
Ditë e diel, maj 2024
Me automobil arrita deri në Mol të Madh. U parkova. Dikur, në fëmijërinë time aty vinin anijet e vogla, por edhe ato ma të mëdha. Ishte pamje tjetër.
Sot, në Molin e Madh parkohen automobilat. Shëtitoret deri në kënd për të shijuar detin, pamjen, horizontin e kaltër.
Atë ditë deti ishte i qetë. “Bonacë”, thoshte kapedani i vjetër Avdullah Nimanbegu.
Në mes të gjirit, ndërmjet gadishullit Suka dhe Kalasë, sipërfaqja e detit ishte me ornamente, mjedisi me ngjyrë të kaltër të çelët, mandej spektri i ngjyrave kaltër të mbyllur deri në jeshile.
Fantazi natyrore, për të shëruar zemrën edhe shpirtin.
Moli i Madh. Në Molin e Madh janë gastuar barkat e vogla, kurse në Molin e Vogël sandallat dhe fllugat e peshkaxhive. Në pjesën tjetër të Molit të Madh kanë ardhur barka më të mëdha si edhe anijet për transport të mallrave dhe udhëtarëve.
Në dekadën e gjashtë anija ishte komunikimi më i mirë dhe filloi ardhja e turistëve më së shumti nga Bosnja dhe Hercegovina, si edhe nga Serbia. Turistë nga Kosova ka pasur shumë pak. Ka pasur edhe turistë të huaj, të cilët strehoheshin në hotelet e atëhershme: hoteli “Galeb”, hoteli “”Jadran,”, hoteli “Republika”. Hotelet tjera u ndërtuan më vonë.
Anija ka mbërritur në orën dy pasdite dhe në tre menjëherë është kthyer mbrapa për Tivar dhe vendet tjera bregdetare të Mali të Zi. Ka vazhduar për Dubrovnik, Split dhe Rijekë. Ka qenë një ndodhje e për të gjithë qytetin.
Në Molin e Madh janë tubuar të gjithë, të rinj dhe të moshuar. Në bedenat e Kalasë kanë dalë gratë. Në këtë vend janë bërë përcjelljet për ata që kanë shkuar në shërbimin ushtarak. Nganjëherë edhe të nxënësve dhe studentëve, është përcjellë edhe ndonjë vajzë e cila është martuar në Sarajevë ose ndonjë vend tjetër. Agjencia për shitjen e biletave ka qenë në Ranë në lokalet e “Neptunit“.
Sot iu afruam parkingut te shtëpia ime në Meteriz, njëkohësisht me komshiun tim Rashko Glenxha. Kur dolëm prej makinave i thash:
“Dikur, në Molin e Ulqinit janë gastuar (afruar Molit) barkat…sot aty janë të parkuar automobilat…”
“Më kujtohen edhe mua ato kohë…Moli ka qenë me barkë, sandalla, kanë ardhur edhe barkat-vaporet më të mëdhenj.. gjithmonë kam pasur dëshirë të kem një sandall ose barkë të vogël, por nuk ke ta mbash, për ta ruajtur kur deti trazohet…”, kujtohet me nostalgji komshiu im.
Më kujtohet në fëmijërinë time kur u vazhdua ndërtimi i Molit të Madh. “Dalgiçat” (zhytësit) u përgatitën duke u veshur me tesha të nevojshme për punën në fund të detit. Kompresori punonte dhe i jepte oksigjen tërë kohën si qëndronin në fund të detit.
Moli i Madh, u ndërtua por Ulqini nuk e fitoi portin e vet. Është i vetmi qytet bregdetar pa Porto-Lima ( si e quajmë ne në Ulqin).
Jallija. Jallija-Kacemja (jallia, nga turqishtja – fushë në bregdet)
Dikur ishte në pjesën juglindore nën Kalanë e Ulqinit. Në anë të majtë ka qenë Moli i Vogël, kurse në anë të djathtë Moli i Madh. Plazhi i Jallisë ka qenë me zhavorr, me cekëtinë ranore, gjatësi prej 50 kurse gjërësi deri në 7 metra. Në pjesën e majtë të bregut gjendet Guri i zi .
Shkëmbi i madhë- Kacemja ishte e lartë deri në tri metra mbi sipërfaqen e detit. Sipër Jallisë-Kacemes është Bedeni i Kanunes, Pallati Venediku dhe Tabja. Në rrugë si shkon për në Kala është Porta (hyrja) e Kalasë në pjesën jugore.
Në Jalli jena larë në det, kemi bërë notimin e parë. Edhe katër fëmijtë e mi si edhe tre nipat e mbesat e parë kanë filluar notimin dhe larjen në det aty.Më të vegjëlit kanë notuar deri te Guri i Zi, më të rriturit kanë hypur dhe kërcy prej Kacemes.
Ndërmjet dy moleve djemtë e rinjë kanë lujtuar vaterpollo. Më kujtohen në dekadën e pestë-gjashtë të shekullit XX lojtarët: Xhavid dhe Sani Ismajlaga, Rashko Zhivanoviq, Sllobo Markoviq, Sabri Kapllanbegu, Mustafë Nimanbegu. Më vonë kanë lujtuar edhe Lluka Gjuroviqi, Zuhdi Dema. Edhe ne nxënësit e shkollës tetëvjeçare kemi bërë gara në det. Më kujtohen edhe djemtë të cilët notojshin dhe u zhyteshin në det: Jakup Nimanbegu , Selatin-Tino Vogliqi, Zuhdi Bushati e të tjerë.
Marina-Kaceme
Para disa viteve në Jalli u ndërtua një marinë e vogël. Por, ajo është jofunksionale dhe nuk i mbron sandallat e vogël kur deti është me dallgë më të mëdha.
Detari i vjetër shprehet:
“Deti na ka dhënë çdo gjë që kemi tash, detit nuk i kemi kthyer kurrgjë..”
Aroma e detit
Duke ecur afër vendit ku ishte dikur Jallija (sot ndërtim i ri për sandalla dhe peshkatarë) u mbusha me aromë të këndshme: vinte prej detit. Ishin aty edhe dy sandalla të cilat kishin arritur nga peshkimi: erë-aromë rrjetave, peshku, barërave të detit.
Në bankë ishin të ulur dy peshkatarë.
Njëri tha: Unë jam 81 vjeç. Tjetri: Unët64.
Ishin kthyer nga gjoja e peshkut.
Çdo gjë ka ndryshuar, por peshkatarët, gjoja e peshkut, mbeti përgjithmonë…Mbeti edhe aroma e detit.