Vështrim mbi poetikën e poetit, Hajredin Kovaçi

Zija Vukaj

Rrugëtimi i deritashëm i poetit Hajredin Kovaçi në fushën e poezisë, përbën një vazhdë të spikatur dhe gjurmëlënëse brenda habitatit të artit poetik të kohës sonë. Ky rrugëtim kalon nëpër disa stade, që janë vëllimet e tij: “Ecje pa mbarim, 2000”; “Fundi është larg 2007”; “Vrasja e frikës 2012”; “Zhdukja e heshtur 2014”; “Vdekja e fjalës 2019”. Këto pesë ‘këngëtore’ mund të kundrohen në shumë kënde shikimi, por në një kënd të përgjithshëm lënë përshtypje disa gjëra. Së pari, secila përmbledhje ka mëvetësinë e saj në shpërfaqjen e vlerave estetike, të emocioneve që jep arti i fjalës, të mesazheve humane dhe të procedimeve të sigurta letrare. Së dyti, vihet re qartë rritja artistike e autorit nga njëri libër tek tjetri, falë pjekurisë që i ndodh çdo artisti për më shumë se një arsye. Së treti, kjo kurbë ngjitëse është sprova më e qartë që e bën poetin të jetë një zë i përveçëm, pasi në çdonjërin prej hapave të tij, ai konsolidon autenticitetin, veçantitë e tij, duke vulosur AND-në e vet artistike. Nga ana tjetër, duke u ngjitur nga njëri “stacion” tek tjetri, autorit i mprehet shikimi dhe i ngjizet kredoja filozofike dhe estetike, duke u bërë ngjyra konstante e gjykimeve, qëndrimeve, botëkuptimeve të tij për letërsinë dhe njeriun, për historinë, për vendlindjen, për vendin dhe fatet e individit, për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe përkohësinë, për shpresat dhe zhgënjimet etj. Dhe që të gjitha këto mund të jenë pjesë të arsenalit të motiveve e tematikave, që edhe po u përsëriten hera- herës nga vëllimi në vëllim, i nënshtrohen gradualisht një filtri distilues gjithnjë e më të sofistikuar ontologjik dhe konjitiv, për t’u shfaqur në lartësi më të madhe. Poeti Hajredin Kovaçi shfaqet në gjithë kolanën e tij krijuese, përveçse një shpirt i ndjeshëm dhe me kërkesa të larta estetike, më së shumti një poet i angazhuar. Angazhimi i tij shprehet në tematika që kanë të bëjë me historinë kombëtare, me vendlindjen, me pozitën e njeriut në sistemin shoqëror, me të gjithë kompleksitetin e përjetshëm dhe revoltën e individit ndaj malit migjenian, vendosur në të tjera hapësira dhe në tjetër kohë.
Konkretisht, në vëllimin “Ecje pa mbarim” autori e ka realizuar njërin prej motiveve të tij më të rëndësishëm mbi bazën e dy arketipeve femërore nga më sublimet në historinë e etnogjenezës sonë kombëtare, Teutës dhe Rozafës, si për të kristalizuar fiksionin matriarkal të nacionit tonë të lashtë:
“Kushedi çfarë mban
në thellësinë tënde të frikshme
sa histori janë mbytur në ty
zjarri të erdhi hakut
nga gurët e kishave s’bëhet shtëpi
kot mundohen arkeologët
qytet i vjetër qytet i ri
kush do ta ketë atë fat
të bjerë prapë atypari
ndoshta një tjetër Teutë e veshur si nuse
me pëlhurë të punuar në tezgjah ari.” (“Një tjetër Teutë”)
Në njësinë e shkurtër poetike lexojmë:
“Në kalanë e Shkodrës
edhe në gusht thonë pikon ujë
Unë e pashë vetë në nëntor
ndoshta Rozafa është mërzitur
qumështi iu bë ujë duke pritur. (“Rozafa)
Në mjaft raste autori jep të shkrirë disa komponentë bashkë në motivin atdhetar dhe etnik: historinë, vendlindjen, që është Ana e Malit, me gjithë arsenalin toponimik e mikrotoponimik, që i japin freski, imazh dhe konkretësi verbit poetik; viset shqiptare, sidomos Shkodra dhe Kosova. Kjo e fundit shpaloset në kumte të shumta poetike dhe atdhetare, pasi autori i ka kënduar Kosovës konkretisht me luftën e tij personale e me penën e tij prej poeti, zëri i të cilit buçet në distikun “Xhamadani i Kosovës”:
“Kosovë Ti duhet të mbash inat
As Rambuje s’ta preu për shtat.” (“Fundi është larg”)
Shumë njësi poetike ka kompozuar autori me frymëzim dhe ngjizje nëpër labirintet e meditimit dhe skutat e shpirtit të trazuar prej artisti me ndjeshmërinë të lartë. Ato janë lirika introspektive, janë udhëtime dhe takime me unin lirik, janë vëzhgime dhe kontemplacione, janë përjetime intime të derdhura me elegance. Shumë prej tyre janë epifanizime të lindura nga gërvishtja e shtresave të palimpsestit të kujtesës: vegime ditësh të largëta, imazhe mbresëlënëse, çaste efemere, sekuenca ditësh të zymta e të ndritura, të sublimuara në nektar poetik. Te vëllimi “Vrasja e frikës” Hajredini shfaqet edhe më poet, duket më i kuruar dhe më i purifikuar, sikur po i ngjitet rrethit të tretë të Purgatorit të tij poetik:
“Në qoftë se rastësisht të ndodh
të pritesh në fytyrë
dhe hamendesh të durosh pesë minuta
se të dhemb
do të të dhembë më shumë
kur ta shohësh
sa herë që të shihesh
në pasqyrë. (“Dhimbja”)
E rrugëtimi ngjitës i Kovaçit vazhdon në vëllimin “Zhdukja e heshtur”, ku larmia e motiveve zgjerohet, forca medituese rritet dhe realitetet e jetës lexohen në mënyrë më të sofistikuar e mistike. Uni lirik e shikon veten në pasqyrën e poetit dhe shprehet:
“Sonte vështroj qiellin
Yje pa fund.
Rri me kokë përpjetë
Kërkoj, kërkoj, kërkoj
Yllin tim
Yllin e poetit.
……………………………….
Cili është imi?
Diku duhet të jetë
Çdo poet ka yllin e vet.” (“Ylli i poetit”)
Për të hedhur më shumë dritë mbi poetikën e Kovaçit, citojmë një gjykim të Umberto Ekos, ku bëhet dallimi mes narrativës dhe poezisë: “Rrëfimi është qeverisur nga rregulla latine “rem tene, verba sequentur” (“zotëro argumentin dhe fjalët vijnë vetë”), ndërsa për poezinë parimi duhet ndryshuar në “verba tene, res sequentur” “zotëro fjalën, argumenti vjen vetë”1 (foot notes) Eco Umberto, “Rrëfimet e një romancieri të ri”. Prandaj në poezi fjalët janë kaq të vështira për t’u përkthyer, sepse ajo që çon peshë është edhe tingëllimi dhe ritmi i tyre, për të mos thënë kuptimet e tyre të shumëfishta dhe është zgjedhja e fjalëve që dominon përmbajtjen. Këtë fakt e gjejmë të realizuar në poetikën e Hajredinit, më shumë se kudo në vëllimin “Vdekja e fjalës”, si një veçori intuitive e lindur bashkë me vokacionin e tij poetik. Ky vëllim ka një kompozim më sistematik. Pavarësisht se tri ciklet e tij poetike kanë tematika e motive të ndryshme, karakteri i krijimeve është më kozmopolit, jo vetëm për kronotopin dhe fabuleskun e njësive, por edhe për karakterin më universal që rreket t’u japë autori kumteve poetike:
“Edhe sa fëmijë duhet të vdesin
Që të zgjohet Bota?!
…………………………………
Unë jam mirë
Kur janë mirë fëmijët
Jo veç fëmijët e mi
Por kudo tjetër nëpër botë! (“Zgjohu Botë!”)
Te “Vdekja e fjalës” zgjerohet dhe sakralizohet si askund tjetër motivi i nënës. Në poezi të tilla si “Nana” apo “Lamtumirë NANË!” tensionet e larta emocionale janë të pashlyeshme:
“Më bëjnë veshët a fryn erë përjashta
Apo më janë çakërdisur ëndrrat?!
Shikoj, shikoj, kur… këqyr
Në qosh të divanit
Nuk është më Nana!
……………………………….
Nanë, Ti edhe e vdekur po m’shëron!”
Cikli “Mos ma prek Ulqinin” është ndoshta pjesa më me kolorit e gjithë opusit poetik të Hajredin Kovaçit. Ky topos, nën optikën e këtij autori shfaqet para lexuesit herë si një bukolike e harruar nga Virgjili, herë si një Eldorado, por shpesh edhe një farrparajsë me të gjithë elementët përkatës humanë dhe fitomorfë. Sidoqoftë Ulqini mbetet dritarja e madhe poetike dhe ekrani ku parakalon galeria e personazheve për të cilët Hajredini ka realizuar me shumë art kushtimet e tij.
Si përfundim, duhet thënë se me një specie poetësh ndodh ajo dukuria që në biologji quhet mimetizëm- marrja e ngjyrës së mjedisit ku jeton. Në letërsinë tonë kemi plot raste. Nuk mund të kuptohet Gjoli i Pogradecit pa Lasgushin, Strigari, pa Zef Seremben, karmat e Temalit pa Camajn dhe Ana e Malit pa Hajredin Kovaçin.

Të fundit

më të lexuarat