Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, më 28-30 qershor 2024 u zhvillua trajnimi për ekspertë, mësimdhënës, edukatorë, asistentë, prindër, familje të fëmijëve me nevoja të veçanta edukativo-arsimore.
Në fokus të këtij trajnimi treditor, të organizuar nga Komuna e Ulqinit, ishte zbatimi i terapisë së analizës së aplikuar të sjelljes (ABA), një metodë shkencore e cila bazohet në modifikimin dhe përmirësimin e sjelljes së fëmijës. Terapia ABA synon të reduktojë sjelljet problematike, të cilat e pengojnë procesin e të nxënit dhe rrit aftësitë e fëmijës në fushat e zhvillimit.
Programi ABA përfshin ndërhyrjet që në moshën e hershme te fëmijët nën moshën 3 vjeç si dhe të avancuar, të mësuarit në mjedis natyror, të mësuarit në mjedis të strukturuar, të mësuarit e sjelljes funksionale, vlerësimin e aftësive të të mësuarit dhe aftësive gjuhësore etj..
Autizmi dhe shumë çrregullime të tjera janë pjesë e përvojës njerëzore. Ne si shoqëri duhet të shmangim sa më shumë pabarazië, të eliminojmë diskriminimin, duhet të integrojmë çdo person të prekur nga autizmi, të falim sa më shumë dashuri. Autizmi nuk zgjedh, autizmi flet
Ligjëruese në këtë trajnim ishte ekspertja me famë botërore Rea Vuksan, ndërsa organizimi i trajnimit u mbështet nga Fondacioni Margit Nielsens nga Danimarka.
Disa nga temat e trajtuara në këtë trajnim ishin: Hyrje në analizën e aplikuar të sjelljes (ABA); Nxitja e motivimit, komunikimit dhe bashkëpunimit te fëmijët; Përdorimi sistematik i mbështetësve të reja te fëmijët; Shfrytëzimi i mbështetjes vizuale në punën me fëmijët me nevoja të veçanta arsimore; Sjelljet sfiduese me problemet në sjellje etj., tema këto tejet interesante për udhëzim në punën sfiduese me fëmijët me nevoja të veçanta.
Për qasjen dhe zbatimin e metodave, aplikimin e mbështetësve të duhur në momentin e duhur duhet përvojë dhe përgatitje e lartë profesionale, që të punosh, t’i kuptosh dhe veprosh në mënyrën e duhur me fëmijë të prekur me spektrin e autizmit. Ky trajnim ishte një mbështetje e mirë që na u mundësua këto tri ditë. Është kjo një nismë e mirë bashkëpunimi në mes të gjitha strukturave kyçe që kanë të bëjnë me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e posaçërisht në koordinimin e punës me fëmijët me sjellje ndryshe.
Sipas specialistëve, shqetësimet nisin që me prindërit e fëmijëve të diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik, pasi disa prej tyre shfaqin ndjenja mospranimi, vështirë e pranojnë faktin se fëmija i tyre është me autizëm. Prindërit kanë ndjenjën e fajit, mendojnë se ata janë shkaktarë të kësaj situate.
Familjet me fëmijë të prekur me spektrin e autizmit kërkojnë nga shoqëria që t’u sigurojë jetë cilësore dhe të drejta të plota personave me aftësi ndryshe, shërbime cilësore individuale, terapeutike, shërbime të rregullta me profesionistë për diagnostikim të çrregullimeve të shëndetit mendor, terapi ABA, këshillime psiko-sociale, shërbime të logopedit, terapi zhvillimi, vlerësime psikologjike dhe të inteligjencës etj.
Autizmi dhe shumë çrregullime të tjera janë pjesë e përvojës njerëzore. Ne si shoqëri duhet të shmangim sa më shumë pabarazitë, të eliminojmë diskriminimin, duhet të integrojmë çdo person të prekur nga autizmi, të falim sa më shumë dashuri. Autizmi nuk zgjedh, autizmi flet.
Lumnije Bisha