10 korrik 2019
Ditën e sotme ka kohë që e prisja. Dhe, madje, agjenda e ditës së sotme më interesonte prej kohësh që të ndodhte dhe isha kurioz ta dija se si do të shkojë. Atëherë, para disa kohësh, më saktësisht para rreth dy muajve, isha për vizitë te profesoresha Florinë, në kabinetin e saj në Fakultetin e Arkitekturës. Kjo vizitë ishte si disa nga vizitat tjera që i bëja asaj që kur kisha diplomuar. Dhe këtë e ndieja si obligim moral dhe etik, pasi që temën e diplomës e mbrojta, tek ajo dhe u familjarizuam edhe më shumë se ç’ishim. Vizita ime kishte edhe anën tjetër, t’i merrja disa shkrime për një punë që do duhej ta kryenim së bashku. Por, për këtë, ndoshta do të tregoj njëherë tjetër.
Ishim duke ndenjur së bashku me profesoreshën dhe me asistentin e saj, Rronin, kur papritmas profesoresha më tregon për një arkitekt nga Peja, i cili tashmë kishte vdekur, por kishte lënë punimin e temës së doktoratës pas vetes, të cilën familjarët donin ta botonin. Mua kureshtja m’u shtua akoma më shumë kur më tregoi se temën e doktoratës, arkitekti i panjohur për mua, e kishte bërë mbi arkitekturën popullore shqiptare. Ky arkitekt, asokohe për mua i panjohur, por si duket do të më mbetet gjithmonë në kujtesë, quhej Agush Beqiri.
Arkitekt Agush Beqiri paska bërë hulumtime dhe paska bërë vizita nëpër trojet shqiptare dhe paska dokumentuar mbi arkitekturën popullore shqiptare dhe mbi tipologjinë e saj. Dhe, thashë se paska bërë një punë të shkëlqyer. Profesoresha më tha se së bashku me Shkëlzen Maliqin ishin marrë vesh që të shkonin dhe ta vizitonin një të afërm të arkitekt Agushit, i cili i kishte të gjitha dokumentet e shënimet që kishte lënë ai. Pastaj, me kuriozitet më pyeti se a isha i interesuar, sepse, sipas saj, do të mund të jepja edhe unë kontributin tim, pasi që edhe mua më interesonte kjo lëmi. Përgjigjja ime ishte e shkurtër dhe e qartë: Sigurisht që po!
Pas një, dy apo tre muajve, më merr profesoresha Florinë në telefon dhe më thotë se nesër në orën 10:00 do të nisemi së bashku me Shkëlzenin për Pejë. Më thotë, po ashtu, se a mund të vija edhe unë. Nga ngjarja që do të tregoj, besoj se edhe përgjigjja do të jetë e qartë.
Të nesërmen, pak para orës 10:00 e pres profesoreshën te vendtakimi. Pas një minute vjen ajo. Tek e shikoja duke ardhur, me hapin e sigurt, herë të lehtë e herë të rëndë, të vendosur e të shpejtë, më buzëqesh nga larg dhe vetvetiu i kthej buzëqeshjen edhe unë. Eleganca e saj, dukja e saj dhe ecja e saj, tek kalonte përmes rrugës, bënte që të ndalonin të gjitha veturat, duke ia lëshuar rrugën dhe dukeshin sikur ndalonte gjithçka tek ecte ajo. Dhe dukej sikur shprehnin të gjithë një admirim për të dhe më e pakta që mund të bënin ishte thjesht të ndaleshin e të prisnin tek kalonte qetë e me vullnet. Dukej e qeshur, e gëzuar dhe njëkohësisht hijerëndë dhe mbi supe sikur dukej që mbante tërë Fakultetin e Arkitekturës. Është shefe e departamentit dhe ndër profesoreshat më të afta dhe më të suksesshme në fakultet, sidomos në lëndët e historisë, teorisë dhe trashëgimisë arkitekturore. Këto lëndë i mban me vullnet e dëshirë dhe akoma më me vullnet e dëshirë i ligjëron. Mbaj mend nga ligjëratat dhe ushtrimet e saj, se sapo ia fillonte, na tregonte shumë informata, na mësonte shumë mbi teoritë, proceset dhe zhvillimet e arkitekturës në përgjithësi dhe konceptet e politikat e saj në veçanti. Na tregonte realitetin e atëhershëm të arkitekturës dhe realitetin e sotëm, ndikimin e politikës në arkitekturë dhe ndikimin e arkitekturës në politikë. Ajo na ka mësuar se si ka lindur arkitektura, si është formuar dhe çka është arkitektura në të vërtetë. Dëshira e madhe e saj mbi arkitekturën dhe trashëgiminë na ka bërë që të ndihemi krenarë të gjithë për të, për lëndët e saj dhe për fushat e studimit që na i mësonte ajo. Thjesht, na ka dhënë vullnet mbi profesionin. E, sidomos mua më ka lënë mbresa të gjithmonshme.
U përqafuam dhe shkuam të pimë kafenë e mëngjesit, derisa të arrinte Shkëlzeni. Teksa porositëm kafenë, bisedonim për çdo lloj teme, për profesionin, për fakultetin, për vizitën që do ta bënim dhe për kafenë që po e pinim. Dhe e kishim një brengë, atë të shiut që do të binte pas pak, gjë që shihej nga moti i vranët.
Shkëlzeni u vonua pak, por ne shkuam ta prisnim në veturën e profesoreshës, sepse jashtë ku ishim ulur bënte pak ftohtë dhe bisedës sonë sikur i përzihej dhe na silleshin vërdallë pikat e shiut që na lagnin herë pas here. Aty për aty mori Shkëlzeni në telefon dhe na lajmëroi që ishte po te lokali që ne sapo u larguam. Takimin me të, mezi e prisja. E kisha parë vetëm në televizione, nëpër emisione debatesh dhe analizave politike. Nuk e njihja mirë as personalisht. Dhe erdh Shkëlzeni. Shkëlzen Maliqi. Në radhë të parë më bëri përshtypje veshja e tij, me një bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të gjelbër, pantallona, po ashtu të shkurtra, pak nën gjunjë të kaltër, sandale dhe një kapuç mbi kokë, ndërsa në shpinë mbante një çantë. Dukja e tij modeste, njeri i thjeshtë dhe, si të thuash, i barabartë, i njëtrajtshëm dhe i kapshëm nga çdonjëri. Sado që, me thënë të vërtetën, nuk është i kapshëm nga të gjithë, sepse me dijen e me kapacitetin e tij, qëndron pak më larg se të tjerët e se disa-disa. Tek e fundit, mos t’i kishte këto veti e këto shkathtësi, nuk do ishte për një mandat këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Sepse, siç thuhet, Edi Rama, nuk do as nuk zgjedh gjithkënd që t’i rrijë afër, e le më gjithkënd që t’i bëhet këshilltar! Kishte kokë të rrumbullakët, me flokët e thinjura dhe të prerë shkurt. Flokët i kishte të një gjatësie sa e kishte edhe mjekrën. Dhe që të dyja i kishte të thinjura, të bardha, edhe flokët edhe mjekrën. Kokës së tij të rrumbullakët i kishte vënë edhe syzet me korniza, po ashtu të rrumbullakëta. Kishte studiuar filozofinë dhe ishte drejtuar nga arti.
Rruga ishte e ngarkuar nga veturat. Në vendet tona, një shi i paktë të bie dhe ndodh hataja: bllokohen rrugët nga veturat! Ose nuk shohin mirë shoferët, ose hutohen, ose nuk janë mësuar të vozisin nëpër shi. Gjithsesi, pasi që kaluam tollovinë e qytetit, tani rruga po kalonte nëpër autostradë dhe po lirohej pak nga pak. Profesoresha e ngiste makinën. Ashtu me shkathtësinë e saj që e kishte të përditshme, ashtu e kishte edhe vozitjen. Depërtonte lehtë dhe shpejt nëpër rrugë dhe përmes veturave tjera. Muhabetin e mbante ndezur ajo, sikur shihej që kishte nën kontroll edhe rrugën, edhe vozitjen, edhe bisedën. Shkëlzeni fliste më pak, ishte më i heshtur. Edhe më pak flisja unë dhe isha edhe më i heshtur.
Gjatë rrugës na përcillte shiu, i cili sa vinte e shtohej më shumë. Por nuk ishte vetëm shiu që binte e shtohej shumë, ishte edhe vendosmëria jonë, dëshira e vullneti ynë që shtohej edhe më tepër. Nuk na pengonte shiu, madje e çanim atë mespërmes. Siç ka thënë poeti ynë, nëse do të më lejohej ta përshtatja, “edhe të na e prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë, e të na trembnin, ne s’ktheheshim, por do shkonim në mes si shigjetë”. Nuk do të trembeshim, e as nuk do të ktheheshim, sepse qëllimin e kishim të madh, dëshirën të mbushur me vullnet: po shkonim të gjenim dhe të merrnim dokumentet dhe punimet origjinale të temës së doktoratës së arkitekt Agush Beqirit. Për këtë, e kishim edhe moralin, edhe vendosmërinë të lartë.
Nga një udhëtim jo fort i gjatë, rreth një orë e gjysmë, dhe nga përplasjet e rrotave të veturës me pellgjet e shiut që ishin bërë gjatë rrugës, uji fluturonte herë mbi xhamin e përparmë të veturës sonë, e herë në veturat tjera. Kjo mjaftonte të na trondiste lehtë, e të na kthjellte dhe të na ndërpriste mendimet e ëndërrimet që mund t’i kemi pasur gjatë rrugës. Edhe muzika na përcillte gjatë tërë rrugës dhe sikur bënte pjesë edhe ajo në rrugëtimin tonë, dhe këngëtarët dukej që ishin të pranishëm dhe na këndonin gjatë udhëtimit. Na këndonin thuajse ishin dasmorët që po i përcillnin krushqit të marrin nusen dhe kur të mbërrinin te shtëpia e saj, të luanin, të kërcenin, të këndonin e të dëfrenin. Dhe, pasi të ketë dalë nusja, t’ia fillonin këngëve tjera e pasi që ta merrnim atë që ishte dedikuar për ne, të zbraznim pushkët dhe të ushtonte mëhalla, e kështu të merrte vesh i tërë katundi. Por, atë për çka ishim nisur ne, nuk ishte nuse, por me të vërtetë, sikur të ishte pajë e nuses e kishin paketuar!
Sidoqoftë, mbërritëm në Pejë. “Peja, lulja e Dukagjinit” e quajnë. Qyteti shtrihet rrëzë maleve dhe e depërton lumi, i quajtur Lumbardh. Dhe, pak matanë gjendet Gryka e Rugovës, dhe po të përcillet kjo grykë, do të mbërrish deri tek ujëvarat, lumenjtë, urat e deri te bjeshkët e Rugovës dhe pak pas tyre, në fund deri te liqeni dhe pak më andej deri te kuvendet e Zanave e mrizet e tyre. Atje në lartësitë e maleve, ku bora shkrin ngadalë dhe aq ngadalë sa borën e vjetme e zë ajo e sivjetme. Dhe ka kënaqësi kur shikon atë bardhësi të shkëlqyeshme mbi majat, tregon lashtësinë dhe përpjekjet e tyre shekullore. Bora mbi malin do të jetë kujtim i përhershëm. Ndërsa, ne kuvendin tonë u ulëm ta bënim në kafenenë Exit, ku më ra në sy menjëherë posteri i ekspozitës së Kolë Idromenos, që u hap para pak ditësh në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ai poster tregonte portretin e nipit të tij, të bërë nga vetë Kola dhe sikur më dukej se na shoqëronte dhe me shikimin e tij më përcillte herë mua, herë profesoreshën e herë Shkëlzenin fjalëpak, i cili si duket ishte futur në mendime, gjatë tërë kohës derisa po prisnim nikoqirin tonë, Kenanin. Nuk e di a bëri portreti lëvizje, apo çka u bë, por Shkëlzeni nxori nga çanta disa dokumente të cilat tregonin pak a shumë përmbajtjen e shkrimeve të arkitektit, të cilat ishin shkruar në serbisht nga ai.
Dhe ja, heshtjen e vërtetë e thyen Kenani, familjari i arkitektit. Pasi na përshëndeti ashtu të bërë qull nga majat e gishtave të këmbëve e deri te majat e flokëve, u ul së bashku me ne dhe filluam bisedën. Dukej se ishte shumë entuziast dhe mezi që priste të na dërgonte në zyrën e tij, të na shëtiste nëpër tërë hapësirat e saj dhe të na tregonte atë mjeshtëri dhe përfaqësim të denjë të një zyreje projektuese. Hapësirën ku punonte e kishte të madhe dhe në çdo kënd të saj kishe çfarë të shihje: vizatime, projekte, projekte të realizuara, zbukurime, lule, vazo, vazo me lule – të mëdha e të vogla – dhe sidomos pesë kolltukët me ngjyra, asnjëra të njëjta me njëra-tjetrën, në të cilat edhe u ulëm.
Dhe, se ç’u ngrit Kenani, dhe, se ku shkoj Kenani, dhe, ç’u vonua aq pak Kenani dhe erdhi menjëherë? Dhe nuk erdhi vetëm. Me të dy duart mbante arkën! Jo, më falni, mbante një kuti që arkës i ngjante, por arkë nuk ishte; që gjëra të çmuara mbante brenda, por pajë nuk ishte, që e lëshoi mbi dysheme e na tregoi atë që vetëm pajë e nuses nuk quhej. Në këtë rast ishte diçka më e vlefshme. Ishin vizatimet, shkrimet e dokumentet, disa prej tyre origjinale të Agush Beqirit. Pamë, e çka nuk pamë! Pamë analiza, hulumtime, vizatime, fotografi të shtëpive, kullave, veturave, enterierëve e eksterierëve, të njerëzve të njohshëm e të panjohshëm e të familjarëve. Fotografitë që kishte dalë vetë arkitekti në to tregonin qartë shpirtin e artistit dhe njëkohësisht atë të arkitektit. Kishte mbajtur flokë të gjatë, të krehur dhe mjekrën e kishte po ashtu të madhe. Shikimin e kishte të depërtueshëm, të larghedhshëm, ashtu siç i kishte projektet, me koncepte e ide të kohës së Art Nouveau-s, një Victor Horta i ynë. Sikur të mos mjaftonte “arka” e parë, Kenani na e solli edhe të dytën, në të cilën gjetëm atë që mungonte në të parën. Projekte për tapiceri, diapozitivë të printuar të fotografive, skica, fusnota dhe shkrime. Fytyrat e të gjithëve ishin të qeshura, entuziaste, ndjenim kënaqësi tek hidhnim të gjithë duart sikur donin të na iknin ato që i kishim përpara, se kush gjente diçka, se kush komentonte diçka dhe se kujt i pëlqente diçka. Natyrisht se ndjenim të gjithë mburrje. Dhe, këtë krenari tonën, seç m’u tek ta thyeja duke marrë leje t’i bëja ca fotografi atyre gjërave të arkivuara, por vetëm të sistemuara që nuk ishin. Sidoqoftë, si për çdo gjë që nuk më mjafton pa e shkrepur në telefon, as këtë rast nuk e lashë të më ikte.
Pas kësaj ngjarjeje shkuam të hanim drekën. E dija që pejanët e kishin traditë mikpritjen dhe atë edhe e vërtetova. Porositëm të gjithë, hëngrëm të gjithë, pimë të gjithë, edhe arkitekti tjetër që na u bashkëngjit, si dhe bashkëshortja e Kenanit që erdhi më vonë. Se kush fliste me njëri-tjetrin, se kush fliste në telefon, se kush dëgjonte, se kush e kishte mendjen aty e se kush diku tjetër. U fol për Agushin, u fol mbi profesionet, mbi të tanishmen politike, të kaluarën historike e të ardhmen. Kaluam mirë dhe kaluam mirë përgjatë atyre dy a tri a më shumë orëve që ndenjëm në restorant. Jashtë binte shi dhe kjo do të bëjë, përpos tjerash, që vizitën e sotme të mos e harronim lehtë. Këtë së paku nuk do e harrojnë këmbët të cilat sikur rrinin gjatë tërë kohës në enë të mbushur me ujë.
Pas tërë kësaj u ngritëm nga tavolina dhe sikur mos të isha ngritur nja dy herë të shkoja në banjo, ndoshta m’u kishin mpirë këmbët e trupi bashkë me to, e nuk do mund të lëvizja për ca sekonda. Sidoqoftë, i morëm dokumentet, u përshëndetëm dhe u nisëm për në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, qytetin e të shpërngulurve nga mbarë Kosova e më gjerë, mikpritësen e Kosovës, të mbipopulluarën. Metropolin e ardhshëm!
(vijon)