(vijon nga numri i kaluar)
14 korrik 2019
Dhe vjen edhe kjo ditë. Në këtë ditë, për dallim prej ditëve të tjera, do të parashikoj se do të kem më pak punë, më pak punë të lodhshme dhe më pak material për të grumbulluar.
Dhe, ashtu edhe më doli. Në kabinet shoh letra e dokumente të futura nëpër qese të klasifikuara e të shpërndara gjithandej tavolinës, e rreth saj, nëpër karrige e dollapë. Përmes qeseve shoh që shfaqen pamjet e fotografive disi mjegullueshëm, pa ngjyra dhe të zbehta, sikur duan të tregojnë një botë të kahershme, një moment që tashmë kishte ndodhur dhe nuk kishte më rëndësi. Mbi atë qese shoh mbishkrimin fotografi të ndryshme, që e kisha vënë dje. Dhe pak më tutje hedh shikimin te kapësja që mban qesen të mbyllur shtrëngueshëm, thuajse i ndalon fotografitë të mos dalin që andej e mos të përhapen jashtë e të pështillen me ambientin rrethues e të marrin pjesë në botën e sotme.
Kjo turbullirë më bën të shpërqendrohem e të mënjanohem për një çast e të shikoj kabinetin ashtu të bërë lëmsh nga tërë ato letra. Të shpërndara në mënyrë të çrregullt, i gjej mbishkrimet të vendosura anash fotografive a vizatimeve, mbi letra apo para tyre. Me këto do e kisha më lehtë klasifikimin dhe mbledhjen e tyre. Pa humbur kohë, filloj t’i mbledh e t’i fus ngadalë nëpër qeset me format A4, kujdesshëm e me rregull. Gjatë mbledhjes së fotografive më bie në sy një fotografi panoramike e një lagjeje, që shfaq një kompleks, apo ansambël kullash. Kullat, jo vetëm që shfaqen të gurta, me oborre të rrethuara me mure të gurta, e me rrugë, po ashtu të gurta, duke formuar një shteg kalldrëmi përmes tyre dhe duke të ftuar t’i vizitosh e t’i shikosh me admirim ato vepra arkitektonike të trashëgimisë sonë. Me të vërtetë të trashëgimisë, të asaj çka na është lënë trashëgim e në besë me gjenerata të tëra ta ruajmë. Në të vërtetë, ndërgjegjja e vetvetishme m’i shtron pyetjet atypëratyshëm: a i ruajtëm, a ditëm t’i ruajmë, a na duhen më? Fatkeqësisht, nuk i ruajtëm si duhet, pavarësisht që kujtohemi herë pas here për to, e pavarësisht që mburremi rrallëherë me to. Sidoqoftë, fotografia shpreh ngrohtësi, sepse ligjet e materialeve tregojnë se druri është material i ngrohtë dhe reflekton mirëqenie në një ambient. Disa dyer oborresh me të vërtetë që janë punuar kujdesshëm e me estetikë e të ftojnë të hysh brenda, një dyshekllëk i një kulle me të vërtetë se është i punuar nga druri, i punuar kujdesshëm e me estetikë, disa shkallë me të vërtetë që janë të rrethuara me thupra të një druri, të punuara kujdesshëm e me estetikë e të mundojnë t’i ngjitesh sipër, por fotografia bardhë e zi e reflekton zymtësinë e asaj lagjeje sot të harruar, e deri dje të banuar, sot e pashkelur, e deri dje e rrahur nga këmbët e të rriturve e fëmijëve, kafshëve e qerreve dhe me të vërtetë tregojnë fëmijë, tregojnë jetë.
Pas kësaj “marramendjeje” nëpër kohë e hapësirë të fotografive, vazhdoj punën me mbledhjen e dokumenteve dhe ngadalë i fus nëpër kutitë tashmë të zbrazëta dhe ashtu, duke i futur një nga një, njërën mbi tjetrën, qeset plot me dokumente do t’i mbushin kutitë deri në fund. Në krye vë shënimet që kisha bërë mbi të gjitha klasifikimet, për të treguar rregullsinë, mbarëvajtjen e procesin që kam kaluar gjatë këtij klasifikimi, për të treguar dhe për të pasur më lehtë qasjen në dokumentet që do të na duhen në të ardhmen.
Për fund, nëse nuk do ta përmbyll këtu këtë shkrim dhe dokumentim përshkrues të atyre ditëve, atëherë shpresoj që me vazhdimin e punës do të mund ta plotësoj me përvojat tjera. Por, që rrëfimi ta ketë vazhdimin e tij do të duhej që puna më në fund të kurorëzohet me botimin e shumëpritur të librit. Deri në atë kohë, arkitekti do të mbetet i harruar nën “arkat e pajës” së tij të kompozicionit të arkitekturës popullore dhe tapicerive abstrakte.
(Fund)