Vështrim kronologjik rreth librit “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve”

Hamid Alaj / New York

Hedhja në dritë apo zbardhja e dokumenteve arkivore, çfarëdo qofshin ato, si historike, diplomatike, arkeologjike, etnografike, historiografie, fetare, gjuhësore dhe jo vetëm, lëshojnë rrezet e veta për ndriçimin sa më shumë të historisë së një kombi dhe në veçanti të një shteti, ashtu sikur dielli lëshon rrezet e veta për ndriçimin e planetit tonë.
Çdo dokument i degëve të cekura në rreshtat e sipër është më se i nevojshëm të njihemi me marrëdhëniet e një shteti me një shtet tjetër, të njihemi me luftërat në mes dy shteteve, me diplomacinë në mes shteteve dhe qeverive të shteteve në përgjithësi, të cilat hyjnë në punë për të njohur sa më shumë historinë e shtetit, në këtë aspekt të shtetit tonë shqiptar.
Në përgjithësi dokumentet arkivore të zbardhura për historiografinë e shtetit shqiptar radhiten në periudha të ndryshme kohore e deri në ditët e sotme dhe do të radhitën edhe në ditët në vijim. Studimi i historisë dhe degëve të tjera shkencore rreth shqiptarëve dhe për shtetin amë Shqipërinë është prioritet dhe detyrë që çdo studiues i çfarëdo dege shkencore t’i përkasë duhet ta ketë për detyra që të vjelë, hulumtojë dhe kërkojë në arkivat shtetërore brenda shtetit amë por edhe në arkivat e shteteve tjera, duke gjurmuar arkiv më arkiv, në mënyrë që historiografia e shtetit dhe popullit shqiptarë të ndriçojë dhe të pasurohet sa më shumë që të jetë e mundur me ngjarje dhe fakte shkencore-historike. Një gjë të tillë e bëri Dr. Paulin Marku në librin e tij “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, të sistemuar deri më tani në një vëllim (Vëll. I.).
Kur kontaktova për herë të parë me librin “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I, të autorit Dr. Paulin Marku, më shtyri t’i thellohem leximit dhe t’i kushtoj një vëmendje pak më shumë se disa librave të tjerë nga se vetë titulli i librit len të mendosh në atë mënyrë duke e ditur se ka të bëjë me dokumente arkivore diplomatike në mes shtetit amë Shqipërisë dhe atij fqinjë të Italisë. Puna e Dr. Paulinit në këtë libër mendoj se ka të bëjë me një punë dhe vullnet të qartë të zbardhjes së këtyre dokumenteve arkivore në mes dy shteteve Shqipërisë dhe Italisë. Edhe pse libri zbardhë një periudhë kohore disa mujore (janar-qershor) të vitit 1912, vit të cilin shteti shqiptar shpalli pavarësinë e vet, këto dokumente bëjnë fjalë në periudhën para shpalljes së pavarësisë.
Libri i Dr. Paulin Markut “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi zbulimin e këtyre dokumenteve, të cilat nuk kanë qenë të sistemuara deri më tani në një vëllim të tillë, siç e bëri mendja e ndritur dora e artë e Dr. Paulinit. Gjithsesi, zbardhja e kësaj faze historike të këtyre dokumenteve diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve, do të mbetën sot e kësaj dite një bazë e fuqishme e ndriçimit të këtyre dokumenteve arkivorë që studimi dhe hulumtimi i tyre nga Dr. Paulin Marku përbëjnë një obligim shkencorë të tij. Materiali i këtij vëllimi është mjaft i pasur në të dhëna historike, të cilat sjellin të njohuri me vlerë për historiografinë shqiptare, duke e plotësuar me të dhëna dokumentare italiane gjë që bënë të mundur të hidhet dritë mbi zhvillimin politik të vendit për periudhën kohore gjashtë mujore janarë-qershor të vitit 1912, periudhë kjo e shoqëruar me ngjarje mbi Kryengritjen e Pergjithshme të atij viti (1912) që shënon ndarjen përfundimtare të shqiptarëve nga Perandoria Osmane.
Vëllimi “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I, i autorit Dr. Paulin Marku, përmbledhur sipas arkivave italiane është një burim dhe një plotësim i çmuar që i shtohet materialeve arkivore të kësaj gjinie të botuara kohëve të fundit, i cili vëllim lidhet ngushtë me zbardhjen e mëtejme të njohurive mbi historinë e shqiptarëve në bazë të dokumenteve përkatëse. Libri ka një numër të madh dokumentesh, që ka karakterizuar autorin, duke shfletuar dokumentacionin përkatës, që ka gjetur dhe konsultuar në arkiva të ndryshme italiane, për ngjarjet e kohës që ai i ka kushtuar. Dokumentet e botuara në këtë vëllim janë të rangjeve të ndryshme. Kemi të bëjmë me dokumente ku jepen informacione për takime të ndryshme të udhëheqësve kryengritës shqiptarë. Sa më shumë që thellohej në leximin e këtij libri, në brendinë e tij lexuesi hasën në shumë dokumente ku bëjnë fjalë lidhjet dhe kontaktet e vazhdueshme të disa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bibë Doda etj., me kancelarit e huaja. Në këtë seri dokumentesh gjenden të dhënë të rëndësishme rreth mënyrës dhe organizimit të njoftimit të krerëve shqiptarë nga konsuj të ndryshëm evropian, për situatën e vendit të tyre të cilët vazhdimisht kërkonin ndihmë financiare e armatim për kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit osman.
Studimi dhe sistemimi i këtyre dokumenteve në përgjithësi mbetet në një bazë të gjerë burimore siç janë arkivat shtetërore italiane. Në këtë libër janë grumbulluar dokumente si bie fjala: telegrame, raporte, informacione etj., ku qeveria italiane e asaj kohe u dërgonte, konsujve, zavendëskonsujve, ambasadorëve italianë në shtetet fqinje, legatave italiane, Ministrisë së Jashtme Italiane etj., ku u bëhej me dije për gjendjen e krijuar në shtetin shqiptarë. Këto dokumente bukur mirë diti t’i sistemojë në një vëllim (Vëll. I.) mendja e ndritur dhe dora e artë e Dr. Paulin Markut. Ky libër me gjithë këto vjelje dokumentesh përbën një bukuri të pafundme dhe histori të shumta në veten e vet, që u kanë mbijetuar viteve të pa botuara deri më tani. Ato me pak vëmendje të zgjojnë kureshtje për të vazhduar edhe më tej në hulumtime dhe sistemime të dokumenteve të tilla, jo vetëm në arkivat italiane, siç ka bërë Dr. Paulini por edhe në arkivat e shteteve tjera evropiane, gjë që nuk mungon, por a duhet më të bëhet në këtë fushë besoj se po, sepse dokumentet e tilla nuk mund të sistemohen në një vëllim apo dy vëllime, në një libër apo një broshurë, dhe do ishte mirë që edhe studiues të tjerë të ndiqnin rrugën e Dr. Paulinit. Kjo nuk do të thotë se është bërë pak në këtë fushë, por nënkupton se sa më shumë ta njohësh dhe t’i njohësh arkivat e shteteve tjera pa shmangur ato shqiptare, aq më shumë thellohesh në njohjen e historiografisë shqiptare dhe pastaj nuk e ke lehtë të shkëputesh prej saj.
Telegramet, informacionet, raportet, të gjitha këto ishin të dërguara nga qendra të ndryshme evropiane dhe ballkanike, si bie fjala nga: Sofia, Roma, Beogradi, Cetina, Korfuzi, Athina, Shkodra, Fiume (Rijeka), Tivari, Parisi, Londra, Viena. Pastaj kemi telegram nga konsullata italiane në Kajro, dërguar ministrit të jashtëm italian, informacion i zvendëskonsullit italian në Tivar dërguar të ngarkuarit me punë në Cetinë, dhe shumë telegrame dhe informacione të tjera dërguar ambasadorëve, konsujve, zavendëskonsujve, Ministrisë së Jashtme Italiane, legatave etj., ku bukur mirë diti si vjelë dhe sistemoj në këtë libër Dr. Paulin Marku.
Libri i Dr. Paulin Markut “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., ka rëndësin e vet në fushën e zbulimit të dokumentacioneve arkivore e cila qëndron edhe mbi faktin se këto dokumente arkivore vijnë tashmë për studiuesit e historisë si të plota në gjuhën shqipe të përzgjedhura, përkthyera dhe të përgatitura për botim nga Dr. Paulini, të cilat përbëjnë një ndihmesë të madhe, ku jo të gjithë studiuesit e interesuar mund të kenë hulumtuar në arkivat italiane dhe mund të kenë qasje kaq të rëndësishme që hedhin dritë për një periudhë vendimtare të historiografisë shqiptare. Gjatë përkthimit të dokumenteve nga gjuha italiane autori i librit ka pasur parasysh që t’i qëndrojë besnik dhe sa më afër tekstit origjinal. Pastaj, renditja e dokumenteve është bërë sipas kriterit kronologjik në përputhje me brendinë e tekstit.
Këto dokumente gjithashtu do të krijojnë mundësi që studiuesit e mirëfilltë duke përdorur metoda të ndryshme krahasimtare të mund të gjejnë të përbashkëtat dhe dallimet në mes burimeve arkivore shqiptare dhe atyre italiane, gjë që bën të mundur gjetjen e të vërtetave historike të zhvillimit të ngjarjeve në territoret shqiptare. Këto të dhëna dokumentare do të jenë në shërbim të studiuesve të historisë shqiptare, pra të fushës së historisë dhe shkencave të tjera që do të bënte me të njohur historiografinë shqiptare, njohjen e zhvillimeve politike, gjeostrategjike, ekonomike dhe ushtarake. Prandaj, lirisht mund të themi se Dr. Paulini me botimin dhe daljen në dritë të këtyre dokumenteve arkivore italiane ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për shkencën e historisë, sidomos për historinë e shqiptarëve të asaj periudhe. Ashtu siç shprehet vet edhe autori i librit Dr. Paulin Marku se: “Dokumentet e huaja na japin mundësin të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe të hulumtojmë në mënyrë të detajuar qëndrimin politiko-diplomatik ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve tjera” të asaj periudhe që i përkasin dokumentet në fjalë, bën që studiuesit e mirëfilltë ta kenë këtë libër si manual udhëzues për njohuri më të thella të ngjarjeve kohore edhe pse janë botuar dokumente të ndryshme nga arkivat shqiptare dhe të huaja po jo nga ato italiane.
Materiali i këtij vëllimi është mbështetur në arkivat burimore italiane që zënë një vend të rëndësishëm në këtë punim e cila ka shërbyer dhe ka bërë të mundur për të arritur në konkluzione më të sakta të vjeljes së tyre dhe zbardhjes së mëtejshme të serisë së dokumenteve arkivore mbi historinë e popullit dhe shtetit shqiptar në përgjithësi.
Libri i titulluar “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., i autorit Dr. Paulin Marku, është vërtetë një libër shumë interesant dhe më interesant është kur lexuesi e merr në dorë dhe e lexon me vëmendje dhe në mendjen e tij i bën një analizë kronike, atëherë të duket shumë interesant nga fakti që të habit me durimin dhe këmbënguljen e autorit për të hulumtuar, zbuluar, evidentuar dhe sistemuar një arsenal të tërë dokumentesh arkivore italiane në të mirë dhe për të pasuruar fondet e tilla dokumentesh mbi historiografinë shqiptare.
Autori i librit ka bërë një punë të mirë në shfletimin e dokumenteve në përgjithësi si bie fjala: telegrameve, raporteve e informacioneve të ndryshme duke u dhënë vendin e duhur gjatë renditjes së materialit për botim në një vëllim të veçantë. Autori mendoj se ka bërë punë të mirë duke hedhur në dritë një botim me shumë rëndësi siç janë hulumtimi dhe sistemimi i dokumenteve italiane për historiografinë shqiptare që sigurisht se edhe ai vetë ka hasur në vështirësi të ndryshme gjatë hulumtimit, sepse puna e tillë ka nevojë për durim, kujdes dhe kohë të mjaftueshme për të zbardhur diçka me rëndësi siç ka bërë Dr. Paulin Marku.
Dr. Paulin Marku me grumbullimin dhe botimin e këtyre dokumenteve, që nuk janë të pakta, në një vëllim të veçantë i ka dhënë mundësi të gjithëve që të lexojnë një libër shumë interesant të dalë nga arkivat italiane, dhe njëheri duhet lavdëruar për punën e bërë dhe guximin për të ndërmarrë një iniciativë dhe punë të tillë. Autorin e këtij libri në radhë të parë duhet përgëzuar për veprën e dhënë me kaq rëndësi për historiografinë shqiptare, por edhe për vullnetin e tij për punë, hulumtim të thelluar, durim mahnitës gjatë punës, përkushtim të jashtëzakonshëm të aftësisë profesionale gjatë punës hulumtuese dhe kërkuese, të një njeriu me karakter të vendosur për të çuar në fund punën e nisur deri në botimin e përgjithshëm të librit.
Autori i këtyre rreshtave me përzemërsi e falënderon autorin e librit Dr. Paulin Markun për veprën që na botoi, njëheri urojmë suksese edhe në jetë dhe në daljen në dritë edhe të shumë veprave tjera nga dora dhe mendja e ndritur e tij.

Të fundit

më të lexuarat