Aktiviteti kulturor “Vera në Cem”

Në nderim të veprës dhe emrit të mbledhësit të folklorit Gjergj Hasanaj, SHKA GRUDA organizoi aktivitetin letrar. Ky aktivitet ishte planifikuar për vitin e kaluar, po situata e COVID-19, nuk e mundësoi që në 50 vjetorin e botimit të veprës së tij të nderohej puna dhe vepra e tij.
Ky aktivitet u realizua më 10 korrik, në Tërgajë, në kuadër të aktiviteti kulturor “Vera në Cem” për vitin 2022. Ky manifestimi kulturor, tashmë tradicional, ”Takimet letrare në Tërgajë” (edicioni i tretë) është aktiviteti i parë për këtë vit. Në aktivitet morën pjesë familjarë dhe adhurues të veprës së Gjergj Hasanajt.
Aktiviteti u mbajt në lokalin e z. Prof. Dr. Palokë Berishaj , prandaj SHKA “Gruda” e falënderon përzemërsisht.
Aktivitetin e përshëndeti dhe e udhëhoqi Kristina Lulgjuraj, kryetare e SHKA “Gruda”.
Për jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Hasanajt, në fillim krytarja bëri bisedë me mësuesin në pension zotëri Tomë Dedivanaj, kurse kumtesën për veprën “ Malësori këndon” e mbajti ish drejtori i shkollës fillore në Triesh, zotëri Zef Gjuravçaj. Vargje nga vepra interpretoi Teuta Lulgjuraj, anëtare e Shoqatës.
Nga vështrimi shumë serioz i z. Zef Gjuravçaj, po veçojmë:
Mirënjohja është virtyt, dhe njerëzit e nderuar si Gjergj Hasanaj, meritojnë t’ju jemi mirënjohës për kontributet e tyre që dhanë në mjedisin tonë.
Historia e Malësisë, e në kuadër të saj edhe ajo e Trieshit, ka pse të krenohet, se në mesin e saj lindi mësuesi, edukatori, drejtori i parë i shkollës tetëvjeçare në Triesh, mbledhësi dhe botuesi i folklorit shqiptar, Gjergj Hasanaj.
Rritja dhe marrja e diturisë në këto troje, ka shenjat e mësuesit të nderuar, pishtarit të dalluar të arsimit dhe kulturës, që më nderon sa herë kujtoj se nxënës i kujt isha. Profesionalizmin dhe dashurinë për dijen, mësues Gjergji i kishte atribute të personalitetit të tij që i transmetonte me një thjeshtësi të admirueshme.
Si autor i veprës ‘’Malësori këndon’’, Gjergj Hasanaj, do mbetet pishtari që ndriçon trojet tona për atdhetarin dhe atdhetarizmin që e karakterizon, për njeriun e pa fjalë, që punën dhe veprën i kryen me mençuri, se ai e di se punët e mira nuk kanë nevojë për zhurmë, ato mjafton t’i bësh për vendin tënd, dhe atëherë ky vend herët o vonë gjurmët e një pune të admirueshme do të dijë si ti nderojë.
Gjergj Marash Hasanaj, siç e njihnin bashkëvendësit e tij, ishte shpirtërisht i lidhur me Malësinë, me traditën e saj, me kulturën shpirtërore e materiale, me atdhetarizëm. Kjo, njëherë, ishte edhe pikësynim e shtytje nxitëse që të merret në mënyrë serioze me albanologji, duke vendosur gurëthemelet e mbledhësit e publikuesit të visareve tona popullore.
Folkloristika dhe pasuria e pashembullt me traditat e malësorëve, ndërgjegjësoi vetëdijen e studiuesit dhe bëri që gjithë këtë pasuri shpirtërore jo vetëm ta mbledhë po dhe ta botojë. Vlerat e trashëgimisë kulturore, Gjergj nuk mund t’i linte t’i merrte harresa, në detyrën e shenjtë të mbledhësit e gjithë krijimtaria gojore e hapësirës shqiptare në Mal të Zi nga Trieshi ku lindi, Gruda, Hoti, Koja, Luhari, Kraja, Ulqini, Plavë – Guci e Malësi të Rozhajës, do jenë hapësira që ai i shkeli në statusin e mbledhësit.
Vepra e Gjergj Hasanajt ‘’Malësori këndon’’, botuar gjysmë shekulli më parë, në Cetinë në vitin 1971, përfshin pothuajse të gjitha llojet e poezisë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi, si:

  • Këngë epiko – lirike, balada dhe romanca; Këngë legjendare – epike; Këngë epiko – historike; Këngë mbi hakmarrjen gjatë epokave të ndryshme historike; Këngë gjatë periudhës së regjimit monarkist; Këngë gjatë Revolucionit popullor të ndërtimit socialist.
  • Këngë lirike popullore; Këngë djepi – ninullat; Këngë dasme; Ritet e vdekjes dhe këngët e vajtimit; Vajtime meshkujsh; Vajtime femrash; Këngë baritore; Këngë dashurie; Këngë satirike; Këngë lojërash; Këngë pune.
    Përfshi dhe përmbajtje shtesë që e bën këtë vëllim sa të rëndësishëm për folkloristikën shqiptare aq dhe të veçantë.
    Në këtë orë letrare përkujtimore kushtuar veprës së autorit, bashkëbisedimi me Tomë Dedivanaj, mësuesin në pension, ish nxënësin e Gjergjit e më vonë kolegun e bashkëpunëtorin i tij në shkollën fillore në Triesh, do sillte në një plan tjetër njerëzor përmes kujtimeve të bukura, kohët e vështira që të dy bashkëpunëtorët ndeshën gjatë mbledhjes së trashëgimisë shpirtërore të Malësisë.
    Tom Dedivanaj u ndal veçanërisht në tri kontributet e Gjergj Hasanajt:
  • Gjergji ishte ai që shkollës fillore në Triesh, në vitin 1968, i dha emrin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me ndihmën dhe mbështetjen e trupit arsimor të kësaj shkolle.
  • Në vitin 1971, botimi i librit me këngë popullore me titull “Malësori këndon” do e fusë në historinë e Malësisë dhe në mbarë kulturën kombëtarë.
  • Në vitin 1972, Gjergji ishte pjesëmarrës në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë (dhe pse deri më sot nuk është botuar ndonjë e dhënë për këtë kontribut të Gjergj Hasanajt), bashkëpunëtori i tij Tomë Dedivani dëshmoi për saktësinë e informacionit.
    Ajo që gjithë Malësia i detyrohet Gjergj Hasanajt, është studimi dhe interpretimi i veprës së tij në të ardhmen nga studiuesit tanë kudo që janë në hapësirat shqiptare e më gjerë, përfundoi Dedivanaj.

Rrok Gjolaj

Të fundit

më të lexuarat