Katërkollë (Ana e Malit) – Ditën e shtunë, më 12 prill 2025, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, në bashkëpunim me Fondacionin e Familjes Lukaj, organizuan ceremoninë e ndarjes së bursave për studentët shqiptarë nga trevat e Anës së Malit, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës. Ky aktivitet, që tashmë është bërë traditë për të pestin vit me radhë, shënoi një moment të rëndësishëm: shuma rekord prej 60 000 euro u nda për 61 studentë, duke u dhënë atyre një mbështetje të vyer për rrugëtimin e tyre akademik.
“Kontributi i këtij fondi nuk është thjesht një ndihmë ekonomike – është një dritë shprese për të gjithë të rinjtë tanë që ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë. Ju falënderoj nga zemra për këtë frymë solidariteti që na bën të ndihemi të bashkuar, kudo që të jemi. Brezat që do të vijnë do t’ju kujtojnë me mirënjohje”, u shpreh ndër të tjera Vjollca Lika – Çobaj nga Fondi Humanitar “Trojet Tona”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, përfaqësuesi tjetër i Fondit “Trojet Tona”, Valdet Kurti, shprehu emocionin dhe rëndësinë që ka ky kontribut për të rinjtë shqiptarë.
“Jemi të gëzuar që sot do të shpërndajmë 61 bursa studentore me një vlerë rekord krahasuar me vitet e kaluara. Shuma e bursave për këtë vit ka arritur shifrën më të lartë deri tani, plot 60 000 euro. Ky është viti i pestë me radhë që ndahen bursat, ndërsa katër vitet e kaluara vlera ka lëvizur nga 30 000 deri në afro 40 000 euro”, ka thënë ai.
Fokusi i vazhdueshëm i Fondacionit “Trojet Tona” mbetet rinia, si e ardhmja e shoqërisë.
“Studentët janë pjesë kryesore e misionit tonë. Ne nuk japim vetëm ndihmë financiare – ne besojmë tek potenciali juaj dhe presim që të jeni aktivë, të organizuar, të dëgjohet zëri juaj. Vlerësoni, kritikoni, jepni mendimin tuaj – se historia e çdo ndryshimi të madh ka nisur nga studentët. Ju duhet të jeni zëri i komunitetit, të angazhoheni për të çuar përpara çështjet që na prekin të gjithëve”, ka shtuar Kurti.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të diasporës shqiptare, mes tyre Nail Ibroçi nga Fondacioni Lukaj, si dhe aktivisti i palodhur i Fondit “Trojet Tona”, Zaim Halili. Të gjithë ata ndanë fjalë të ngrohta dhe inkurajuese për të rinjtë që sot po marrin përgjegjësi të reja në rrugën e dijes dhe përgatitjes profesionale.
Procesi i përzgjedhjes së bursistëve nisi në muajin shkurt të këtij viti dhe u realizua nga një komision i përzgjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 61 studentët e përzgjedhur studiojnë në universitete publike në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe plotësojnë kriteret akademike dhe sociale të vendosura nga fondacioni.
Për herë të parë, shuma totale e ndarë arrin vlerën rekord prej 60 000 euro, një dëshmi e përkushtimit të diasporës dhe donatorëve ndaj arsimit.
Kontributi i Fondacionit Lukaj këtë vit përbën 50% të fondit të përgjithshëm, një mbështetje vendimtare për realizimin e këtij projekti.
“Kur jemi te ky fondacion, më duhet të ndaj me ju edhe një tjetër lajm të mirë – Fondacioni Lukaj siguron bursa shtesë për studentët që studiojnë në fakultete me renome në rajon, si RIT Kosova (AUK)”, theksoi Kurti.
Të tjerë kontribues këtë vit janë: Familja Hajdari me 16% të bursave, përmes znj. Margaret Hajdari; Dina dhe Ahmet Kurmemaj, me 13%; Fondacioni Plavë e Guci, me 7% si dhe donatorë të tjerë të shumtë të Fondit “Trojet Tona”, të cilët për vite me radhë kanë qëndruar krah për krah me të rinjtë shqiptarë.
“Është kënaqësi dhe privilegj të jem në mesin tuaj, mbi të gjitha, privilegj i veçantë ta ndiej veten sot si student. Dua t’ju përshëndes të gjithëve nga Plava dhe Gucia, dhe të falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që na bëjnë të ndihemi krenarë që i themi vetes shqiptarë. Këto bursa janë shumë më tepër sesa ndihmë financiare – ato janë një nxitje, një motivim për të ndërtuar të ardhmen tonë me dinjitet”, u shpreh Shaban Prelvukaj nga Fondacioni Plavë e Guci.
Prelvukaj shtoj se përveç bursave, Fondi Humanitar “Trojet Tona” dhe “Plava e Gucia” janë angazhuar vitet e fundit edhe në organizimin e ekskursioneve triditore për nxënësit e shkollave fillore në trevat shqiptare, duke vizituar vende me rëndësi kulturore dhe historike në Shqipëri – një iniciativë që synon të forcojë ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit kombëtar.
Ky aktivitet mbetet dëshmi e fuqishme e rolit që diaspora shqiptare luan në përkrahje të edukimit dhe zhvillimit të brezave të rinj. Me përkushtim dhe dashuri për vendin e origjinës, fondacionet dhe donatorët po mbjellin fara shprese dhe të dijes në çdo cep ku ka shqiptarë.
Në fund të ditës, ajo që mbetet është ndjesia e krenarisë, besimit dhe motivimit – një dëshmi se kur shqiptarët bashkohen për një kauzë të drejtë, asgjë nuk është e pamundur.
D. Teliqi