Veshja popullore trieshiane me çakçirë dhe xhubletë

Gjekë Gjonaj

Një ndër vlerat më të çmuara të kulturës materiale dhe shpirtërore të trieshianëve paraqesin edhe kostumet popullore tradicionale, të cilat janë pjesë të etnokulturës së popullit shqiptar të Shqipërisë së Veriut. Veshja popullore e trieshianëve është identike me veshjet e malësorëve të Malësisë së Madhe.

Veshja e meshkujve me tirq (çakçirë)
Tipi kryesor i veshjes tradicionale trieshiane për meshkuj (burra) është kostumi me tirq (çakçirë), i cili ka formën e pantallonave të ngushta prej leshi të bardhë të deleve. Tirqit zbukuroheshin me gajtanë – spikë të gjerë me ngjyrë të zezë. Përveç çakshirëve malësorët trieshianë në pjesën e sipërme të trupit vishnin këmishën e bardhë prej mëndafshi me mëngë të gjata. Përmbi saj vishnin xhabadanin (xhamadanin) me mëngë të gjata, stolisur me gajtanë ari e mëndafshi. Sipër tij vihej jeleku i qëndisur. Në mes mbështillej brezi lidhës i leshtë ose i mëndafshtë , vija-vija mbështillej me një ose dy palë , me thake anash . Brezi , përveç lidhjes së belit për ta mbajtur shtrëngueshëm dhe zbukurimit të veshjes së burrit, shërbente për të vendosur armët e brezit në të. Nga të brendshmet ishin këmisha e brekët e bardhë. Pjesë e veshjes tradicionale të trieshianëve janë edhe zhguni me ngjyrë natyrale i bardhë, plisi i bardhë ( qeleshja- kapica ), shallmi ( shalli) prej 7-9 pashë gjatësi, gjegjësisht ruba me ngjyrë të kuqe (faculeta) të cilat sipas traditës shërbenin për lidhjen e kokës, mitani ( kraholi, jeleku), gjurdia ( rrobë me krah të shkurtër), gubereja ( tallagani), çarapët ( çorapët) k’putët , opakët (opingat) me vajç, me kryqëza, gogisht e me saftjan. Në trup mbanin të dhezmet ( gurë, unuer e kaf (eshkë), padifokën ( qese) me duhan, kamishin ( sipësia e çibuku) dhe sahatin (orë) e xhepit me qostek ( mbajtëse e sahatit)

Veshja e femrës me xhubletë
Femrat trieshiane tradicionalisht vishnin xhubletën e njohur në Malësinë e Madhe me emrin si veshje malësore, e cila ka qenë dhe mbetet, është trajtuar dhe konsiderohet si një nga thesaret më të vlerta të etnokulturës sonë. Ajo ka madhështinë dhe ceremoninë, bukurinë dhe ashpërsinë, stilin dhe delikatesën e një veshjeje që erdhi për të mbetur një monument kulture, jo vetëm i malësorëve, të cilëve u përket, por i gjithë shqiptarëve kudo që janë. Larmia dhe veçantia e komponentëve dallues si veshje, e cilësojnë atë nga më uniket e llojit të saj dhe nga më të papërsëritshmet për nga tërësia përbërëse e saj si veshje. Xhubleta konsiderohet si veshja më e vjetër e shqiptarëve. Mosha e saj, sipas etnologëve shkon përtej 4.000 vjetëve. Vjetërsia, dizajni e veçantitë e thurjes së saj janë unike, jo vetëm për shqiptarët. Këto cilësi bën që kjo veshje në dhjetor të vitit 2022 të futet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Sipas studiuesve të mirëfilltë vendas e të huaj të etnologjisë, xhubleta paraqet një ndër veshjet më të vjetra të Evropës, si mbetje e një qytetërimi të lashtë mesdhetar e ruajtur me shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditën e veshjes popullore shqiptare. Ajo është një veshje e punuar nga leshi i deleve, nga fijet e tymnit dhe init të quajtur tirk . Ka një formë kambane, e valëzuar sidomos pjesa e prapme e saj. Përbëhet nga kjo strukturë morfo0logjike: ruba e leshit ( ruba me thekë) e cila vendoset në kokë, ruba e rretit ne një kapicë sermi nën shami, duvaku i nuses, i cili vendosej përpara fytyrës së saj, këmisha e punuar nga pëlhura, gryka e këmishës , kraholi me mangë të gjata punuar nga coha, mallota ( pallto) e galme ( e zezë) nga veleduni ( kadifeja), grykca ( përparësja), postava ( pështjellak) i punuar nga coha e tirku plotë zbukurime, pafti ( mbërthesë) i pështjellakut nga sermi (argjendi) , bohçja e kuqe ( bofçekuqe), fundi i pështjellakut nga sermi ( argjendi) i punuar nga coha dhe vishet në pjesën e përparme mbi xhubletë, iva e xhubletës, kiti i xhubletës, prehni ( prehri) i xhubletës, greshpet ( grefçet), shokëzat ( teje e hollë), çorapët, këputët, opakët ( opingat). Xhubleta ka qëndisje e zbukurime të ndryshme plot ngjyra dhe rruaza të pafund nga koka deri në fund të këmbëve. Nusja me xhubletë mban në trup vathë varse, bylyzykë, unaza, gurë e monedha argjendi. Vlen të ceket se xhubleta peshon diku rreth 15 kilogram dhe paraqet qytetërimin ilir në kulturën popullore shqiptare.
Veshja me xhubletë e vajzave ka qenë e thjeshtë dhe pa dekorime. Vajza në kokë ka mbajtur shaminë e bardhë pa zbukurime, ndërsa kur ka pasur vdekje të të afërmit, ka mbajtur shami me ngjyrë të zezë. Parzmën e ka mbuluar me grykcë Ajo ka qenë e punuar nga shajaku i bardhë me spik të zi në katër qoshe dhe shtrat të saj. Ka pasur xhubletë prej shajakut të bardhë, pa zbukurime. Shtrati i xhubletës ishte i bardhë, i ndarë në mënyrë harmonike me spik të zi. Xhubleta e mbulonte trupin e vajzës nga beli deri në gjunjë. Vajzat mbathshin çorapë të bardhë, të bërë (thurur) me gjilpërë (grep). Dominonte peri i bardhë, por përdorej dhe peri me ngjyrë të zezë, për të krijuar rreshta (rrathë) në distancë rreth 5cm nga pjesa e epërme deri në shputë. Shputa nuk zbukurohej. Mbathnin opinga lope të bëra me përqakëza me vaq (dredhë në këpucët që bëheshin me dorë e me lëkurë lope). Vajza e fejuar në Triesh ( Malësi), xhubletës ia qep një shirit të punuar me grep nga peri i zi me motive gjeometrike, si shenjë që simbolizon fejesën e saj.
Procesi i punës për thurjen e xhubletës është shumë delikat, duhet një dije dhe një imagjinatë e jashtëzakonshme për ta bërë një veshje të tillë. Sipas të dhënave që kemi nga informatorë trieshianë nëpër fshatra të ndryshme, nga gratë e moshuara malësore që e kanë thurur këtë veshje, thonë se minimum duhen deri 9 muaj për ta kompletuar, si veshjen më të bukur. Kjo veshje, vlerësojnë studiuesit, është specifike për kulturën shqiptare dhe sot e kësaj dite konsiderohet si një nga kostumet monumentale, tipar i malësorëve të veriut, që e kanë marrë me vete kudo ku kanë shkuar në dasma e morte ( vdekje).
Si përfundim mund të konstatojmë se veshja tradicionale trieshiane është një veshje e pasur, karakteristike, e veçantë, me gjurmë lashtësie e krijuar nëpër shekuj dhe e ruajtur ashtu sikurse kultura dhe tiparet karakteristike të kësaj trevë.

Të fundit

më të lexuarat