i cili dilte nga Liqeni i Labeatëve (i Shkodrës) dhe që derdhej në Adriatik. Për herë të parë ishte i shënuar në një relacion të vitit 1.396, ndërsa në hartë gjeografike qe i vizatuar në një të vitit 1.558.

Si u krijua Buna
Historiani i detarisë, lundrimit dhe peshkatarisë, Dinko -“Bure” Franetoviq (kroat nga Braçi), si rrodhi Buna, si u krijua Buna, e shkruan këtë tezë:
Ujërat e Liqenit të Labeatëve (Shkodrës), aty nën Tarabosh, bënin presion në tokën e butë dhe e shpërthyen; çelën kanalin që nëpër të të rrjedhin ujërat teposhtë kah fushat, kah Adriatiku.
Ashtu rrjedha e krijoi shtratin e vet, u formua lumi Buna. Ashtu, Buna e bëri lidhjen natyrore të Liqenit dhe të vendbanimeve përreth, në veçanti të qytetit të Shkodrës, me detin, me Adriatikun dhe Botën.
Gjatësia e lumit është 44 km, meqë ajo bën kthesa të shumta, ndonëse në vijë ajrore s`ka më shumë se përgjysmë gjatësie.
Ajo, në historinë e saj, shpesh e ka ndërruar shtratin e vet…

Lundrimi nëpër Bunë
Që nga historia, Buna ishte rruga lundruese nga qyteti i Shkodrës për të dalë në det, si dhe e kundërta, nga vendet e ndryshme të Mesdheut, Adriatikut, Egjeut, Jonit, Tirenit, anijet hynin në Bunë: strehoheshin, mbartnin mallra, arrinin në Shirokë, Shkodër…
Nga harta e Cornellies mësohet se Buna, deri në Shëngjin, mund të kalohej, mund të lundrohej me marciliane, ndërsa në liqen depërtohej me galera. Në këtë hartë madje është e shkruar: “Është i mundur lundrimi i anijeve të mëdha”. Arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, në një raport të vitit 1.610, shkruan se një anije e ngarkuar rëndë me mallra, shkaku se thellësia ishte e vogël, se Buna ishte e cekët, anija ka qenë e detyruar të ndalej, qe ngujuar dhe duhej të priste me ditë ngritjen e nivelit të ujit, qoftë nga ujërat e lumenjve anësorë të cilët derdheshin në të (Bunë), qoftë nga ujërat e detit, që vinin, ngriheshin nga batica.
Studiuesi i mirënjohur austriak (i njohur për studimet albanologjike) – Hahni, shkruan se depërtimi nëpër Bunë ishte fort i vështirë, meqë duhej kaluar nëpër një kanal shumë të ngushtë. E shënoi këtë në vitin 1.584. Thellësia dhe gjerësia e Bunës ka ndërruar gjatë historisë, por një është e sigurt: Bunës kanë lundruar: marciliane, vashela, fusta, brigantina, lundra, sule, galera të tipeve të ndryshme, por sidomos “galera sottile”, anije me trup të hollë, të gjata dhe të lehta, me peshkon fare të vogël, që kanë mundur pa vështirësi të depërtojnë kah Liqeni dhe Scodra (Shkodra) – dhe ato kryekëput në shërbime, për qëllime ushtarake…
Ushtarake, pra, jo ngarkesa tregtare!
Ashtu, historia e vjetër ia caktoi Bunës detyrën e vështirë, të ndajë shtete, të ndajë një popull.
Kështu, historia e re (të cilën e shkrujamë sot), le tia mundësojë Bunës: të bashkojë vende, të bashkojë njerëz; le ti marrë lumi vijat, pikat, kllapat (e kufirit) dhe le ti hedhë në det. Le ti marrë lumi hidhërimet… Buna – le të bashkojë përgjithmonë.
Ulqini, falë Bunës, ishte skele tregtare e Shkodrës, ishte plazh për banjë (me shtëpi verore) të shkodranëve. Pse të mos jetë edhe këtyre sezonave të ardhshme, në Evropën e lirë – pa kufij.
Buna – metaforë poetike
Buna, kjo zanë e qetë, e pafjalë, gjithmonë me faqe të lara e flokë të krehura, ishte inspirim për shkrimtarë e poetë, historianë e udhëpërshkrues… Marin Barleti, Marin Bici, Hahni, Ndre Mjeda e të tjerë, e përmendin Bunën, i këndojnë Bunës.
Nga shkrimtarët vendas, Asllan Bisha, meqë i lindur në breg të këtij lumi, Barbanën e ka burim, frymëzim në prozat e tij: “Nusja e detarit” dhe “Dasma e peshqve”.
Në tregimin “Në pellgun e lumit”, gjyshi i flet nipit:
“… Kështu kemi jetuar nga lumi: unë, babai im, gjyshi. Dhe jemi të vjetër sa vetë deti dhe lumi. Pra, mëso! Bëju çka të duash, biri im, por duaje lumin dhe detin, sepse ata janë jeta jonë!”
Unë jam fare dakord me shkrimtarin, mikun tim. Mendime të bukura, qëndrim i shëndoshë.
I bashkohem

Buna – bukuri ekologjike
Edhe diçka në fund!
Sikur e dëgjoj rënkimin e Bunës! Sikur na ankohet Buna!
Sa nafta u derdh në ujërat e saj! Sa shumë u ndot! Sa dinamiti shpërtheu! Sa peshku i madh e i vogël u mbyt! U shkatërrua vegjetacioni…
Burra, vendas, qytetarë, peshkatarë, lundrues e turistë, ruajeni Bunën! Duajeni Bunën!
Mos e ndotni bukurinë! Mos e vritni bukurinë!
Pak ekologji, pak ekologji, ju lutem, o miq, o dashamirë të natyrës, se mbaroi lumi Buna, bukuroshe ekzotike…!
Le të jetë ky mesazh imi, nga ky shënim i vogël, impresion për Bunën – begati e madhe.

Të fundit

më të lexuarat