Ulqin – Instituti për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim, Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike – Ulqin në bashkëpunim me disa universitete të rajonit organizuan të shtunën (5 prill 2025) konferencën XVII shkencore me temë “Roli i teknologjisë dhe inovacionit në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm përballë ndryshimeve klimatike dhe planifikimit hapësinor”.
Në fjalën e hapjes, drejtori i Institutit për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim, Prof. dr. Elez Osmanoviq, ka vlerësuar se kjo konferencë përbën një ngjarje të veçantë, e cila do të shërbejë si një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar ekspertët nga fusha të ndryshme, për të shkëmbyer ide, përvoja dhe për të ndarë njohuri të reja.
Ai ka thënë se turizmi si një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ka nevojë për adaptim dhe përdorimin e teknologjive moderne dhe gjelbërim urban për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për brezat që vijnë.
“Për të siguruar suksesin e investimeve kapitale dhe për të shmangur dështimet në implementimin e projekteve, është shumë e rëndësishme që strategjia e zhvillimit të aprovohet dhe të mbështetet nga Komuna. Kjo siguron që investimet të jenë të bazuara në nevojat reale dhe prioritetet e tjera afatgjata, dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës”, ka theksuar Osmanoviq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë, ndër të tjera, se është i lumtur që në këtë konferencë diskutohet për rolin e teknologjisë dhe inovacionit në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm përballë zhvillimeve klimaterike dhe planifikimit hapësinor.
“Mendoj se kjo është ndër temat më të rëndësishme dhe aktuale në fushën e turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Roli i teknologjisë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm është parësor. Teknologjia ka ndryshuar mënyrën si udhëtojmë, si të veprojmë me destinacionin, dhe si i menaxhojmë burimet natyrore, duke ndihmuar promovimin e turizmit të përgjithshëm dhe mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka kërkuar ndihmë nga komuniteti shkencor përballë përpjekjes së Qeverisë së Malit të Zi për realizimin e projekteve dhe investimeve në Ulqin, pa u konsultuar me pushtetin lokal dhe komunitetin.
“Na duhet edhe ndihma juaj për këtë çështje dhe shpresoj që të dhënat që do t’i prezantoni këtu do të na ndihmojnë që me argumente ta bindim një qeveri, e cila nuk është në rregull, që zhvillimi duhet të ecë në të mirë të qytetit”, është shprehur ai.
Në fjalën përshëndetës, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. dr. Tonin Gjuraj, ka thënë se dy janë sfidat për të cilat konferencat e tilla mund të debatojnë.
“Së pari, mbetet gjithnjë një sfidë e përhershme gjetja e një ekuilibri midis zhvillimeve teknologjike dhe turizmit, dhe ruajtjes së mjedisit. Por kjo në nivel profesional dhe ekspertize duhet dhe mund të bëhet vetëm nga universitetet. Dhe kjo është arsyeja që, misioni i një konference, siç është kjo e sotmja, duhet që ta lidhë atë me sfidat e zhvillimit të njeriut të sotëm”, ka thënë ai.
Sfida e dytë, sipas Gjurajt, ka të bëjë me faktin që “shkenca, teknologjia dhe kërkimi shkencor i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe janë preokupime të përbashkëta të vendeve tona, të universiteteve tona”.
Bashkë me këtë konferencë, është zhvilluar edhe ajo me temë “Ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar, fetar, gjuhësor dhe etnik i popujve dhe komuniteteve minoritare”.
Sipas organizatorëve, konferenca ka tubuar më shumë se 120 studiues dhe ekspertë nga universitetet e rajonit.
Në fund të konferencës, bazuar në kumtesat e paraqitura, prezantimet dhe diskutimet e pjesëmarrësve për çështje të ndryshme, me fokus të veçantë në aktualitetin dhe synimet për privatizimin e plotë të Plazhit të Madh në Ulqin nga një investitor, pjesëmarrësit e konferencës, pas një analize të hollësishme paraqitën një sërë përfundimesh shqetësuese që tregojnë pasojat negative afatgjata të këtij modeli zhvillimi.
Përfundimi kryesor është zbatimi i modelit të zhvillimit të qëndrueshëm në vend të zgjerimit privat.
“Studiuesit arritën në përfundimin se modeli më i mirë për Plazhin e Madh është zhvillimi i bazuar në qasje të hapur, publike dhe të barabartë, i cili inkurajon bizneset e vogla dhe të mesme, punësimin lokal, ruajtjen e burimeve natyrore dhe identitetin kulturor. Vetëm një qasje e tillë mund të sigurojë prosperitet afatgjatë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Ulqinit”, thuhet në përfundimet e konferencës shkencore.
Sipas traditës, konferenca shkencore është mbajtur në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Komunës së Ulqinit.
i. k.